Prishtinë / Sllavonski Brod (Kroaci), 27 korrik 2021 – Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar të martën për lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksidentin me autobus të një kompanie nga Kosova, të dielën, në Sllavonski Brod të Kroacisë.
Mehaj ka hënë se 15 persona janë duke u trajtuar ende, prej të cilëve njëri është ende në gjendje të rëndë.
Mehaj ka thënë se të liruarve nga spitali dhe pjesës tjetër të udhëtarëve të autobusit të aksidentuar do t’u sigurohet transporti përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut.
“Atasheu ynë, kolonel Hoxha gjatë tërë kohës ka qenë në angazhim të plotë dhe vazhdimisht më ka njoftuar mbi procesin e menaxhimit të rrethanave të krijuara pas tragjedisë.
Deri tash 26 nga të lënduarit janë liruar, kurse 15 janë ende në trajtim në spital nga të cilët vetëm një është në gjendje të rëndë.
Të liruarëve dhe pjesës që do të lirohet së shpejti nga spitali do t’i ofrohet akomodimi dhe transporti për vendlindje përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
“Deri në fund, do të jemi pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre dhe tanë si dhe pranë të lënduarve. Ky është misioni ynë dhe kjo është detyra jonë”, ka theksuar ai.
Ministri Mehaj i ka falënderuar autoritetet kroate që, siç ka shkruar, ” bënë më të mirën për të menaxhuar këtë tragjedi që e ndjenë të përbashkët”.
Në aksidentin e së dielës në afërsin të Sllavonski Brodit, në Kroaci, kanë vdekur 10 persona dhe janë plagosur 43 të tjerë.
Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë. Njëri shofer ka vdekur, ndërsa tjetri, i cili e ka drejtuar autobusin në momentin e aksidentit i është caktuar masa e sigurisë paraburgim prej 30 ditësh.
Autoritetet kroate kanë thënë se ekziston dyshim i bazuar se shoferi 52-vjeçar, “në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt”, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme nga cepi i rrugës dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar. Për pasojë, autobusi është përmbysur anës rrugës.
Zëvendës-Prokurori i Shtetit për qarkun e Sllavonski Brodit, Franjo Kopuniq, ka thënë se shoferi i dyshuar është mbrojtur në heshtje.
I pyetur se pse shoferi në deklaratën paraprake ka thënë se ishte i lodhur dhe i paaftë për të drejtuar automjetin dhe pastaj është mbrojtur në heshtje gjatë marrjes në pyetje, Kopuniq ka thënë se kjo gjë ka rezultuar nga mënyra në të cilën ishte kryer vepra, gjurmët e gomave dhe të gjitha rrethanat e tjera.
(r.m.)