Faktori njeri është shkaktar i zjarreve në Kosovë, arrestohen tre të dyshuar

Prishtinë, 4 gusht 2021 – Një qytetar nga komuna e Malishevës ka vdekur si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë disa rajone të Kosovës, javën e fundit. Policia e Kosovës njoftoi se ai ka vdekur nga asfiksia.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave Civile raporton se shumica e zjarreve janë shuar ose janë lokalizuar, por ka ende zjarre aktive që rrezikojnë të përhapen më shumë.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Nehat Koqinaj, ka thënë se përgjegjës për  zjarret e fundit janë vetë njerëzit. Ai ka thënë se zjarret në zonat fushorejanë kryesisht pasojë e djegies së hamulloreve.

“Zjarret të cilat kanë ndodhur në vise më të ulëta, janë kryesisht prej hamulloreve, prandaj arsyeja e këtyre zjarreve gati gjithandej, është prej faktorit njeri. Jo pa qëllim, por me qëllim”, ka thënë Koqinaj për Radion Evropa e Lirë.

Dy ditët e fundit, Policia e Kosovës i ka arrestuar tre persona që dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale . Sipas nenit 322 të këtij kodi, kjo vepër penale është e dënueshme me burgim nga 6 muaj deri në 10 vjet.

(r.m.)