Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i paraqiti mediave pasqyrën e punës për vitet 2012-2013

Nuk u bë tregti e paligjshme armësh, shkatërrimi i municionit të tepërt është drejt fundit – rëndësi të veçantë bashkëpunimit të me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe me aleatët strategjikë

 

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi se Shqipëria i dha përparësi vlerësimit të marrëdhënieve të Forcave të Armatosura me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe fuqizoi partneritetin strategjik me aleatët. Ai u paraqiti gazetarëve pasqyrën e punës për vitet 2012 dhe planin e vitit 2013.
Ministri deklaroi se Shqipëria forcoi anëtarësinë e saj në NATO duke pasur për herë të parë një gjeneral-brigade në Komandën Supreme të NATO-s në Europë. Po ashtu u forcua anëtarësia në agjencitë e NATO-s për menaxhimin, logjistikën dhe zhvillimin teknologjik si dhe në shërbimet inteligjente.
Ministri veçoi bashkëpunimin me Kosovën dhe aleatët strategjikë: “U konkretizua harta e bashkëpunimit dypalësh me synim konsolidimin dhe rritjen e bashkëpunimit me vendet partnere dhe veçanërisht strategjike si me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Franca, Italia, Austria, Turqia. U ridemensionua bashkëpunimi me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe janë ngritur grupet respektive të punës, të cilët ndjekin nga afër realizimin konkret të këtij bashkëpunimi”.
Zoti Imami saktësoi gjithashtu se nuk ka pasur tregëti të paligjshme armatimi nga Shqipëria, as shitje abuzive të pronave nga ministria e Mbrojtjes dhe as mungesë të pagesave të trupave paqeruajtëse në Afganistan: “Ushtarët tanë në Afganistan i marrin pagesat. Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë asnjëherë nën presion apo nën atak. Ministria, sikurse e dini, nuk shet prona. Mirë është që këtë ta dinë edhe gazetarët. Tregtia e armëve është e ligjshme, e deklaruar, e zyrtarizuar edhe në Kombet e Bashkuara dhe në fakt, e gjitha doli një flluskë sapuni”.
Ministri Imami veçoi si sukses të Forcave Detare nxjerrjen në lundrim të dy anijeve të prodhuara në Shqipëri. Anijet, sipas zotit Imami, janë prodhimi më i kushtueshëm financiarisht i Shqipërisë, pasi një anije kushton rreth 5 milionë euro.
Sipas ministrit, përfundoi procesit e asgjesimit të armatimit dhe municionit të vjetër në ambiente të hapura dhe do të vazhdojë me shkatërrimin industrial. Zoti Imami veçoi gjithashtu se Shqipëria po shkon drejt përfundimit të procesit të shkatërrimit të armëve dhe municioneve të mbetura: “Nga shtatori 2009 deri në dhjetor 2012 janë asgjesuar rreth 80 mijë ton municione të tepërta. Mbeten për t’u demontuar thuajse 20 mijë ton brenda vitit 2013, duke e bërë Shqipërinë vendin e parë të Europës post-komuniste që ndahet përfudnimisht me këtë trahsëgimi të rrezikshme të Luftës së Ftohtë”.
Zoti Imami theksoi se duke përjashtuar fishekët e kalibrit 7,62 milimetra do të përfundojë brenda periudhës janar-qershor 2013, shkatërrimi i të gjithë municioneve të kalibrit të madh. Po ashtu janë pastruar me shitje, falje apo zhvendosje brenda dhe jashtë vendit më shumë se 50 mijë tonë materiale të tepërta. Gjithsej janë boshatisur nëntë grupdepo municioni, armatimi dhe materiale të tjera gjatë vitit 2012 dhe janë shkatërruar rreth 26 mijë ton municione.