Uashington, 10 korrik 2021 – Një shpikje e rëndësishme në parametrat e sigurisë për makinat synon të shpëtojë pothuajse 10 mijë jetët që humben që çdo vit në Shtetet e Bashkuara për shkak të ngarjes së makinës në gjendje të dehur.
Shumica e njerëzve nuk mendohen shumë kur ulen në timon. Thjesht ndezin makinën dhe fillojnë udhëtimin.
Por, kjo nuk do të ndodhë më nëse janë të dehur. Një parametër i ri sigurie që po zhvillohet për makinat, përdor ajrin dhe sensorë me prekje për të matur nivelin e alkoolit në gjakun e shoferit. Nëse rezulton mbi nivelin e lejuar me ligj, makina nuk do të niset.
Sensorët për frymën, të integruar në pjesë të ndryshme të makinës, marrin nga frymëmarrja e shoferit.
Duke përdorur rreze infra të kuqe, sistemi mat përqindjen e alkoolit dhe dioksidit të karbonit në frymëmarrjen e shoferit.
Sistemi i sensorëve me prekje të pozicionuar në butonin e ndezjes ose në timon, lexon nivelin e alkoolit nën lëkurë nëpërmjet projektimit të një rrezeje infra të kuqe në gishtat e shoferit.
Programi i quajtur DADSS gëzon mbështetjen e disa kompanive kryesore të prodhimit të automjeteve dhe synon të ulë numrin prej rreth 10 mijë viktimash të shkaktuara çdo vit nga dhënia e makinave në gjendje të dehur në Shtetet e Bashkuara.
“Është objektivi ynë kryesor me këtë program – të eliminojmë çfarë mund të parandalohet dhe bashkë me to edhe dhimbjen pasuese për familjarët”, thotë Robert Strassburger, ekspert i sigurisë së makinave.
Virxhinia u bë shteti i parë amerikan ku u testua sensori për frymëmarrjen dhe u mblodhën reagime nga pjesëmarrësit.
“Kur e pamë si ekip teknologjinë, u bë shumë e qartë për mua se kjo teknologji kishte mundësinë e ndikimit që pati vendosja e rripit të sigurimit”, thotë George Bishop, nga Departamenti i Automjeteve në Virxhinia.
“Kam vetëm një fëmijë, një djalë. Dhe kjo më jep shpresë të madhe për të ardhmen, se djali im do të jetë në gjendje të jetojë në një botë pa shoferë në gjendje të dehur”, thotë zoti Bishop.
Është kjo shpresë që i shtyn studiuesit të sjellin këtë teknologji në treg.
(Zëri i Amerikës)