Ambasada e SHBA-së pas deklaratave të Berishës: Do të përdorim të gjitha instrumentet për t’u përballur me korrupsionin e pandëshkueshmërinë

Tiranë, 5 gusht 2021 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka përsëritur qëndrimin lidhur me shpalljen person “non grata” të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Në një deklaratë për “BalkanËeb”, pas padisë së Berishës ndaj Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, dhe akuzave ndaj ambasadores Yuri Kim, ambasada amerikane ka thënë se do të përdorë të gjitha instrmentet që ka në dispozicion për t’u përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë

“Midis urdërit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara medias javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar: Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për t’u përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Shqipëri.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi të enjten se avokati i tij ka dorëzuar në Gjykatën Koreksionale të Parisit, padinë për shpifje ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ai I bëri thirrje sekretarit Blinken që dorëzojë në gjykatë  provat kundër tij.

“I bëj thirrje sekretarit të SHBA-ve që, në emër të transparencës, të dërgojë dokumentet dhe provat që ai apo çdo kushdo tjetër në botë disponon kundër Sali Berishës dhe familjarëve të tij”, tha ai.

Berisha e kritikoi ashpër ambasadoren amerikane në Tiranë,Yuri Kim,e cila kërkoi që ai të mos lejohet të jetë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë dhe theksoi se askush nuk mund ta ndalojë të ushtrojë besimin që i është dhënë nga qytetarët.

(r.m.)