Beograd, 23 korrik 2021 – Gjykata e Lartë në Beograd ka vendosur t’I lirojë nga paraburgimi 10 programerë nga Nishi, të cilët akuzohen për mashtrim financiar digjital me vlerë prej mbi 70 milionë dollarësh, raporton “Danas”.
Avokati i disa prej të akuzuarve, Milan Petroviq, ka thënë se, në vazhdim të procedurës, të gjithë të akuzuarit do të mbrohen në liri.
Ky vendim i Gjykatës së Lartë të Beogradit vjen pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg që procesi i ekstradimit të 10 shtetasve të Serbisë në SHBA “të pushojë” së paku deri më 16 gusht, kur pritet që kjo gjykatë të vendosë përfundimisht nëse ekstradimi përbën shkelje të te drejtave të njeriut.
Sipas avokatit Petroviq, vendimi përfundimtar për estradimin e tyre në SHBA duhet të merret nga Ministrja e Drejtësisë e Serbisë, e cila duhet ta presë vendimin e Gjykatës së Strasburgut.
“Ministrja e Drejtësisë, para se të marrë vendimin përfundimtar për ekstradim, do të duhej të priste vendimin e Gjykatës Evropiane të Strasburgut, i cili duhet të ketë prioritet karshi narrëveshjes për estradim midis Serbisë dhe SHBA-së.
11 programerët serbë, disa prej të cilëve janë edhe shtetas të Australisë, Filipineve,Bullgarisë dhe Malit të Zi, janë arrestuar më 23 korrik të vitit të kaluar në Nish të Serbisë, në një aksion të kryer nga Policia e Serbisë në bashkëpunim me FBI-në amerikane.
Ata akuzohen nga organet e drejtësisë në SHBA se prej vitit 2011, si grup i organizuar kriminal, i kanë krijuar 16 platforma të rreme investive, gjegjësisht portale brikerësh, përmes të cilave u kanë shitur aksione fiktive të kompanive dhe paratë e investitorëve i kanë derdhur në llogaritë e tyre bankare. Ata kanë komunikuar me investitorë përmes internetit ose videokonferencave, duke përdorur identitete dhe tituj të rremë dhe kanë lëshuar dokumente të rreme për blerjen e aksioneve dhe transferimin e parave.
Viktima të këtyre 11 shtetasve serbë kanë qenë investitorë nga mbarë bota, por shumica e tyre janë nga SHBA.
Prokuria Federale në shtetin e Teksasit i ngarkon të akuzuarit për mashtrim financiar dhe për pastrim parash.
Të gjithë të akuzuarit e kanë mohuar akuzën, duke thënë se kanë vepruar në mënyrë legale si ndërmjetës të personave të tretë dhe senuk kanë ditur se ku kanë përfunduar paratë e investitorëve.
Njëri prej tyre është ekstraduar në SHBA me kërkesë të tij dhe procesi kundër tij është në fazën përfundimtare.
Në SHBA, të akuzuarit mund të dënohen me nga 20 vjet burg për secilën akuzë, veç e veç, ose me burgim të përjetshëm, si dënim kumulativ. Në Serbi dënimi më i lartë për vepra të tilla penale është 10 vjet burgim.
(r.m.)