Lufta kundër krimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave bashkoi qeveritë e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Katër ministra dhe prokurori i përgjithshëm nënshkruan dje në Tiranë memorandumin e bashkëpunimit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të organizatave kriminale.
Për dy ditë me radhë Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla kishte vërejtur me shqetësim se paratë e paligjshme që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, dyshohet se përdoren për të korruptuar pikërisht organet e heitmit kundër tij.
Zoti Llalla deklaroi të enjten në Tiranë se lufta kundër korrupsionit brenda prokurorisë është përparësi e punës së tij. Ai urdhëroi kontrollin e plotë të disa prokurorive në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Kontrolli synon vërtetimin e kryerjes me transparencë të plotë të detyrave të prokurorëve. Kryeprokurori Llalla theksoi se vërehet që krimi korrupton organet që e luftojnë atë: “Ka mënyra dhe mjete që dëshmojnë se krimi i organizuar tashmë ka arritur nivele, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar nga ana institucionale. Shqipëria është një vend i hapur dhe mundësia për të kryer transaksione në vlerë më të mëdha monetare, janë të shumta”.
Po të enjten, kryprokurori Adriatik Llalla vendosi shtimin me gjashtë inspektorë të Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Vendimi i zotit Llalla është i dyti në dy ditë, pas kthimit në punë të gjashtë prokurorëve që kishin fituar të drejtën pas shkakrimit në procese gjyqësore në tre vjetët e fundit.
Shqetësimi i zotit Llalla ishte shprehur qartë të mërkurën në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumin e Bashkëpunimit me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, mes Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Prokurorisë së Përgjithshme (për konfiskimin e parave të krimit dhe luftën kundër pastrimit të parave). Memorandumi përcakton detyrat që duhet të përmbushë çdo agjenci për sekuestrimin e pasurive dhe pastrimit të parave. Prokurori i Përgjithshëm, Llalla vërejti problematikën që ka hasur në ditët e para të tij në detyrë: “Pasuri të krijuara në mënyrë të paligjshme ka dyshim se përdoren për të korruptuar organet e zbatimit të ligjit, që ndjekin hetimet e këtij lloj aktiviteti kriminal”.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e vlerësoi memorandumin si dëshmi të bashkëpunimit të frytshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Zoti Arvizu theksoi se memorandumi është hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe pastrimit të parave: “Së pari, kriminelët nuk duhet të lejohen të përfitojnë prej krimeve të tyre. Prokurori duhet të bëjë çdo përpjekje për të sekuestruar përfitimet e fituara në mënyrë të paligjshme nga të pandehurit. Së dyti, sekuestrimi i përfitimeve prej krimit ndihmon në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme nga kriminelët. Dhe së treti, kur një qeveri është e aftë të konfiskojë pasuri, atëherë kjo në fund fare shërben për zbatimin e ligjit”.
Kurse, kryeministri Sali Berisha, tha se beson që Prokuroria e Përgjithshme do të lartësojë luftën kundër krimit. Zoti Berisha, i cili nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, foli në mbledhjen e qeverisë: “Burimi kryesor i mbështetjes dhe ekzistencës së terrorizmit ndërkombëtar, financiar është larja e parave. Institucioni i akuzës, institucionet e zbatimit të ligjit, do të ngrenë në nivel të ri luftën kundër larjes së parave”.
Katër ministritë që firmosën referendumin për qeverinë ishin ajo e Brendshme, e Drejtësisë, e Financave dhe e Punëve Publike dhe Transportit.