Reforma e imigracionit pritet të rikthehet për diskutim në Kongresin amerikan, pas zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat votuesit hispanikë mbështetën me shumicë dërrmuese rizgjedhjen për një mandat të dytë të presidentit Obama. Shumica e krahut të punës në Shtetet e Bashkuara përbëhet nga imigrantë të paligjshëm latino, megjithë një program për viza pune që do t’i lejonte ata të hyjnë në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara, për të punuar. Por fermerët thonë se ky system nuk funksionon siç duhet. Steve Baragona i Zërit të Amerikës sjell hollësitë:
Në fushat e mbjella me duhan të Karolinës së Veriut, bujqit mbledhin duhanin organik, pa pesticide. Ky prodhim i tyre është për ata persona që pijnë duhanin, të cilët duan të sigurohen se do t’i vijë vdekja nga duhan i pastër, thotë me shaka fermeri Billy Carter.
“Thjesht, ne duam të përjashtojmë të gjitha mundësitë për rrezikun e pesticideve, që mund t’i dëmtojë njerëzit. Duam që të paktën duhani të jetë i pastër”.
Billy Karter thotë se duhani ishte gati për t’u korrur herët këtë vit, por ekipi i punëtorëve nga Meksika që ai punësoi përmes programit qeveritar të vizave të punës nuk erdhi në kohë për punët e nevojshme.
Kjo për shkak se programi i kërkon paraprakisht punëtorëve të caktojnë datën e fillimit nga puna, ndërkohë që moti nuk të pyet. …Prandaj këtë vit, Carter humbi shumë.
“Duhani ishte gati për korrje, por ne nuk i kishim bujqit për të bërë punën”.
Rreziku i humbjes së prodhimit është arsyeja përse shumica e fermerëve amerikanë nuk e përdorin programin e vizave të punës. Por ky nuk është i vetmi rrezik, thotë Lee Wicker i shoqatës së fermerëve të Karolinës së Veriut, NCGA.
“E vërteta është se sistemi i vizave H-2A është i komplikuar”.
Punëdhënësit duhet të tregojnë se nuk ka punonjës amerikanë për ta bërë punën e tyre. Duhet që punonjësve me viza pune t’u sigurohet strehimi në vende të inspektuara më pare nga qeveria. Po ashtu rregulloret për pagat e drejta, sigurinë e punonjësve në punë, kërkojnë dokumente të tjera. NCGA kërkon 1 mijë dollarë për punonjës për të gjitha këto veprime burokratike. Wicker thotë se ai i paralajmëron fermerët se sistemi është kompleks dhe i kushtueshëm.
“Po të keni mënyra të tjera për të gjetur punonjës sezonalë pa nevojën e programit H-2A, ju këshilloj t’i shfrytëzoni” .
Shumica e fermrëve e ndjekin këshillën e tij. Sipas shifrave qeveritare, vetëm 10 për qind e forcës bujqësore të punës sigurohen përmes programit të vizave H-2A. Fermerët këmbëngulin se ata duan të punësojnë punëtorë të ligjshëm, por amerikanët duket se nuk duan të punojnë në bujqësi. Në vitin 2007, Zyra e Fermave e Karolinës së Veriut u përpoq të punësonte bujq përmes njoftimeve në radio dhe një numri telefoni falas, thotë Larry Wooten, president i grupit.
“Kush do të punojë në bujqësi, të na telefonojë. Ne do t’ju gjejmë punë…. Por gjithsej ne morëm vetëm 3 telefonata”.
Eric Ruark i Federatës Amerikane për Reformën Imigracionit thotë se nuk ka se si të ketë kërkesa për të punuar në bujqësi për disa arsye:
“Nuk ka se si të ketë kërkesa për një punë të paguar nën nivelin e jetesës, që punonjësit të durojnë kushtet brutale, shpeshherë aspak sanitare dhe me rreziqe”.
Eric Ruark thotë se rritja e pagës për punonjësit e bujqësisë me një të tretën, do të ndihmonte biznesin e fermerëve në nevojë e tyre për forcën e punës dhe do të shtonte prodhimet bujqësore. Ai thotë se e drejta e punonjësve amerikanë dhe atyre imigrantë mbrohen më mirë kur fermerët përdorin programin H-2A.
Fermeri Billy Carter thotë se ai punëson punonjës përmes programit të ligjshëm H-2A , edhe pse ky program ka disa probleme, sepse ai mund ta përballojë këtë financiarisht ngaqë prodhimit i tij ka vlerë të madhe. Por ai shton se ky program nuk funksionon siç duhet për shumë fermerë të tjerë, prandaj Kongresi duhet ta përmirësojë atë.
“Por kjo çështje është si një futboll politik dhe ka shqetësime të ligjshme nga të dyja palët, të cilat nuk janë trajtuar dhe sigurisht, që nuk do të trajtohen në afat të shkurtër”.
Kjo është arsyeja që fermeri Carter mbetet skeptik për rezultatin e stinës së re politike në reformën e rëndësishme të imigracionit.
(VOA)