Fëmijët e Berishës kundërpërgjigjen: Rama të shpjegojë milionat e gruas

Deputeti socialist Taulant Balla tha se fëmijët e kryeministrit vetëm sa po rreken të hedhin baltë mbi opozitën dhe për më tepër të fshehin pasuritë e dyshimta

 

Denion Ndrenika

Partia Socialiste i kërkoi fëmijve të kryeministrit djalit Shkëlzen Berisha, vajzës Argita Malltezi Berisha dhe bashkëshortit të saj Jamarbër Malltezi të shpjegojnë se si i kanë rritur në qindra mijëra dollarë pasuritë e tyre. Kurse, fëmijët Argita dhe Shkëlzeni i kërkuan PS-së që të mos pengojë përballjen në gjykatë me akuzat dhe të shpjegojë gjithashtu të ardhurat milionere të kryetarit Edi Rama.

Opozita socialiste

Deputeti socialist i Librazhdit në Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, i shtroi dy pyetje fëmijëve të kryeministrit Argita dhe Shkëlzen: “E para, kush e ka paguar Argita Berishën për mësuesi me rrogat e honoraret që ajo pretendon, të cilat kalojnë imagjinatën e çdo mësuesi, pedagogu dhe shkencëtari në Shqipëri? E dyta, kush janë bizneset që kanë përfituar nga aftësitë profesionale të Shkëlzen Berishës si ndërmjetës apo shqip sekser, dhe që e kanë paguar për shërbimet e tij me shuma që kalojnë imagjinatën e çdo shqiptari që nuk ka vetë një biznes të madh? Dy pyetje që duan dy përgjigje dhe jo dy çarçafë plot baltë nga shtëpia e vajzës dhe djalit të kryeministrit në adresë të opozitës”.
Zoti Balla theksoi se qeveria dhe familja janë të pandarë për zotin Berisha: “Si të gjithë të korruptuarit e mëdhenj në krye të një pushteti të diskredituar edhe Saliu s’gjen dot rrugë më të denjë për të ikur përveçse duke hedhur baltë sa të mundet. Origjinaliteti i Saliut është se ka futur edhe fëmijët tani në punë kundër opozitës. Nuk i mjafton foltorja e PD për t’i diktuar asaj vajzës së botës përditë me telefon sharjet kundër opozitës, po tani ka ngritur nga një zyrë shtypi edhe në shtëpinë e vajzës edhe në vilën e djalit. Dhe që të dy, edhe Argita edhe Shkëlzeni, në vend që të japin nga një përgjigje të thjeshtë duke treguar një për një burimet e të ardhurave të tyre përrallore, dalin përditë dhe shajnë mua apo Edi Ramën”. Zoti Balla e krahasoi këtë me shprehjen “madje me libër shpie, tamam bëmë baba të të ngjaj!” duke iu referuar sipas tij sjelljes së ngjejtë të kryeministrit.
Deputeti i Librazhdit nuk i vlerëson të qarta deklarimet e të ardhurave të zonjës Argita Malltezi Berisha për përfitime nga mësimdhënia dhe as të vëllait të saj Shkëlzen Berisha si “ndërmjetës biznesi”. Zoti Balla e cilësoi djalin e kryeministrit Shkëlzen Berisha si “Berisha Junior”, ndërsa bashkë me vajzën Argita u kërkoi që t’i tregojnë publikut “botimet e panjohura me faturat përkatëse dhe ne të gjithë do t’ju duartrokasim si shkencëtare, pa iu detyruar më tej të nxirrni përditë nga shtëpia një çarçaf me baltë për t’ia hedhur opozitës”. “Po ky zoti Shkëlzen, -vijoi deputeti socialist, – pse nuk i tregon publikisht ndërmjetësimet që ka bërë për të marrë përqindje nga operacione biznesi mes palësh, që për publikun mbeten të paditura? Dilni zoti Berisha Junior dhe thoni ja një, ja dy, ja tre dhe ja si të gjitha bashkë bëjnë kaq qind mijë euro në vit fitim për ju! Pse e keni kaq të vështirë të jepni përgjigje dhe keni më shumë se dy javë që na mbani këtu me të njëjtat pyetje, ndërkohë qe kemi edhe ne kaq shumë punë, sepse në radhë presin shifrat e faktet për ministrat e oborrit të babit. Ata me siguri fërkojnë duart që ne merremi me ju dhe ju të dy, vëlla e motër, po bëni punën e tyre, duke u marrë përditë me opozitën dhe me Edi Ramën. Po ju vete e keni fajin qe nuk u përgjigjeni pyetjeve”.
Sipas deputetit socialist, i përfshirë në vazhdimësi në akuza, polemika dhe deri sharje e kërcënime me dhe nga zoti Berisha, fëmijët e kryeministrit vetëm sa po rreken të hedhin baltë mbi opozitën dhe për më tepër të fshehin pasuritë e dyshimta. “Përfshirja së fundmi e fëmijëve të kryeministrit në prodhimin e baltës antiopozitare për llogari të babit, na shton edhe më shumë bindjen se punët e shtëpisë dhe punët e qeverisë për Sali Berishën janë një. Madje duket qartë se qeverisja konsiderohet punë shtëpie dhe tani që kësaj qeverie po i vjen fundi, e gjithë shtëpia është ngritur në këmbë për ta mbajtur qeverinë dhe pushtetin me thonj”-tha deputeti socialist. Ai kërkoi që zonja Malltezi-Berisha të tregojë se cilët janë universitetet shqiptare që e kanë paguar “më shumë se te ishe në Harvard”? “Dilni zonjë e nderuar, -vijoi ai, – dhe tregojuani shqiptareve se si e realizon ju një fitim vjetor 146 milionë lekë (rreth 130 mijë USD), vetëm me mësuesi, që me një llogari të thjeshtë kërkon 22 orë pune në çdo ditë të vitit! Ju thoni se keni kryer edhe punë voluminoze shkencore dhe se keni botuar edhe një sasi të atillë librash shkencorë që e justifikojnë fitimin tuaj vjetor përrallor”.

Familja Berisha

Fëmijët e kryeministrit vazhduan gjithahtu të përgjigjen ndaj akuzave të PS-së. Argita dhe Shkëlzeni i bënë thirrje kryesocialistit Edi Rama të shpjegojë se ku i gjeti 100 milionë lekë, rreth 95 mijë USD të deklaruar si dhuratë nga një mik i bashkëshortes së tij. Ata kërkuan që zoti Rama të bëjë publike pasurinë e tij, pasi më parë ka deklaruar vetëm 3 mijë euro, rreth 6000 USD të depozituara në bankë, përkundër dyshimeve që kanë për shuma të tjera të fshehura. Sipas Argta dhe Shkëlzen Berishës, 100 milionë lekët duhet t;i thuhen publikun se ku janë dhe se si mbahen nga çifti Edi Rama dhe bashkëshorten Linda Rama, duke i kujtuar shprehjen se një miku i tyre “u ka dhuruar sipas tyre “një thes me para”. “Së fundmi z. Rama po përsërisim për ju një pyetje që as ju dhe as bashkëshortja juaj nuk i jeni përgjigjur as në deklarimin tuaj në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe as për publikun. Kush është bujari që i ka dhuruar bashkëshortes tuaj 100 milione lekë pa interes?? Si ka mundesi që këto para janë dhënë në dorë z. Rama dhe jo ne rruge bankare. Ku i mbani ju dhe bashkëshortja juaj keto para z. Rama përderisa ato nuk figurojnë në llogaritë tuaja bankare”-thuhej në një deklaratë të fëmijve të kryeministrit. Për pasurinë e tyre, Argita dhe Shkëlzen Berisha thonë se e kanë vënë me punë dhe me ndershëmri dhe se për çdo rast kanë deklaruar në institucionet përkatëse të shtetit se si i kanë fituar, megjithë planinllogaritë. Ata kërkuan gjithashtu që PS-ja dhe zoti Rama të mos i shmangen përballjes me drejtësinë në gjykatë të deputetit Balla, për të cilin thanë se “shpif”: “Në ndryshim nga bashkëshortja jote z.Rama çdo qindarkë të fituar e kemi të xhiruar në rrugë bankare dhe të tatuar nga organet tatimore dhe të deklaruar në ILDKP, por problemi i juaj z Rama është se ju njihni vetëm institucionin e shpifjes. Pyetjeve që ju na drejtoni, i jemi përgjigjur në mënyrë konstante prej 7 vjetësh aty ku na e kërkon ligji, në ILDKP dhe është po ky institucion që pasi ka verifikuar burimet e fitimeve tona ka lëshuar një deklaratë publike që certifikon korrektesine e tyre në raport me ligjin dhe konfliktin e interesit. Për të gjitha shpifjet, zëdhënësi yt i paguar pengohet nga ti për tu paraqitur para trupit gjykues”.