Prishtinë, 29 korrik 2021 – Qeveria e Kosovës e ka kundërshuar fuqishëm edhe një herë nismën për bashkëpunim rajonal “mini-Shengen”, e cila është ripagëzuar “Ballkani i Hapur” (Open Balkan).
Zyra për media e Qeverisë së Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, e ka përsëritur qëndrimin tashmë të njohur kundër kësaj nisme.
Në deklaratë thuhet se kjo nismë, e cila ishte inicuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Novi Sad, është “nismë pa vision për rajonin”.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe, si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore), sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë pjesë në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal që u mbajt në Shkup.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u kanë bërë thirrje vendeve tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës për “mini-Shengenin” që prej sot dotë quhet “Ballkani i Hapur”.
Ideja për “mini-Shengenin” ballkanik u prezantua për herë të parë në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor të vitit 2019, në takimin e liderëve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si nikoqir i takimit të sotëm, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.
“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Zaev.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar fuqishëm nismën për “mini-Shengenin”ballkanik”. Si ka thënë se rajoni duhet t’i kthehet axhendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që ai i quan “të dëmshme për shqiptarët”.
Mesazhe në drejtim të kryeministrit Kurti ka dërguar nga Shkupi edhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama.
“Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, jeton në një botë tjetër. E para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve. Dhe, e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e Madhe. Nëse Bashkimi Evropian është Jugosllavi e Madhe, kjo (mini-Shengeni) është Jugosllavi e Vogël”, ka thënë Rama.
Bashkimi i Kosovës në zonën e “mini-Shengenit” ballkanik parashihet edhe në marreveshjen e nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpine e Bardhë në Uashington, nga ish-kryeminsitri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
(r.m.)