Liderët politikanë në Tiranë dhe në Prishtinë duhet të kuptojnë se janë të përkohshëm, ndërsa interesat madhore kombëtare janë të përjetshme. Prandaj, ata duhet të vetëdijësohen se nuk mund t’i mbajnë peng këto interesa për kapriçot e tyre.
Edi Rama dhe Albin Kurti duhet të bëjnë përpjekje maksimale që marrëdhëniet në mes tyre të mos degradohen. Ky është interes i përbashkët kombëtar, por edhe detyrim moral e politik që Kosova e Shqipëria, si dy shtete sovrane, duhet të funksionojnë brenda një bashkëpunimi të gjithanshëm dhe pa kushte. Kjo edhe për faktin se Kosova e Shqipëria, fizikisht janë të ndara, janë dy shtete, por në thelb janë një trung i vetëm që ka lëshuar degë gjithandej. Shqiptarët janë si frytet e këtyre degëve dhe çdo dridhje fortë e trungut e cenon rënien e parakohshme të fryteve!
Liderët politikanë në Tiranë dhe në Prishtinë duhet të kuptojnë se janë të përkohshëm, ndërsa interesat madhore kombëtare janë të përjetshme. Prandaj, ata duhet të vetëdijësohen se nuk mund t’i mbajnë peng këto interesa për kapriçot e tyre.
Tash së fundmi janë hapur disa tema që i rëndojnë raportet Kosovë-Shqipëri. Mungonte vetëm edhe këngëtari kontraverz serb Goran Bregoviq, për ta mbushur kupën e keqkuptimeve.
Ndoshta, kur të publikohet ky shkrim, pas reagimeve të shumta, organizatorët e Festës së Birrës në Korçë mund ta kenë anuluar ftesën drejtuar këngëtarit serb, por ajo që do të mbetet si shije e hidhur është mungesa e sensit të disa segmenteve të shoqërisë në Shqipëri për të kuptuar ndjeshmëritë e Kosovës në raport me Serbinë. Nuk është se shoqëria kosovare është treguar shumë më e avancuar sa i përket ndjeshmërive kolektive kombëtare, por, megjithatë, raportet e Shqipërisë me Serbinë pashmangshëm kalojnë mbi fatet e Kosovës. Pra, këto raporte janë të kushtëzuara nga qëndrimi që mban Serbia kundrejt Kosovës dhe ardhmërisë së saj si shtet, kështu që do të ishte e pafalshme që Tirana zyrtare të mos e kishte këtë parasysh.
Nuk i dimë arsyet dhe motivet e vërteta, por edhe kryeminstri Edi Rama i shpërfilli argumentet e mësipërme teksa pranoi të bëhet pjesë e iniciativës rajonale OPEN BALKAN. Kundërshtimet që vijnë nga Kosova dhe nga gjithë bota shqiptare kanë për bazë, para së gjithash, interesin e Kosovës në këtë iniciativë rajonale, ndonëse, në anën tjetër, ka plot njerëz që pyesin “Pse jeni kundër lëvizjes së lirë?”. Ata që bëjnë pyetje të tilla, si duket, nuk janë të informuar mjaftueshëm se Serbia ende e mban peng Kosovën në raport me lëvizjet e proceset rajonale. Serbia ende e trajton Kosovën si pjesë të saj. Territori i Serbisë tani për tani është një tera incognito për Kosovën, sepse autoritet serbe nuk i njohin dokumentet me simbolet e shtetit të Kosovës.
Nëse OPEN BALKAN nuk e zgjidh këtë problem, atëherë për çfarë lëvizjeje të lirë mund të flitet.
Në dimensionin gjeopolitik, OPEN BALKAN hap shumë dilema, të cilat kanë mbetur pa u sqaruar nga kryeministri Edi Rama. Po i referohemi më shumë atij, sepse nga krerët serbë nuk pritet asgjë e mirë. Pra, është shumë normale të duam të mësojmë se çka e shtyn një politikan të Tiranës të jetë kaq shumë këmbëngulës për realizimin e një nisme ku fjalën kryesore e ka Serbia.
Çka e shtyn Edi Ramën ta bëjë Shqipërinë pjesë të një nisme rajonale ku Kosova shpërfillet plottësisht dhe, për më keq, ku Serbia bëhet një rrip transmisioni i botës sllave në brigjet shqiptare të Adriatikut.
Ja pse Serbia e ka fjalën kryesore në OPEN BALKAN. Në vitin 2020 Serbia ka shitur në Shqipëri rreth 280 milionë euro mallra. Në anën tjetër, Shqipëria ka shitur në Serbi rreth 55 milionë euro.
Maqedonia ka shitur në Shqipëri rreth 210 milionë euro mallra, kurse Shqipëria ka shitur në Maqedoni 70 milionë euro.
Tani, ku qëndron logjika e kësaj nisme ballkanike që e favorizon skajshmërisht Serbinë, sidomos nëse Shqipëria shet mallra në Shqipëri e Maqedoni në vlerë prej 125 milionë eurosh, ndërkohë që ato të dyja bashkë shesin në Shqipëri 490 milionë euro në vit.
Pra, i bie që 365 milionë euro cash neto dalin nga Shqipëria dhe shkojnë në Serbi dhe në Maqedoni.
Serbia dhe Maqedonia janë për Shqipërinë tregje minore, në krahasim me Italinë, Greqinë e Gjermaninë, që janë vendet kryesore të eksporteve.
Çfarë përfiton Shqipëria nga kalimi i lirë i mallrave në Serbi apo në Maqedoni? Shumë pak mallra që vijnë në Shqipëri apo që dalin nga Shqipëria kalojnë nga Serbia apo nga Maqedonia (përveç mallrave serbe dhe maqedonse), ndërkohë që Shqipëria i ka rrugët e hapura detare e tokësore me gjithë botën, sepse Italia vjen në Durrës apo në Vlorë, Greqia vjen në Kakavije dhe në Kapshticë, Kina vjen në Durrës, Turqia vjen në Durrës apo në Kapshticë, Spanja vjen në Durrës, Gjermania vjen në Durrës, Franca vjen në Durrës.
Në Durrës synon të shkojë edhe Serbia (edhe pse një port i ishte premtuar vetëm Kosovës), por çfarë dobie nga kjo ka Shqipëria?
Nëse Tirana zyrtare ka vendosur të jetë kaq zemërhapur me fqinjtë, atëherë le të fillojë me Kosovën. Ka dhjetëra marrëveshje ekonomike, tregtare e të tjera që nuk janë realizuar ende. Ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës veprojnë ende sipas disa ligjeve absurde të konkurrencës, ndërkohë që oligarkët e Serbisë dhe Shqipërisë vendosin rregulla që, fatkeqësisht, përfillen edhe nga politika, ku Kosova del humbësja më e madhe. Kjo është arsyeja përse në marketet tona dominojnë ende prodhimet me prejardhje nga Serbia, kurse Shqipëria dhe Kosova nuk mund të merren vesh për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta prodhuese.
Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen për shumë politika, sidomos për nisma e procese rajonale. I takon Tiranës zyrtare të marrë rol udhëheqës të shqiptarëve në Ballkan, jo me ide e projekte folklorike, por me programe të mirëfillta që e avancojnë pozitën e shqiptarëve në Ballkan.
Prishtinë, 6 gusht 2021