Rama fton Malin e Zi të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”

Tiranë, 4 gusht 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje Malit të Zi t’I bashkohet nismës për krimin e zonës se përbashkët ekonomike të Ballkanit Perëndimor “mini-Shengeni ballkanik”, e riemërtuar pak ditë më parë “Ballkani i Hapur”.

Rama e ka afirmuar këtë nismë, të martën, në ceremoninë e hapjes së vendkalimit të ri kufitar midis Shqipërisë e Malit të Zi në Grabom të Malësisë së Madhe. Ai ka theksuar se kjo nismë ka objektiv sigurimin e, siç është shprehur, “katër liritë e Bashkimit Evropian”.

“Nuk kemi nevojë të shpikim asgjë të re. Mjafton të angazhohemi dhe ta bëjmë këtë hapësirë mes dy vendeve, hapësirën në gjithë rajonin, një hapësirë ku sundojnë katër liritë e BE; liria e lëvizjes së njerëzve; liria e lëvizjes së mallrave, e lëvizjes së kapitaleve, e lëvizjes së shërbimeve”, ka thënë Rama, citon Top-Channel.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se kjo nismë është ndërmarrë në kuadrin e “Procesit të Berlinit”.

“Ky është edhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë, në kuadër të procesit të Berlinit, së bashku me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut që është një nismë gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese që është një nisëm që synon pikërisht këtë; në të gjitha vendet e rajonit tonë, pra përfshirë edhe Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën, njerëzit të ndihen të lirë, të lëvizin të lirë dhe të gjithë sipërmarrësit të ndihen me të njëjtin dinjitet, siç ndihen sipërmarrësit evropianë kur lëvizin brenda BE. E nëse sot për të hyrë në BE të gjithëve ju duhet të presin, nuk ka pse të presin për të hyrë nga një vend i yni në një vend tjetër”, është shprehur Rama.

Nisma për “Ballkanin e Hapur”, e cila është inicuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përkrahur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova nuk i janë bashkuar nismës së Vuçiqit e Ramës. Të tria këto vende kanë përvojë të keqe me Serbinë, e cila ka pasur gjithmonë aspirate hegjemoniste në Federatën e ish-Jugosllavisë.

Kosova, e cila është kundërshtarja më e ashpër e kësaj nisme, e konsideron ata si përpjekje për krijimin e një “Jugosllavie të re”, e cila do të dominohej nga Serbia. Përveç kësaj, në Kosovë kjo nismë konsiderohet edhe si shpërqendrim nga procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Edhe ata pak mbështetetës të nismës “mini-Shengeni ballkanik”, tani “Ballkani i Hapur”, e vlerësojnë atë si projekt të parealizueshëm derisa Serbia nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur vazhdimisht për marrëdhëniet midis Serbisë e Shqipërisë, duke e shpërfillur krejtësisht Kosovën. Javën që shkoi,në Forumin Ekonomik Rajonal të Shkupit, ai deklaroi  se në vitin 2023 rrugëtimi midis Beogradit e Tiranës do të bëhet pa asnjë ndalesë, pa përmendur fare Prishtinën, madje as si faktor gjeografik.

(r.m.)