Entuziazmi i turmave

Ndue UKAJ

Entuziazmi i turmave kurrë s’ ka qenë e as s’ do të jetë i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore dhe as për demokracinë.

Ky entuziazëm u shërben vetëm udhëheqësve egoistë, të cilët me çdo kush duan të fitojnë atë që Milan Kundera e quan pavdekësi ose ngarendja për të hyrë më çdo kusht në tempullin e famës. Dhe turmat përdoren vetëm për këtë qëllim, sepse ato hapin dyert për liderë të pjerdhur, i vendosin në buste, në frone të larta, por edhe i pështyjnë dhe i gjuajnë me gurë.

Historia tregon se ky tempull nuk i hap dyert lehtë për udhëheqës të çfarëdoshëm, sterilë në mendje e që llomotitin parulla, por është i rezervuar për ata me vyrtyte të larta e fisnike.

Ky tempull, pra, u përket atye  mendjeve kreative që botës i japin vlera fisnike dhe e pasurojnë njerëzimin me vlera të reja. Jo atyre që llomotitin dhe u nënshtrohen kriterit të turmave.

Entuziazmi i turmave sjell në fron mendësinë e turmave.

Shoqëritë e brishta e pa traditë, si kjo e jona, më së paku kanë nevojë për teste të tilla.

Prandaj një udhëheqës i mençur dhe që e do të vërtetën kurrë s’ bën politikë për t’ i përndezë turmat e militantët e verbuar.

Sepse dihet: turmat janë të gatshme për herë që të shërbejnë me zell dhe të stimulojnë dashurinë për liderin dhe atë pa kurrfarë kriteri.