Beograd, 30 korrik 2021 – Kosova, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Beogradi zyrtar, shërben si një prej lidhjeve kryesore të Serbisë me shumë regjime jodemokratike në të gjithë botën. Shumë prej tyre – sikurse Bjellorusia, Kina, Azerbajxhani ose Irani – sipas raporteve përkatëse ndërkombëtare, janë ato që shkelin të drejtat e njeriut, ngufasin liritë e mediave dhe zbatojnë represion ndaj atyre që kanë mendim ndryshe.
Në këmbim të mbështetjes ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, Serbia qëndron anash kur vendet perëndimore u përgjigjen veprimeve të regjimeve jodemokratike me deklarata, rezoluta dhe sanksione.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB), 92 shtete e njohin Kosovën, 96 nuk e njohin dhe pesë shtete janë në një “pozicion fluid”, gjë që, siç shpjegojnë, do të thotë se ato shtete “kryesisht e njohin por nuk votojnë më për Kosovën”.
Këto të dhëna janë kontestuar nga Kosova dhe numri i shteteve që e kanë njohur dhe atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është edhe një çështje më shumë, rreth të cilës të dyja vendet nuk pajtohen.
Rasti i Kubës
Në një takim me ambasadorin e Kubës, Gustavo Trista del Tod, më 28 korrik në Beograd, ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin falënderoi Kubën për mbështetjen e saj për Serbinë “lidhur me ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial” dhe qëndrimin e saj të vendosur për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.
Sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme e Serbisë, Vulin e falënderoi ambasadorin kuban edhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Gjithashtu, Vulin theksoi se Serbia “e mbështet të drejtën e Kubës për të marrë vendime në mënyrë të pavarur dhe për të rregulluar politikën e saj pa ndërhyrjen e të tjerëve në punët e saj të brendshme”.
Deklarata i referohet protestave aktuale antiqeveritare që shpërthyen në Kubë, në korrik, për shkak të mungesës së ushqimit dhe ilaçeve, rritjes së çmimeve dhe menaxhimit të vendit gjatë pandemisë prej COVID-19.
Qindra njerëz janë arrestuar në të gjithë vendin që nga fillimi i trazirave dhe autoritetet e atjeshme gjithashtu kanë raportuar si pasoja edhe raste vdekjesh.
Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel i quajti protestuesit “kundërrevolucionarë” dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij që t’i kundërshtojnë protestuesit.
Qeveria e tij fajëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sanksionet e saj ekonomike për protestat në Kubë dhe për probleme në përgjithësi.
Me rastin e këtyre ngjarjeve, presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se “Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin e Kubës në kërkim të lirisë së tyre”.
Më 22 korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarit të lartë kuban të sigurisë dhe të njësisë së forcave speciale të Ministrisë së Brendshme, për shkak të, siç thuhet, shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë shtypjes së protestave anti-qeveritare.
Pas vendosjes së sanksioneve, Biden tha se ky ishte hapi i parë i përgjigjes amerikane.
Shtetet e Bashkuara dhe 20 vende të tjera, nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 25 korrik, duke dënuar burgosjet dhe arrestimet masive të protestuesve në Kubë, si dhe i bënë thirrje qeverisë së atjeshme, të respektojë të drejtat dhe liritë universale të popullit kuban, përfshirë qarkullimin e lirë të informacionit për të gjithë kubanët.
Deklarata u nënshkrua, ndër të tjera, nga përfaqësues të Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Polonisë, Ukrainës, Greqisë, Austrisë dhe Brazilit. Serbia nuk është në atë listë.
Bashkëpunim i intensifikuar me Iranin
Zyrtarët serbë dhe iranianë kanë intensifikuar takimet vitet e fundit, duke shprehur gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Kjo u tha sërish nga kryetari i Kuvendit të Sebisë, Ivica Daçiq, në takimin me ambasadorin iranian Rashid Hassan Pouri, në Beograd, më 26 qershor.
Me atë rast, Daçiqi paralajmëroi se si i dërguar i presidentit të Serbisë, do të merrte pjesë në përurimin e presidentit të sapozgjedhur të Iranit, Sejid Ebrahim Reisi Sadat.
Përgjat shtatë muajve të këtij viti, përveç kryetarit të Kuvendit të Serbisë, me ambasadorin e Iranit në Serbi janë takuar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq, si dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.
Në deklaratat që kanë lëshuar pas takimeve, ata kanë shprehur falënderimet e tyre ndaj Iranit për “qëndrimin parimor ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, si dhe “për mbështetjen në çështjet ndërkombëtare”.
Pas takimit më 18 prill, Selakoviq tha se “Irani e mbështet Serbinë në përpjekjet e saj për të ndaluar Prishtinën kur ajo interesohet të bëhet anëtare e disa organizatave ndërkombëtare”.
Irani, tash e disa vite, është përballur me kritika nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut kundër qytetarëve të vet.
Megjithatë, lidhur me këto, zyrtarët e Serbisë asnjëherë nuk kanë bërë publikisht kritika në adresë të Teheranit.
Mbështetja për Kinën
“Serbia ka një përvojë shumë pozitive në bashkëpunimin ekonomik me Kinën dhe synon t’i forcojë lidhjet politike, ekonomike dhe kulturore me atë vend”, ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq në fillim të korrikut, duke folur në një samit online, me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës.
Vetëm disa ditë më parë, Vuçiç njoftoi se në një bisedë telefonike me presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, mori premtimin se kreu i vendit më të populluar në botë, do ta vizitojë Serbinë, “ kah fundi i vitit ose në fillimi i vitit të ardhshëm”.
Në mars të këtij viti, ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, Wei Fenghe, vizitoi Serbinë, gjë që siç ka thënë Vuçiq, ishte një konfirmim tjetër i “miqësisë së çeliktë dhe partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis Serbisë dhe Kinës”.
“Miqësinë e çeliktë”, Serbia e bazon në në projektet infrastrukturor, bashkëpunimin ushtarak dhe mjekësor, që u intensifikuan gjatë pandemisë së koronavirusit, por edhe në mbështetjen që Pekini i jep politikës së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.
“Kina është një nga mbështetësit tonë kryesorë në luftën për Kosovën”, ka thënë ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq, më 21 maj, në bisedën me ambasadorin kinez në Serbi, Chen Bo.
Në këmbim, Serbia në institucionet ndërkombëtare qëndron pranë Kinës, të cilën fuqitë perëndimore e kritikojnë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtypjen e pakicave.
Në korrik të vitit 2020, Serbia mbështeti deklaratën, e cila shkeljen e të drejtave njerëzore dhe të pakicave të ujgurëve në provincën kineze Ksinjiang, e definonte si “luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”.
Nga gjithsej 46 nënshkrues, Serbia është i vetmi vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), por që e ka mbështetur politikat dhe lëvizjet e Kinës në Ksinjiang.
Në krahinën autonome kineze Ksinjiang, jetojnë rreth 25 milionë njerëz dhe më shumë se gjysma e tyre janë kryesisht të grupeve të pakicës etnike myslimane.
Grupi më i madh është populli turk Ujgurët, të cilët për nga pamja, gjuha dhe kultura janë më të afërt me popujt e Azisë Qendrore, se ma me kinezët Han, të cilët janë grupi etnik më dominues në Kinë.
Ujgurët, së bashku me pakicat e tjera myslimane, siç janë kazakët ose kirgizët, janë bërë cak i autoriteteve kineze për t’i dërguar në “kampe riedukimi”, sepse feja e tyre konsiderohet një kërcënim për shtetin kinez dhe komunizmin.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia mbështet politikat dhe lëvizjet e Kinës, të cilat dënohen nga bashkësia ndërkombëtare.
Me rastin e miratimit të Ligjit Kinez të Sigurisë Kombëtare për Hong Kongun, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 qershor, i dërgoi një letër presidentit kinez Xi Jinping në të cilën, ai deklaroi se “Serbia e mbështet me vendosmëri sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare të Kinës”.
Bëhet fjalë për ligjin, për të cilin vendet perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paralajmërojnë se shkelë shkallën e lartë të autonomisë së Hong Kongut, e cila iu garantua qytetit kur kaloi nën administrimin kinez, më 1 korrik 1997.
Mbështetjen për politikën e jashtme kineze, zyrtarët e Serbisë e kanë shprehur edhe në shtator të vitit 2020, kur drejtuan reagime të ashpra ndaj gazetës “Danas” në Beograd, e cila publikoi një tekst autorial të ministrit të Punëve të Jashtme të Tajvanit, Joseph Wu.
Në tekstin e titulluar “Tajvani mund të ndihmojë botën që të shërohet nga virusi”, Joseph Wu shkruan për pamundësitë e Tajvani, që në kohë krize “të marrë pjesë dhe të shkëmbejë përvojat brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara”, për shkak të kundërshtimit të Kinës, e cila, si shumica e shteteve anëtare të OKB -së, Tajvanin e konsideron si një nga provincat e Kinës.
Në deklaratën e saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, vlerësoi se “publikimi i teksteve të tilla dëmton reputacionin dhe pozicionin e politikës së jashtme të Republikës së Serbisë”.
Statusi i Tajvanit paraqet “vijën e kuqe” për Pekinin sepse, ashtu sikurse edhe Hong Kongun, e konsideron atë “çështje të brendshme” të saj.
Kina dhe Tajvani kanë qeveri të ndara që nga përfundimi i luftës civile më 1949, por Pekini është përpjekur prej kohësh që t’i kufizojë Tajvanit aktivitetet ndërkombëtare.
Rusia kundërshton shprehimisht pavarësinë e Kosovës
Mbështetja e Federatës Ruse për Serbinë në çështjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, është një nga adutet, të cilën Beogradi zyrtar shpesh e vë në dukje. Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të duhej sjellë deri te një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Kremlini është një nga “mbështetjet” më të forta të Serbisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku raporton çdo gjashtë muaj mbi punën e Misionit të OKB -së në Kosovë (UNMIK).
Deklarata e Aleksandar Vuçiqit, e dhënë gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Serbi, në janar 2019, se ai do të konsultohet me kolegun e tij rus për çdo zgjidhje në lidhje me Kosovën, dëshmon gjithashtu se sa fuqishëm Serbia llogaritë në mbështetjen e Rusisë.
“Pa Rusinë, por edhe për shkak të forcës së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, është e qartë se nuk do të ketë zgjidhje pa Rusinë. Para çdo zgjidhjeje, unë do të konsultohem me presidentin Putin”, tha Vuçiq.
Njëkohësisht, Serbia i jep mbështetje Rusisë në organizatat ndërkombëtare për çështjen e gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Beogradi ka votuar disa herë kundër rezolutave në Kombet e Bashkuara, që dënojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në Krime dhe ku Rusia theksohet si një “forcë pushtuese”.
I tillë ishte rasti më 2019 dhe më 2017.
Serbia gjithashtu refuzon t’i bashkohet sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë.
Brukseli pret nga Serbia që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë evropiane, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Bjellorusia mbështetet në Serbinë
“Ne i shikojmë ngjarjet botërore në mënyrë të ngjashme dhe mbështesim integritetin territorial të Serbisë. Ne llogarisim në mbështetjen e Serbisë për çështjet parimore për ne”. Me këto fjalë, Aleksandër Lukashenko, që tash e disa dekada është president i Bjellorusisë, iu drejtua publikut në Serbi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd në fund të vitit 2019.
Kolegu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, po ashtu nuk kurseu fjalët e bukura në llogari të Lukashenkos.
“Që kur presidenti Lukashenko është në ballë të Biellorusisë, nuk ka ndodhur kurrë që Bjellorusia të votojë në dëm të Serbisë”, tha Vuçiq.
Bashkimi Evropian ka vendosur disa herë me radhë sanksione ndaj zyrtarëve dhe kompanive bjelloruse, si përgjigje ndaj masave represive të regjimit kundër mbështetësve dhe gazetarëve të opozitës.
Shkasi i fundit për këtë ishte vendimi i qeverisë në Minsk, për të ulur një aeroplan pasagjerësh, më 24 maj dhe për të arrestuar gazetarin bjellorus Raman Protashevich.
Në muajin qershor, Bashkimi Evropian miratoi një deklaratë të përbashkët duke dënuar aktin dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të Protashevichit, si dhe ka miratuar një hetim ndërkombëtar mbi incidentin.
Deklaratës iu bashkua edhe Serbia, por Beogradi vetëm pjesërisht i respektoi sanksionet që BE-ja i vendosi ndaj Bjellorusisë.
Përfaqësuesit serbë nuk i mbështetën masat ndëshkuese të Këshillit të BE-së ndaj 78 qytetarëve bjellorusë dhe shtatë entiteve, por nënshkrimet e tyre i vunë në vendimin për të sanksionuar kompaninë bjelloruse të kontrollit të trafikut ajror. Njëkohësisht, Ushtria Serbe mori pjesë në stërvitjen trepalëshe “Vëllazëria Sllave 2021”, së bashku me Rusinë dhe Bjellorusinë, gjë të cilën BE-ja e kritikoi.
Serbia gjithashtu nënshkroi deklaratën e BE-së për Bjellorusinë, në fund të gushtit të vitit 2020, në një kohë kur ai vend po përballej me protesta masive qytetare, pasi që Lukashenko shpalli fitoren në zgjedhjet e mbajtura në gusht, për mandatin e gjashtë si president.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë refuzuar të njohin Lukashenko, si president legjitim të Bjellorusisë.
Në deklaratën e nënshkruar nga Serbia, thuhet që qytetarët e Bjellorusisë “treguan dëshirën për ndryshime demokratike” gjatë fushatës elektorale, por që zgjedhjet presidenciale “nuk ishin as të lira dhe as të drejta”.
Megjithatë, pas kësaj, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi se shpresonte që presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, “nuk do ta fajësonte” Serbinë.
Azerbajxhani dhe mbështetja e ndërsjellë
Ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq, gjatë vizitës së tij zyrtare në Azerbajxhan, në fund të korrikut, ku u takua me zyrtarë të atjeshëm, në veçanti theksoi se “të dy vendet janë të përkushtuara që të respektojnë parimet e së drejtës ndërkombëtare, si dhe të ofrojnë mbështetje reciproke për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit”.
Sipas një deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, gjatë takimit me homologun e tij të Azerbajxhanit, Ceyhun Bajramov, Selakoviqi e falënderoi për “qëndrimin parimor dhe të qartë të Azerbajxhanit kur bëhet fjalë për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, si dhe mirëkuptimin dhe mbështetjen në organizatat ndërkombëtare”.
Organizata Human Rights Watch (HRW), në raportin e saj të fundit, shkruan që regjimi në Azerbajxhan është përgjegjës për mbytjen e lirive të mediave dhe ushtrimin e presionit mbi OJQ -të.
Në shkurt të vitit të kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se autoritetet azerbajxhanase e mbajtën gazetaren hulumtuese Khadija Ismayilova në burg, që nga viti 2014 e deri në vitin 2016, në mënyrë që ta heshtnin dhe ndëshkonin atë.
Një muaj më vonë, një gjykatë në Baku, papritur urdhëroi lirimin e parakohshëm të gazetarit hulumtues Afgan Mukhtarli dhe e lejoi atë të bashkohej me familjen jashtë vendit. Mukhtarli ka kryer gjysmën e dënimit të tij gjashtë vjeçar me akuza të rreme.
Në gusht, Fuad Ahmadli, një bloger dhe aktivist, u lirua pasi kreu një dënim katërvjeçar me akuza të motivuara politikisht. Të paktën tre gazetarë dhe blogerë të tjerë që kritikuan qeverinë janë ende në burg për akuza të motivuara politikisht, kujton Human Rights Watch.
Në shtator të vitit 2020, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Azerbajxhanit, shpalli një urdhërarrest ndërkombëtar për një grup të përndjekurish politikë që janë kritikë ndaj regjimit.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), në të cilën Serbia është anëtare që nga viti 2003, miratoi një rezolutë në fillim të vitit të kaluar, duke dënuar abuzimin me sistemin gjyqësor nga ana e Azerbajxhanit kundër kundërshtarëve politikë.
Përfaqësuesit e Serbisë nuk ishin të pranishëm në atë votim.
Marrëdhëniet diplomatike midis Serbisë dhe Azerbajxhanit u tronditën në mes të vitit të kaluar, kur portali në internet “Haqqin.az”, i njohur si i afërt me autoritetet azerbajxhanase, publikoi pretendime se mortaja të prodhuara nga Serbia, si dhe municioni për to, iu dorëzuan Armenisë nëpërmjet Gjeorgjisë dhe më pas u përdor në konfliktet vdekjeprurëse në kufirin Armeni-Azerbajxhan.
Përkundër kësaj, kreu i diplomacisë serbe njoftoi gjatë vizitës së tij të fundit në Azerbajxhan se presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev do të vizitojë Beogradin në tetor.
Një statujë e babait të tij, Heydar Aliyev, sundimtar autoritar i Azerbajxhanit, është në Parkun Tashmajdan të Beogradit, që nga viti 2011. Jo shumë larg nga aty, u ngrti edhe një monument për shkrimtarin serb Milorad Paviq. Të dy statujat u financuan nga qeveria e Azerbajxhanit.
“Venezuela gjithmonë në anën e Serbisë”
Përderisa në fillim të vitit 2019 në Venezuelë u mbajtën protestat masive kundër qeverisë, ndërkaq që bashkësia ndërkombëtare ishte e ndarë në ata që mbështesnin udhëheqësin e opozitës Juan Guaid dhe në ata në anën e presidentit të kontestuar Nicolas Maduro, zyrtarët serbë zyrtarisht i përmbaheshin politikës së “mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve sovrane”.
Megjithatë, një delegacion i Venezuelës u takua në shkurt të vitit 2019, me anëtarët e Grupit parlamentar të miqësisë me Venezuelën dhe me anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Serbisë.
Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Venezuelës në Serbi, Dia Nader De El Andari, dhe seanca u drejtua nga një anëtar i Lëvizjes Socialiste, parti kjo e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes dhe ministrit të Brendshëm aktual, Aleksandar Vulin.
Në një prononcim për gazetën “Politika”, ambasadorja e Venezuelës theksoi se vendi i saj ka qenë gjithmonë në anën e Serbisë, në të gjitha organizatat ndërkombëtare, si dhe që “Serbia është gjithashtu në anën tonë”.
Ai vend është gjithashtu në grupin e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kyle Scott, vlerësoi se Serbia është “në anën e gabuar të historisë” në lidhje me situatën në Venezuelë.
Qeveria e Venezuelës, sipas një raporti të HRW-së, në vitin 2020, burgosi kundërshtarët politikë dhe i pengoi ata të marrin pjesë në jetën politike.
Sipas të dhënave të Forumit Penal, rrjetit venezuelian të avokatëve të mbrojtjes pro-bono, qysh më 30 shtator të vitit 2020, kishte 348 të burgosur politikë në burgjet dhe selitë e inteligjencës të Venezuelës.
Raporti i HRW-së tregon se forcat venezuelinae të inteligjencës dhe të sigurisë, kanë arrestuar dhe torturuar pjesëtarët e ushtrisë, të akuzuar për komplot kundër qeverisë. Autoritetet kanë torturuar të burgosur të ndryshëm për të marrë informacione në lidhje me komplotet e pretenduara.
Deri më tani, Serbia nuk ka qenë kritike ndaj këtyre pretendimeve.
(REL)