Tiranë, 21 korrik 2021 – Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi të mërkurën pranimin e kërkesës së përbashkët të 27 banorëve të Valbonës, Shoqatës “TOKA” dhe Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare për pezullimin e kontratës së ndërtimit të 2 HEC-eve në Valbonë nga kompania “Gener 2” dhe “Dragobia Energy SHPK”, si masë e sigurimit të padisë deri në marrjen e një vendimi të prerë në lidhje me çështjen.
Me vendimin e sotëm Gjykata e Lartë vendosi ndryshimin e vendimit nr.17, datë 11.03.2021 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe vendimit nr.3342,datë 02.06.2017, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë në këtë mënyrë: “Pranimin e kërkesës së palës paditëse për marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkesëpadisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë vjen pas një beteje më shumë se 5 vjeçare të banorëve të Valbonës dhe shoqatës së tyre “Toka” të përfaqësuar nga Chatherin Bohne, një amerikane e martuar në Valbonë. Banorë dhe aktivistë mjedisorë kanë protestuar aktivisht vitet e fundit kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, duke argumentuar se ato dëmtojnë vlerat unike të ekosistemit të luginës dhe potencialin turistik të zones, një nga më të frekuentuarat vitet e fundit në Shqipëri për turizmin malor.
Lejet për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë pjesë të Alpeve të Shqipërisë u dhanë nga qeveria Berisha, por ato nuk u anuluan nga qeveria Rama. Në këtë zonë janë dhënë 14 koncensione për ndërtimin e HEC-ve, ku 8 prej tyre janë parashikuar brenda Parkut Kombëtar.
Puna për ndërtimin e dy prej hidrocentaleve në Valbonë ka nisur në vitin 2016 dhe, që nga ajo kohe, punimet kanë avancuar.
Në vitin 2017 banorët e Valbonës i kërkuan gjykatës që të anulojë vendimin e qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, por kërkesa e tyre nuk u pranua nga Gjykata Administrative, e cila vendosi për ndërtimin e hidrocentraleve. Ndërsa në shkurt të këtij viti, Gjykata e Tropojës vendosi të pushojë padinë për ndërtimin e HEC-eve në lumin Valbonë, vendim ky që u cilësua nga banorët dhe shoqata e tyre “Toka” si i padrejtë dhe në kundërshrim me ligjin. Banorët paralajmëruan vazhdimin e betejës e tyre ligjorë për mosndërtimin e hiodrocventarleve në Valbonë duke e dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Strazburgut.
Përfaqësuesja e banorëve të Valbonës dhe shoqatës “Toka”, Chatherin Bohne, është shprehur se “Kjo padi, që është padia administrative e tretë, është për faktin se në qershor 2017 ka ndryshuar ligji për zonat e mbrojtura dhe është e shkruar shumë qartë që hidrocentralet nuk lejohen brenda një zone të mbrojtur siç është Valbona. Së dyti , nëse është një kompani në proces ndërtimi, duhet të ndalohet puna dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka përgjegjësinë për të informuar dhe për të hequr këtë kompani. AKZM duhet të veprojë brenda 30 ditëve, por nuk e ka bërë, kështu që ne e kemi paditur Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe AKZM-në, të cilët duhet të bëjnë punën e tyre.”
Megjithëse vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë vjen në një kohë kur kanë avancuar punimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginen e Valbonës, ai vlerësohet nga banorët dhe shoqata e tyre “Toka” si një hap pozitiv për vendosjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Lugina e Valbonës është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë 2, Park Kombëtar. Prej 5 vitesh aty po zbatohet projekti “Dragobia”, i cili parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve, por edhe të rrugëve dytësore, linjave elektrike, tuneleve dhe është duke u zhvilluar në mes të parkut kombëtar të Valbonës, park ky me një sipërfaqe totale prej 600 hektarësh dhe me një popullsi rreth 1000 banorë.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)