Nga Ruben Avxhiu
Erdhi në Romë,
Erdhi n’Tironë,
Erdhi te shpia jonë
Kur vendi yt nuk është një nga konkurrueset kryesorë për kupat e botës dhe ato të Europës, është e natyrshme të adoptosh një atdhe tjetër futbolli.
Njeriu nga natyra nuk mund të rrijë asnjanës në përplasjet e mëdha të kohës, edhe kur nuk lidhen me të në mënyrë të drejtpërdrejtë. Futbolli nuk bën përjashtim,
Kjo është arsyeja pse në Shqipëri që në moshë të vogël jemi ndarë në “italianë”, “gjermanë”, “brazilianë”, “anglezë” etj.
Ndarjet nuk janë aq të rastësishme sa mund të duken. Ato shpesh dëshmojnë një brez, një moshë, një status social në një periudhë të caktuar, aksesin te stacionet e huaja televizive, turneun e parë ndërkombëtar të jetës, ndikimin e familjes, të shoqërisë etj.
Në dhjetëvjeçarin e fundit, këtyre arsyeve u është shtuar edhe prania e shqiptarëve të talentuar në ekipet e vendeve konkurruese, me rastin më të jashtëzakonshëm, Zvicrën e Shaqirit, Xhakës, e shumë të tjerëve.
Këto ndarje janë edhe arsyeja se pse shumë shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë festuan dje sikur kampione e Europës të kishte dalë Shqipëria.
Unë i përkas brezit që filloi të shihte futboll në fillim të viteve 1980, me të parën Kupë të Botës, në 1982, në Spanjë. Italia mposhti Brazilin magjik, që bëri shumë vetë që ta urrenin, por unë u mrekullova nga fenomeni i fitores të më të dobëtit. Nuk m’u duk një poshtërsi apo një padrejtësi, por si një mësim në jetë. Kjo ishte një Kupë Bote që meriton një shkrim më vete, por po mjaftohem të them se Italia e filloi me disa ndeshje të mërzitshme, me tre barazime të thata e mezi u kualifikua në turin e dytë ku ishte në një grup me Brazilin më spektakolar në histori që prej kohës së Garinçës dhe Peles si dhe me Argjentinën, kampionen në fuqi të botës ku shkëlqente një yll i ri me emrin Diego Maradona.
Askush nuk e numëronte Italinë. E gjithë puna ishte a do të mjaftonte talenti i Maradonës dhe brezi i kampionëve botërorë të vitit 1978 për të ndalur këtë Brazil të paparë të Zikos, Sokratesit, Falkaos, e shumë magjistarëve të tjerë të topit.
Mirëpo, italianët, shtangën vëzhguesit duke mundur Argjentinën 2-1 dhe Brazilin 3-2. Brazilit të tre golat ia bëri italiani Paolo Rossi. Po ky shënoi dy herë edhe ndaj Polonisë në gjysëm finale dhe bëri një nga tre golat, me të cilat Italia mposhti 3-1 Gjermaninë në finale.
Im atë ishte tifoz me Gjermaninë dhe më ishte dukur profet kur dy vjet më parë Gjermania ishte shpallur kampion Europe. Por tani që kisha filluar ta kuptoja më mirë futbollin u rebelova.
Shumë shpejt fillova të ndjek kampionatin e Italisë, kështu që emrat e futbollistëve italianë ishin të njohur për mua. Më dukej se lunate vërtet kombëtarja ime në këto turne.
Në vitet 1980, kampionati kombëtar italian ishte si ai i Anglisë sot. Aty ishte derdhur kapitali i investimeve dhe me të praktikisht të gjithë yjet e botës.
Maradona luante për Napolin, Platini për Juventusin, Rumenige për Interin, Falkao për Romën, Ziko për Udinesen. Ishte si një lloj kupe e botës çdo të dielë. Bekuar qofshin kanoçet metalike me qarqet elektronike që ndihmonin familjet shqiptare në Tiranë t’i bënin hile pengesa qeveritare të regjimit komunist për të parë ndeshje e kronika sportive në botën kapitaliste përtej detit.
Kjo mundësi filloi të zgjerohej edhe më tej në pesë vitet e fundit të diktaturës, që është edhe aryseja pse e marr me mend lehtë moshën, vendbanimin, si dhe gjëra të tjera prej tifozëve të vjetër të Milanit, një mani që filloi me hollandezët e fundviteve 1980, e që i përngjante asaj që kishim përjetuar ne “veteranët” juventinë, tashmë adoleshentë.
Kishte plot tifozë brazialianë në ato vite, por vija më e thellë ndarëse në Shqipëri, ishte ajo mes “italianëve” dhe “gjermanëve”. Një ndarje që e di mirë se hynte mes për mes dhomës tonë të ndenjes në shtëpi.
Në atë kohë një tifoz i Anglisë ishte diçka e rrallë. Mirëpo, në mijëvjeçarin e ri, tani që Premier Liga angleze u bë kampionati më i ndjekur i botës është e natyrshme që tifozët e Anglisë të jenë më të shumtë në numër në Shqipëri. Shqiptarët që brohoritën mbrëmë kundër Italisë, madje do të kishin qenë shumë më tepër nëse Anglia nuk do të kishte qenë “fajtore” për eliminimin e Gjermanisë. Kjo do t’ia kishte bashkuar taborrin tjetër më të madh të tifozëve shqiptarë turmës anti-italiane.
Pavarësisht nga të gjitha, me kë ishim e kë donim të fitonte, Italia e djeshme luajti më mirë se Anglia. Më tej akoma, është një nga Italitë më e mira në histori. Një Itali që ndryshe nga tradita ka etje për të sulmuar, Për të bërë lojë.
Italia ishte edhe vendi që u godit më ashpërsisht nga pandemia. Para se virusi të vinte me kosënvdekjeprurëse në New York, ai bëri kërdinë në Itali. Në pranverën e vitit të kaluar, pas Kinës në Wuhan, New York City dhe Italia ishin dy epiqendrat botërore të fatkeqësisë me emrin COVID-19. Pastaj, në verë, kampionati European që mezi pritej u anullua ashtu si shumë gjëra të jetës sonë.
E kaluara e pandemisë, me gati 130,000 vdekje e traumë të paparë ishte nxitja kryesore e ekipit Italian në këtë turne. Në fund, kapiteni Chiellini ua përkushtoi pikërisht atyre që nuk jetojnë më, atyre që mbi jetuan, si dhe heronjve me bluza të bardha që shpëtuan miliona jetë.
Nganjëherë fitues është ai që e do më shumë fitoren. Në këtë kampionat europian, italianët e deshën kupën më shumë se çdo ekip tjetër.
Si shkroi njëri dje në rrjetet sociale, “italianët qajnë kur humbasin, qajnë kur fitojnë, prandaj isha me ta kësaj here.” Nganjëherë më kalojnë këto turne ndërkombëtare pa i parë. Kur jeton në SHBA, nuk është e lehtë ta mbash lidhjen me futbollin. Ka plot heronj që janë të pasionuar, por shumë arsye, e jeta vetë të ngatërrohet nëpër këmbë. Po kësaj here e ndoqa nga fillimi në fund dhe nuk u pendova. Ishte një maratonë emocionesh. Nganjëherë futbolli është një lojë me 22 lojtarë që zgjat 90 minuta (ose 120) ose me penallti, por në fund fiton Italia… për inat të “gjermanëve”, shumë prej të cilëve do ta kuptojnë referencën.
Anglezët e donin shumë këtë kupë. “Po vjen në shtëpi”, ishte parrulla e preferuar, nisur nga fakti se kjo lojë u shpik në Angli e pastaj pushtoi gjithë botën. Futbolli shkoi në fakt në shtëpi, vetëm se jo në shtëpinë që pritej. Shkoi në Romë. Shkoi edhe në zemrat e tifozëve që fati nuk u ka dhënë futboll të madh në vendet e tyre por që ashtu si kanë kërkuar një jetë të re në diasporë, kanë gjetur gjithësesi emocionet diku tjetër. Futbolli nuk shkoi vetëm në Romë. Shkoi në Tironën tonë, në sheshet dhe klubet e mbushura me tifozë. Shkoi në shtëpinë tonë, kudo ku jetojmë, e ku përfshihemi nga emocione që na bëjnë të harrojmë të përditshmen. Dehemi nga fitorja e nga mbushet zemra plot.