Një referendum për të kurorëzuar masakrën etnike në Plavë e Guci

Nga Ramiz Lushaj

 

Në krahinën e Plavë-Gucisë sot më 8 janar 2013 kryhet referendum që kurorëzon një nga masakrat më të mëdha të shek. XXI në hapësirat euro-atlantike (pjesë e të cilës është edhe Mali i Zi në udhën drejt BE,NATO-s,etj.)

Kjo do të jetë njësoj si Masakra e Tivarit në shek. XXI, ku u masakruan mijëra shqiptarë (nga serbët e malazezët në prill 1945) veçse me “vrasje masive pa plumb” që dhimbja tragjike tejshkon deri në gjak, deri në palcë të çdo shqiptari trojenik në krahinën e sotme të Plavë-Gucisë.

Në fakt tek kjo MASAKËR E 8 JANARIT 2013 në Plavë-Guci kanë çue 10 vrasje Cerrnagorjane të kohëve të fundit:

1.- Moshapja e rrugës Deçan-Plavë-Podgoricë, që sjell zhvillimin e krahinës së Plavë-Gucisë.

Milo Gjukanoviçi, kryeministri aktual i Malit të Zi, i rikthyem në krye të listës “Për një Mal të Zi Europian” (dhjetor 2012), një nga 20 politikanët më të pasur të botës, një nga zyrtarët ma të korruptuar të globit – i akuzuem edhe për trafiqe të drogës, në një intervistë televizive të para një viti, (më 7 janarit 2012) e cilëson këtë rrugë (ndër)kombëtare si “ide” (“Unë e përkrah plotësisht këtë ide”).

Kaq shumë e don Plavë-Gucinë ky “Gospodar” saqë në rreth 20 rradhë tekst-përgjigje nuk ia përmend kurrkund emnin Plavë-Gucisë, sepse sa herë që të flasin për vendlindjen e tij në Nikshiqin bregdetar do t’i kujtohet Nokshiqi alpin në këtë trevë me betejën e viteve 1879-1880, ku paraardhës të tij i mori me vete rrjedha e Limit (!)

Gjukanoviçi lidhun me këtë rrugë në janar 2012 deklaronte se “Mali i Zi është shumë i interesuar për realizimin e këtij projekti dhe mendojmë se një ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar e BE-ja do të ishte më efikas…”. Nëse atëherë ky ishte President i DPS, tani është kryeministër i Malit të Zi po nuk ka ba astenji përpjekje për realizimin e projektit të kësaj rrugë (ndër)kombëtare, nuk ka astenji kërkesë drejtue BE-së për fonde, nuk ka asntenji planifikim në buxhetin e vitit 2013 (!)

Gjukanoviqi që hiqet si “babai i Pavarësisë” e dinë se me votat e shqiptarëve fitoi Pavarësia e Malit të Zi po në vetëdijen e tij politike raciste e don Malin e Zi pa shqiptarë (të asimilohen ose të shpërngulen). Këtë synon edhe kjo ndarje e Plavë-Gucisë në dy komuna.

2. Moszhvillimi i zonave kufitare me Shqipërinë.

Dyshja e prejkohëshme e Malit të Zi, presidenti Filip Vujanoviç e kryeministri Milo Gjukanoviç, kanë ndjekë politikën antishqiptare të principatës e mbretnisë të Krajl Nikolla I dhe të Millosheviçit “kasap i Ballkanit” për moszhvillimin e zonave përkrah kufinit me Shqipërinë siç e dëshmojnë Plavë-Gucia, Tuzi, etj.

3. Ngritja e minihidrocentralit tek pika turistike e historike e vendburimit të Gërles, tek Ujëvara e saj.

Qeveria e Malit të Zi dhe komuna e Plavë-Gucisë qysh në vitin 2010 ia dha të drejtën liçensore për ndërtimin e një minihidrocentrali tek Gerla një firme austriake, e cila erdhi kah maji 2011 po ndeshi në mosdëshirën e kundërshti të shqiptarëve autoktonë.

Në vend që Gërla të shpallej “Monument Natyre” me këtë projekt instanca qëndrore e lokale të Malit të Zi kërkojnë shkatërrimin e pasurive të tilla të rralla natyrore në këtë vend të mrekullueshëm.

4. Synimi i shtetit dhe i kishës ortodokse të Malit të Zi për ngritjen e një institucioni fetar ortodoks në Martinaj.

Në themelet e një ish-kishe ortodokse të vogël të ndërtueme më 1930 në Martinaj më 12 maj 2011 shkuan një grup priftërinj sllavë për të ba lutje, të cilët ishin të shoqëruem me policë (!)

Mali i Zi don të ngrejnë kishë ortodokse mbi truallin e një kishe ilire katolike mbi njëmijëvjeçare, mbi “kishën e Trepçës” (Martinaj) që nuk mundi ta tjetërsonte as Car Stefan Nemananja, pasi gëzonte mbrojtje nga Vatikani dhe tevona mbikëqyerje nga Perandoria Austriake, sipas mandatit të saj ndërkombëtar.

5. Ligji i ri hapësinor i Malit të Zi dëmton të drejtën e pronësisë së shqiptarëve të Plavë-Gucisë duke krijuar një Park Kombëtar me pronat e tyne, pa i marrë parasysh interesat e tyne jetike.

Projekti NP “Prokletije”, Parku Nacional, përfshin vendbanimet dhe pronat përgjatë kufirit me Republikën e Shqipërisë, duke filluar nga Vuthaj, Kukaj, Hakaj, Hot i Vendit dhe Martinaj.

6. Në fund të vitit 2011 Podgorica ka miratuar një ligj të ri zgjedhor, i cili ka eleminuar të drejtat e fituara më parë prej pakicës shqiptare në Malin e Zi duke hequr kuotën prej pesë deputetësh, që ishte parashikuar për përfaqësimin e popullsisë shqiptar .

Edhe ligji zgjedhor, i cili u miratua kohë më parë, diskriminon shqiptarët duke iu mohuar atyre edhe ato pak të drejta të fituara në vitin 1997 në parlamentin malazez.

7. Në censusin malazes të vitit 2011 diasporës shqiptare në mënyrë arbitrare iu mohua deklarimi kombëtar dhe fetar i tyre duke bërë që përqindja e popullsisë shqiptare të rezultojë më e ulët sesa është realisht.

8. Në kthimin në deponajë mbeturinash të një vendbanimi shqiptar në mes Plavës e të Gucisë, sipas një vendimi komunal, sipas një arsyetimi të papranueshëm në themelti e në zbatim.

E gjitha kjo është e dirigjueme nga qarqe të caktueme ekstremiste antishqiptare në strukturat qeverisëse në Podgoricë.

Diçka duhet ta ketë të qartë Milo Gjukanoviçi se me politiken e bizneset e tij nuk mund të ketë ndonjë vend në brigje të liqenit të Plavës edhe nëse komuna do të jetë e njësueme Plavë e Guci apo e ndame në dy komuna: Plavë dhe Guci. E patë provue dikur edhe Car Stefan Nemanja në kohën e tij po nuk ia mbrrini me ba ndonjë godinë a pronësi për vete e brezat.

Askush nuk mundet ta kthejnë Gucinë në berllok e Plavën në luks, pasi Plavë-Gucinë vetë Zoti e krijoi për të mrekullue kohnat e njerëzit e vet me pamjen natyrore e kulturën shpirtërore.

9. Akordimi i lehtësirave dhe përfitimeve të shumta për ata shqiptarë që tregoheshin të gatshëm të hiqnin dorë nga gjuha dhe historia e tyre dhe luanin politikat antishqiptare të Malit të Zi.

Edhe kësaj rradhe, shqiptarë muslimanë të “kthyem” në boshnjakë dhe ata shqiptarë katolikë të “kthyem” në malazezë ortodoksë po përdorin të gjitha lidhjet e vjetra e të reja me shqiptarë autoktonë për të sigurue pjesmarrje në votim e fitore të Referendumit për komunën e Gucisë.

10. Krijimi i kushteve të një pamundësie jetese normaliteti për Shqiptarët (moshkollimi në të gjithë trevën, papunësia në rritje, etj.) dhe inkurajimi i vazhdueshëm i shqiptarëve të Plavë-Gucisë për të emigrirue jashtë trojeve të veta etnike.

Mali i Zi që trumbeton vetëveten si “vendi më demokratik në Ballkan” etj. teksa kërkon antarësimin me të drejta të plota në BE e NATO, në këto vite të Rendit Botëror, të Demokracisë Euro-Atlantike, etj. me qëndrimet e tij antishqiptare po tregohet një nga shtetet më antidemokratike të botës.

Referendumi i 8 janarit 2013 është kulmi i Masakrës antishqiptare të kryeme nga shteti e kisha ortodokse e Malit të Zi në krahinën e Plavë-Gucisë në kohën e zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike.

Është kapuçi i zi që kapelon 10 përpjekjet e masipërme të pasoj e të pacak të Malit të Zi ndaj Shqiptarëve trojenik të Plavë-Gucisë.

Është e randë njilloj si Masakra e Previsë e vitit 1913, e kryeme nga politika kriminale e Malit të Zi 100 vjet ma parë, sepse ky Referendumi i sotëm shkelë mbi gjakun e tyne, mbi amanetin e tyre.

Masakra e 8 janarit 2013 është e tmerrshme, tragjike, e padëshirueshme, sepse kjo masakër kryhet “pa plumba”, me “mjete demokratike”, në “formë referendare”, etj., po në gjithato plane e raste i lenë autoktonët e atyshëm “ të gjallë vdektarë”(!), sepse politikat ajzberige me Referendumin të krajlnikollëve të rinj të Çetinës së vjetër kanë me i rrethatue në shënjestrën e vet antishqiptare në të gjitha lamitë: politike, etnike, fetare, ekonomike, kulturore për t’ua marrë identitetin, tokën, jetën.

Kjo masakër do të jetë beteja e fundit e papërfundueme e Malit të Zi (shtetit e kishës së tij) ndaj shqiptarëve trojenik të krahinës së Plavë-Gucisë, ashtu siç vepruan me Velikën, ashtu siç vepërtuen me Andrijavicën.