Në spitalet e Kosovës trajtohen mbi 80 pacientë me COVID-19

Prishtinë, 7 gusht 2021 – Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar të shtunën se 83 pacientë të diagnostikuar me COVID-19 po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Klinikat COVID dhe spitalet rajonale.

“114 pacientë të shtrirë në klinikat Covid dhe spitalet e përgjithshme, prej tyre 83 të konfirmuar COVID-19, 75 me trajtim në oksigjeno-terapi”, thuhet në njoftim.

Javën e fundit në Kosovë është rritur numri i rasteve të reja me koronavirus. Të premten u  raportua se gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar 271 raste të reja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

“Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19”, thuhet në një postim të IKSHPK-së në rrjetin social Facebook.

Në Kosovë, qytetarët mund të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca apo Pfizer.

Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të këtij viti të imunizohet 60 për qind e popullatës.

(r.m.)