Çamët: Greqia destabilizon Ballkanin me deklarimin njëanshëm në OKB të kufijve detarë
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e njohur në Shqipëri si “partia e çamëve” e quajti “të papranueshëm” dhe “dëmtues” qëndrimin e Greqisë për njohjen njëanshmërisht të kufijve detarë me Shqipërinë dhe me fqinjë të tjerë. Në një deklaratë lëshuar mbrëmjen e së enjtes, PDIU e kryetarit Shpëtim Idrizi thotë se me këtë veprim që do të dërgohet për shqyrtim në Kombet e Bashkuara, Greqia rëndon gjendjen me të gjitha vendet fqinje. Sipas PDIU-së, deklarimi i njëanshëm prodhon destabilizim në Ballkan. Mbi këtë, PDIU thekson se po ndjek me vëmendje atë që e quan si “sjelljen e papranueshme të Greqisë”, andaj i kërkon njëkohësisht qeverisë që të paralajmërojë vendin fqinjë, duke gjykuar se “deklarata e njëanshme e kufijve detarë, dëmton marrëdhëniet dypalëshe”. Po ashtu PDIU kërkon që Shqipëria t’i kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë Greqisë, së cilës njëkohësisht i ofron arsyetimin për dialog mbi çështjen çame dhe për kufijtë detarë. “Dialogu pa kushte paraprake është zgjidhja e vetme”-thuhet në deklaratë.
Sipas PDIU-së, çështja e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk zgjidhet nëpërmjet deklaratës së njëanshme të palës greke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por është krejt e kundërta, sepse Greqia rëndon gjendjen me të gjitha vendet e saj fqinje. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm diplomatik për të paralajmëruar Greqinë se një veprim i saj i njëanshëm do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të detyronte Shqipërinë të kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë. Greqia, po tregon se është në panik, duke krijuar armiq në të gjithë Ballkanin”-thuhet deklaratën e lëshuar pikërisht në 10 janar, ditën e 22-vjetorit të themelimit të Shoqërisë Politike-Atdhetare “Çamëria” me kryetarin e askohoshëm Abaz Dojaka, ish-kryetar i Akademisë së Shknecave. Sipas PDIU-së, me këtë veprim Greqia shkon më tej drejt vetëizolimit, duke u kthyer në vatër destabiliteti në Ballkan. “PDIU i bën thirrje Greqisë që të ulet dhe të dialogojë pa kushte paraprake për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame, zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kufijve detarë dhe të çdo çështje tjetër të hapur mes dy vendeve. Kjo është rruga e vetme për një fqinjësi të mirë”-përfundon deklarata e PDIU-së.