Gjashtë të lënduar në aksidentin me autobus trajtohen ende në Kroaci

Sllavonski  Brod, 7 gusht 2021 – Gjashtë qytetarë të Kosovës të cilët u plagosën në aksidentin tragjik me autobus në Kroaci ende janë duke marrë trajtim mjekësor në spitalin e Sllovanski Brodit.

Njoftimi është bërë nga Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate.

“Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesin e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët”, thuhet në njoftim.

Më 25 korrik, një autobus i linjës Frankfurt-Prishtinë doli nga rruga dhe u përmbys anës rrugës, në autostradën A3, në afërsi të qytetit Sllavonski Brod, në Kroaci. Në aksident e humbën jetën 10 udhëtarë, ndërsa u lënduan 43 udhëtarë të tjerë.

Në autobus ndodheshin 67 pasagjerë dhe 2 shoferë, njëri prej të cilëve vdiq.

Një pjesë e të mbijetuarve, pas trajtimit mjekësor në Sllavonski Brod, u transferuan në Kosovë, kurse një pjesë u kthyen përsëri në Gjermani.

Shoferi i autobusit u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes. Atij iu caktua masa e sigurisë paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Prokuroria kroate tha se ekziston dyshim i bazuar se shpferi  52-vjeçar ishte duke vozitur autobusin në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor.

Sipas autoriteteve, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme nga cepi i rrugës dhe ka përfunduar jashtë rrugës, në sipërfaqen me bar. Për pasojë, autobusi është psërmbysur.

(r.m.)