Sarajevë, 1 gusht 2021 – Gjermani Christian Schmidt e merr detyrën e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë sot, më 1 gusht.
Schmidt e zëvendëson diplomatin austriak Valentin Inzko, i cili shërbeu për 12 vjet si zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara në Bosnjë e Hercegovinë, post ky që ka për synim mbrojtjen e të drejtave qytetare, sundimin e ligjit dhe zbatimin e marrëveshjes së paqes të arritur në Dejton, në SHBA, më 1995.
Schmidt, 63-vjeçar, ka reputacionin e një politikani të fortë rajonal dhe federal, i cili nuk ngurron të ndërmarrë vendime kontroverse.
Përfaqësuesi në largim, Inzko, është përballur së fundi me kritikat e Rusisë dhe të Kinës, të cilat muajin e kaluar dështuan të paraqesin një propozim të përbashkët për shuarjen e pozitës së përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë.
Zëri më kritik për përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar është lideri i entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinë, Millorad Dodik.
Bosnja ende qeveriset sipas Marrëveshjes së Dejtonit, e cila çoi në përfundimin e konfliktit ndëretnik në Bosnjë e Hercegovinë, që shpërtheu pas shpërbërjes së federates së Jugosllavisë.
Në Bosnjë e Harcegovinë, përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar ka fuqi të imponojnë vendime apo të shkarkojë zyrtarë që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Inzko ka sugjeruar se komuniteti ndërkombëtar “ndryshoi shumë shpejt… nga një prezencë e fortë ndërkombëtare në përgjegjësi të brendshme dhe në institucione të brendshme” në Bosnjë e Hercegovinë.
Javën e kaluar, Inzko tha për AP-në se në të ardhmen “qasja duhet të jetë më e fortë, duhet të ketë një ndjenjë të urgjencës”.
Bosnja e Hercegovina përballet me një varg problemesh që dalin nga strukturat paralele të pushtetit rajonal dhe ekzekutiv.
Dodik nga Republika Sërpska dhe aleatët e tij, më 30 korrik, i miratuan dy ligje të reja, për të bllokuar vendimin e javës së kaluar të Inzkos që ndalon dhe ndëshkon mohimin e gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë.
Inzko ka theksuar se “nuk ka pajtim, pa pranimin e krimeve dhe pa marrë përgjegjësi” për këto krime.
Christian Schmidt u emërua në postin e përfaqësuesit të lartë nga ambasadorët e Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Marrëveshjes së Paqes, organ ndërkombëtar që ende e mbikëqyr procesin e paqes në Bosnjë e Hercegovinë.
(REL)