Prishtinë, 11 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar viktimat e gjenocidid të Srebrenicës, në 26 vjetorin e saj.
Në një dedikim për viktimat e masakrës së forvave serbe ndaj popullsisë civivile boshnjake, ai ka kërkuar ndëshkimin e autorëve të akteve gjenocidale të kryera në dekadën e fundit tëe shekullit të kaluar.
Kurti ka theksuar se ndëshkimi i fajtorëve është themeli i paqes, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në Ballkan.
“Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, shkruan Kurti
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore.
Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.
Në atë rezolutë pika nr. 6 shkruan se Kuvendi i Kosovës:
“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”
Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale.
(r.m.)