Uashington, 28 korrik 2021 – Pentagoni dhe ligjvënësit republikanë shprehën shqetësime të reja të martën në lidhje me forcimin e arsenalit bërthamor të Kinës pas një raporti të ri që thotë se Pekini po ndërtonte 110 objekte të reja të nëndheshme për mbajtjen dhe lëshimin e raketave.
Një raport i Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë të hënën tha se imazhet satelitore tregonin se Kina po ndërton një fushë të re për lëshimin e raketave pranë rajonit të Hamit në pjesën lindore të rajonit të Xinjiangut.
Raporti vjenë një javë pas njoftimit për ndërtimin e rreth 120 strukturave të ngjashme raketore në Yumen, një zonë shkretëtire rreth 380 kilometra në juglindje.
“Kjo është hera e dytë në dy muaj që publiku zbulon atë që ne kemi thënë gjatë gjithë kohës në lidhje me kërcënimin në rritje me të cilën përballet bota dhe vellon e sekretit që e rrethon atë”, tha Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara në një postim në Twitter lidhur me një artikull të gazetës New York Times mbi raportin e Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.
This is the second time in two months the public has discovered what we have been saying all along about the growing threat the world faces and the veil of secrecy that surrounds it.https://t.co/OTFkP14H5o
— United States Strategic Command (@US_STRATCOM) July 27, 2021
Departamenti i Shtetit në fillim të korrikut e quajti shtimin e arsenalit bërthamor të Kinës një zhvillim shqetësues dhe tha se Pekini po devijonte nga dekadat e strategjisë bërthamore të bazuar në parimin e mbajtjes së një numri minimal raketash për të frenuar një sulm të mundshëm nga një palë kundërshtare. Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kinës që të angazhohet në ndërmarrjen e “masave praktike për të zvogëluar rreziqet e destabilizimit nga konkurrenca e armëve”.
Ligjvënësi republikan Mike Turner, anëtar i Nënkomisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se rritja e arsenalit bërthamor të Kinës është e pashembullt dhe e bëri të qartë se “dislokimi i armëve bërthamore ka për synim të kërcënojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”.
Ai tha se refuzimi i Kinës për të negociuar mbi kontrollin e armëve “duhet të jetë një arsye për shqetësim dhe duhet dënuar nga të gjitha vendet e ndërgjegjshme”.
Një tjetër republikan, Mike Rogers, anëtar i Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se rritja e arsenalit bërthamor kinez tregon nevojën për modernizimin e shpejtë bërthamor të Shteteve të Bashkuara për të frenuar kërcënimin nga Kina.
Një raport i Pentagonit i vitit 2020 vlerësonte se rezervat e raketave me mbushje bërthamore të Kinës ishin në rreth 200 dhe se numri i tyre të paktën do të dyfishohej ndërsa Pekini po intensifikon përpjekjet për modernizimin e tij ushtarak. Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara kanë rreth 3,800 mbushje bërthamore dhe sipas një raporti të Departamentit të Shtetit nga 1 marsi i këtij viti, 1,357 prej tyre janë tashmë të dislokuara.
Uashingtoni i ka bërë thirrje vazhdimisht Kinës që t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në një traktat të ri për kontrollin e armëve.
Raporti mbi strukturat e reja bërthamore vjen ndërsa Ndihmës Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman do të zhvillojë bisedime me Rusinë për kontrollin e armëve në Gjenevë të mërkurën.
Zonja Sherman ishte në Kinë në fillim të kësaj jave për bisedime në të cilat Pekini akuzoi Uashingtonin për krijimin e një “armiku imagjinar” për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme dhe për të shtypur Kinën.
Pekini thotë se arsenali i tij është i dobët krahasuar me atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë dhe se është i gatshëm të zhvillojë dialog dypalësh për sigurinë strategjike “mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë”.
(Zëri i Amerikës)