Intervista me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa për gazetaën “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA
Bisedoi: Denion Ndrenika
Kryeministri Isa Mustafa thotë se Forumi Ekonomik i Vjenës që u mbajt në Tiranë, është shumë i rëndësishëm për hapjen e mundësive të bashkëpunimit mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zoti Mustafa, i cili toku duart me homologun e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thotë se Kosova ka vërejtje për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, por dhe se është e vendosur që ta çojë përpara dialogun për të gjitha çështjet. Kryeministri thekson se disa projekte po zhvillohen mes vendeve ballkanike. Ai veçon rëndësinë që ka bashkëpunimi për përparimin ekonomik, të tregjeve, lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. por, veçanërisht, zoti Mustafa thekson se bashkëpunimi mes vendeve i shërben paqes dhe qëndrueshmërisë ballkanike
-Zoti kryeministër, Isa Mustafa! Ju folët në këtë takim, në Forumin Ekonomik të Vjenës që po mbahet në Tiranë, me shpresën që të gjithë vendet e Ballkanit të jenë sa më përpara bashkarisht drejt eurointegrimit. Çfarë prisni nga forumi?
-Isa Mustafa: “Ne e konsiderojmë si një forum tepër të rëndësishëm në këtë periudhë, që i paraprin takimit që ne do ta kemi në Vjenë midisin (në mes, v.j.)e këtij vit.
Ky është një forum që pason atë të pas takimit të vitit të kaluar të mbajtur në Berlin dhe që ka hapur një mundësi shumë të rëndësishme të bashkëpunimit dhe të marrëveshjeve tona. Pra, të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Unë mendoj se kemi arritur që deri më tani t’i konkretizojmë disa prej projekteve që do të ndihmojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik, jo vetëm komunikimin e njerëzve dhe të mallrave ndërmjet vendeve, por ashtu do t’i kontribuojnë edhe paqes, edhe stabilitetit, edhe pjesëmarrjes së përbashkët edhe në tregun regjional, edhe në tregun europian.
Ne tani jemi të interesuar që të vazhdojmë me autostradën nga Durrësi, e cila pastaj do të kalojë kufirin dhe do të përcillet në terrritorin e Serbisë.
Kjo, në mënyrë që ky investim që është bërë deri tani të shfrytëzohet më tepër për nevoja ekonomike.
Po ashtu jemi të interesuar që të ndërtojmë autostradën deri në kufi me Maqedoninë dhe pastaj pjesa maqedonase të vazhdojë deri në Shkup.
Kjo pjesë po ashtu do të jetë një lidhje shumë e mirë edhe ekonomike, por edhe e qytetarëve.
Jemi të interesuar dhe po punojmë që të bëjmë rikonstruksionin e hekurudhës në tërë gjatësinë e saj në territorin e Republikës së Kosovës, e cila na lidh me Maqedoninë dhe me Serbinë dhe pastaj na lidh edhe me vende të tjera të Bashkimit Europian.
Dhe, po ashtu që më tutje të punojmë në transimisionin e sistemit energjetik, sidomos me Shqipërinë.
Të punojmë, në mënyrë që të bëjmë këmbimin pastaj të energjisë elektrike në periudha të ndryshme kohore, sepse kemi burime të ndryshme alternative për prodhimin e energjisë elektrike dhe kjo na përplotëson mjaft shumë me Shqipërinë.
Sigurisht që më tutje do të merremi vesh edhe lidhur me bashkëpunimin tonë në fushën e politikave fiskale, në mënyrë që ato t’i adaptojmë sa më afër dhe në mënyrë që ato të mos paraqesin pengesa dhe diferenca të mëdha në bashkëpunimin tregtar dhe në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve tona.
Edhe, në fushën e turizmit, sepse është një fushë në të cilën ne mund të ndërlidhemi si një treg i përbashkët për tërheqjen e turistëve të huaj, që ky treg më pastaj t’i bashkohet edhe tregut europian”.
-Zoti Mustafa, ju patët takime në kuadër të kësaj veprimtarie me kryeministrat homologë. Çfarë do të veçonit?
-Isa Mustafa: “Unë pata takim me kryeministrin Rama. Ne biseduam lidhur me bashkëpunimin, lidhur me realizimin e marrëveshjeve që kemi nënshkruar, lidhur me sfidat e tjera që paraqiten përpara nesh.
Unë konsideroj se ne kemi arritur një bashkëpunim shumë të mirë. Natyrisht se ka hapësirë edhe më tutje që ky bashkëpunim të përparohet.
Është një ambient i krijuar mjaft i mirë i zhvillimit të këtij bashkëpunimi.
Bisedova edhe me kryeministrin e Maqedonisë (Nikolla Gruevski, v.j.).
Objekt i këtij diskutimi ishin kryesisht problemet dhe situata, e cila ndodhi me Kumanovën, se si të menaxhohet ajo, se si të tejkalohet dhe se si të krijohen kushte për stabilitet të mëtutjeshëm në Maqedoni, në Kosovë dhe në Ballkan.
Të dy palët u shprehën se jemi të interesuar të bashkëpunojmë dhe t’i kontribuojmë këtij stabiliteti.
Po ashtu takova kryeministrin e Malit të Zi (Filip Vujanoviç, v.j.), me të cilin këmbyem mendime për bashkëpunimin e deritanishëm, i cili është mendoj shumë i mirë.
Por, edhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm edhe në fushën e turizmit, në fushën e ekomomisë, por edhe të ngritjes së nivelit të përfaqësimit diplomatik të Kosovës dhe të Malit të Zi”.
-Pati një shtrëngim duarsh mes jush zoti Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksnadër Vuçiç. A është kjo një shenjë e mirë për zbatueshmërinë e marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë?
-Isa Mustafa: “E pyeta se si ka kaluar takimi me kryeministrin Rama. I thash se ne këtë e shohim si një takim mjaft të rëndësishëm dhe u pajtua me këtë, por nuk vazhduam më tutje”.
-Zoti kryeministër! Ju thatë se Kosova dhe Serbia, kanë mundësi që nëpërmjet dialogut të kalojnë të gjitha çështjet që kanë mbetur mes tyre. Besoni se Serbia veçanërisht ka bërë aq sa duhet që marrëveshja e prillit të jetë në zbatueshmëri të plotë?
-Isa Mustafa: “Ne kemi vërejtje lidhur me atë. Këto vërejtje i kemi prezantuar edhe në Bruksel.
Ne kemi vërejtje lidhur me zbatimin e marrëveshjeve sepse ka ngecje në këtë zbatim.
Por, ne do të bëjmë përpjekje që dialogun e mëtutjeshëm që ka të bëjë me energjinë, që ka të bëjë pastaj me integrimin që janë në Mbrojtjen Civile në veri dhe shpërndarjen e këtyre forcave.
Pastaj, që ka të bëjë me kodin telefonik dhe me Asosacionin e Komunave, janë disa prej temave që janë në axhendë që të bëhen më shpejt, ta kushtëzojmë me implementimin, përkatësisht me zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.
Mirëpo, mund të them që edhe përkundër pakënaqësisë tonë në këtë zbatim, megjithatë shihim rezultate konkrete.
Sepse, ne tani po shtrijmë sovranitetin e vendit në katër komuna në veri të vendit.
Këto katër komuna për herë të parë sivjet kanë pranuar që ta bëjnë buxhetin e tyre në bazëe të kritereve që ka përcaktuar ministria e Financave dhe qeveria e Republikës së Kosvës dhe po e zbatojnë atë buxhet.
Unë kam kontakte të vazhdueshëm me kryetarët e atyre katër komunave që përpara nuk është paramenduar se do të vijnë në zyrën e kryeministrit ose në qeveri dhe do të merren vesh lidhur me to.
Dhe, se tani me ta nuk diskutojmë çështjet politike, por çështjet e projekteve konkrete, të cilat e përmirësojnë pozitën e qytetarëve dhe në fushën e infrastrukturës rrugore, shkollore, shëndetësore.
Do të thotë, që është një shenjë mjaft e mirë se njerëzit po fillojnë të mendojnë të jetojnë aty.
Të zbatojnë rregullat dhe ligjet e Kosovës dhe bashkarisht t’i kapërcejmë këto probleme”.
-Mbetet ende shqetësim zoti kryeministër, shndërrimi Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, përderisa edhe komuniteti serb ka kërkuar një farë kohe për ta shtyrë. Është ende në planet tuaja një shtyrje kohe më e gjatë se ç’mund të jetë e nevojshme?
-Isa Mustafa: “Ne megjithatë duhet të kemi pajtueshmërinë e shumicës në Kuvend.
Sepse, me Kushtetutë duhet të vendoset me 2/3 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Te ne, në mënyrë specifike kërkohet 2/3 e dyfishtë, sepse përpos numrin të tërësishëm të deputetëve, duhet të vendosin edhe 2/3 e pakicave që janë në Kuvend.
Dhe, kjo nënkupton se ne duhet megjithatë të dialogojmë me serbët në Kuvend dhe me komunitetet e tjera në mënyrë që të marrim edhe përkrahjen e tyre.
Dhe, ne do të mundohemi që këtë ta bëjmë këtë.
Që, t’i bindim ata që shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovë.
Është në interes të ndërtimit të paqes, të stabilitetit dhe që ajo nuk është forcë që do t’i shërbejë vetëm një komunitetit, por do t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve”.
-Faleminderit zoti kryeministër!
-Isa Mustafa: “Faleminderit”!