Bruksel, 6 korrik 2021 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndëmrjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, shkroi të martën se “çdo gjë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thellësisht politike dhe asgjë nuk është teknike”.
Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin Twitter, në fillim të takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili drejton delegacionin e Prishtinës që të mërkurën takohet me delegacionin e Beogradit për të përgatitur raundin e ri të bisedimeve në nivelin e lartë politik.
Welcomed Besnik Bislimi, First Deputy Prime Minister of Kosovo, for a discussion today ahead of tomorrow’s Dialogue meeting on Chief negotiators’ level. Everything in the talks on normalisation of relations between Kosovo and Serbia is highly political, nothing is technical. pic.twitter.com/tFtPSFCsA4
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) July 6, 2021
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që pritet të takohen më vonë gjatë këtij muaji, u takuan për herë të parë në Bruksel me 15 qershor në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve.
Nuk pati ndonjë përparim në takimin e parë përgjatë të cilit kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”.
Më tej ai tha që pas njohjes së ndërsjellë, të dyja vendet duhet të zbatojnë reciprocitet dypalësh, duke krijuar për serbët në Kosovë këshillin e tyre kombëtar siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Pala serbe refuzoi propozimet e kryeministrit Kurti dhe presidenti serb Vuçiq tha se zoti Kurti “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”.
“Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar shqiptarët, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
“Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizajnuar, pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha ndërkaq kryeministri Kurti.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.
(Zëri i Amerikës)