Shkup, 29 korrik 2021 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.
Ata janë takuar të enjten në Shkup, në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, por edhe asaj që deri tani njihej si “mini-Shengeni” ballkanik, i cili pritet të marrë një emër të ri.
“Ne jemi këtu për të ardhmen. Çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje të së shkuarës si zgjidhje drejt të së ardhmes. Të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Unë nuk e kuptoj Malin e Zi për çka mendohet. Mendohet se si të zgjidhë problemin me krahun e punës, duke qëndruar i mbyllur ndaj kësaj nisme, që është një problem serioz për të gjitha vendet, por që në Mal të Zi është bërë një problem shumë i madh. Po Bosnja për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjnë maksimumin në këtë proces për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, ka shtuar Rama.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij, ka thënë se bashkëpunimi është mundësia e vetme për zhvillimin e rajonit dhe ka shtuar se nuk kanë pretendime që një shtet apo një tjetër do të fitojë më shumë apo se Serbia do të fitojë më shumë se vendet tjera, për shkak të madhësisë si shtet.
“Ajo që në po bëjmë ka për qëllim të tregojmë se të kaluarën mund ta lëmë pas nesh, të shohim drejt së ardhmes, para se gjithash në ngritjen e standardit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Nga kjo mund të ketë vetëm se përfitime e assesi dëme. Kjo nismë nuk është e orientuar kundër askujt, por drejt qëllimit që qytetarët tanë të bëjnë një jetë më të mirë. Nuk ka gjë më të shenjtë se kjo”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka paralajmëruar se nga janari i vitit 2023 nuk do të ketë kufij mes shteteve ose do të ketë kufij, por jo ndalesa për qytetarët e tri shteteve.
Apel për t’iu bashkuar nismës ka bërë edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
“Ne edhe njëherë i ftojmë edhe inkuarajomë edhe kolegët tjerë që të na bashkohen për shkak të popujve tanë. Të gjithë ne jemi Ballkan, të gjithë jemi ballkani evropian”, ka deklaruar Zaev.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi ekonomik dhe lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave është mundësia e vetme që ky rajon të ketë të ardhme.
“Dua t’ju bind se vullneti ynë politik i presidentit Vuçiq, i kryeministrit Rama dhe i imi është shprehje e përkushtimit tonë maksimal, për sigurimin e të gjitha kushteve që varen nga qeveritë e tre vendeve tona, për bashkëpunim rajonal efikas dhe efektiv. Ky është një vullnet i fuqishëm dhe vendosmëri për të mirën e popujve tanë për lidhjen dhe zhvillimin e ekonomive tona, për ndërtimin e një ekonomie të përbashkët, për zhvillimin e rajonit, për jetë më të mire të çdonjërit prej nesh. Po lidhemi ekonomikisht që popujt tanë një orë e më parë, të ndiejnë përfitimet ekonomike nga lehtësimet që po i bëjmë. Presim që kjo shumë shpejt të reflektohet në buxhetet tona dhe në jetën e standardin e miliona njerëzve që jetojnë në këtë pjesë të rajonit”, ka deklaruar Zaev.
Ai ka theksuar se e gjithë kjo do të çojë në relaksimin e raporteve mes shteteve në rajon.
“Është një proces autentik i këtyre vendeve që mbeten të hapura dhe për vendet tjera”, ka thënë Zaev.
Në takimin e liderëve të tri vendeve të rajonit nuk morën pjesë liderët e Kosovës, Malit të Zi dhe Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kundërshtuar ashpër nismën për krijimin e “mini-Shengenit” ballkanik. Ai ka thënë se vendet e rajonit duhet të fokusohen në agjendën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo në nisma që, sipas tij, janë të dëmshme për shqiptarët.
Liderët e Maqrdonidë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të Forumit të Shkupit, i kanë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave si edhe forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.
Marrëveshja parasheh ndërtimin e “korsive të shpejta” për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit, në pikat kufitare. Ajo përmban edhe dispozita për thjeshtimin e formaliteteve për importin, eksportin dhe transportin e mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve tjera kompetente, si ehe dispozita të veçanta për sigurinë e ushqimit, për certifikatat veterinare dhe fitosanitare dhe për lëvizjen e lirë të produkteve industriale joushqimore.
Marrëveshja e Bashkëpunimit për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i mirëkuptimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor dalin nga Nisma për bashkëpunim të avancuar ekonomik rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Dokumentet paraqesin funksionalizimin e iniciativës për të përmirësuar kushtet për shkëmbimin e mallrave dhe të shërbimeve, si edhe nismës për bashkëpunim mes vendeve në drejtim të mbrojtjes dhe shpëtimit nga katastrofat.
Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, i ka mbledhur shumë se 300 kompani nga këto tri vende dhe nga vende tjera të rajonit, por edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, botës akademike dhe asociacioneve ndërkombëtare.
Në kuadër të forumit janë mbajtur edhe takime të shumta të biznesmenëve nga rajoni, ku janë shkëmbyer pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
(Ramadan Muçolli, sipas REL dhe “Danas”)