Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Gent Gazheli dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 2)
Bisedoi: Denion Ndrenika
-Drejtor, ku janë dyshimet kryesore që arrini të mblidhni ju për financim të terrorizmit apo të pastrimit të parave? Për shembull në tregtinë e mjeteve të shëndetësisë, spitalore, tregti barnash, mjeteve të tjera, në industri të çelikut, industri minerare? Ku janë dyshimet kryesore?
-Gent Gazheli: “Ja, jua them unë kush janë indiciet nga vijnë. Kryesisht janë raportime nga bankat për veprimtarinë dyshuese të elementëve, të personave apo të subjekteve që shkojnë në bankë.
Që, përbëjnë kryesisht në përqindje po them që është diku te 17,3 përqindje të informacionit që vijnë nga bankat pra.
Numri i rasteve të dyshimta nga viti në vit ka ardhur duke u rritur. Sot që flasim nga 700 e ca për vitin 2013, në 2014 kishim 1300 raste të aktivitetit të dyshimtë që vijnë vetëm nga sistemi bankar. Por, dhe jo vetëm. Dyshime të ndryshme vijnë edhe nga institucione jobankare, si për shembull noterë, avokatë, ekspertë kontabël, zyra të këmbimit valutor, pse jo dhe shoqëri ndërtimi”.
-Në tërësinë e bashkëpunimit që mund të keni për shembull me Bankën e Shqipërisë, ka informacione që në sistemin bankar të lindin dyshime për këto veprimtari që ju mbuloni?
-Gent Gazheli: “Jo, nuk ka ndonjë dyshim. Sistemi bankar i yni është goxha i organizuar dhe i imunizuar. Shumë i organizuar dhe goxha imun ndaj këtyre veprimtarive dyshuese. Por, me Bankën e Shqipërisë kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Sëfundmi kemi nënshkruar një marrëveshje, me të cilën mund të bëjmë edhe kontrolle, audite të përbashkëta në bankat e nivelit të dytë.
Mund të them që bashkëpunimi me ta është në nivel shumë të mirë. Sistemi bankar i yni është shumë imun, shumë mirë i organizuar dhe shumë i konsoliduar”.
-Ka pasur po themi dyshime, nuk po i quaj si akuza, por dyshime për nivele të larta të shoqërisë, përfshi deputetë, anëtarë të gjykatave, të trupave kushtetuese apo të Gjykatës së Lartë që deklarojnë pasuri të mëdha. A janë këto subjekt për t’u hetuar ose të paktën për të mbledhur një infomacion? Ndoshta, ju do të duhet të keni një ndërhyrje edhe për Komisionin e Dekriminalizimit të Kuvendit. Keni mundësi ta ndihmoni këtë strukturë?
-Gent Gazheli: “Ju falenderoj për pyetjen! Në kuadër të kësaj pyetjeje mund t’u jap këtë infomacion.
Ne kemi pasur indicie nga Inspektrati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit. v.j.), rreth 7 raste për veprën penale të korrupsionit, por dhe të tjetërsimit të fondeve.
Faktikisht jemi në proces grumbullimi, analizimi dhe dërgimi informacioni. Por, janë organet e prokurorisë që hetojnë më pas. Ne vetëm grumbullojmë dhe mbledhim informacion në bashkëpunim me ILDKP-në dhe ia dërgojmë prokurorisë shqiptare për të hetuar më pas procesin ose veprën penale, për të cilën ne kemi dyshime.
Pra, është prokuroria që heton dhe dërgon në gjykatë. Kemi pasur realisht 7 raste me indicie korrupsioni të personave të ekspozuar politikisht, që do të thotë njerëz që kanë të drejtën të bëjnë deklarimin e pasurisë çdo vit. Kjo është e vërteta”.
-Drejtor, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe strukturat e hetimit, shpërlarje parash, financim terrorizmi, a është në nivel të atillë sa të themi që jemi të qetë për punën?
-Gent Gazheli: “Ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë. Ne shkëmbejmë informacion me rreth 130 partnerë në të gjithë botën. Kemi bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni në nivel të shkëlqyer me FINCEN-in që është partneri ynë ose homologia jonë në SHBA, sepse varet direkt nga Departamenti i Thesarit. Ne shkëmbejmë informacion në kohë reale nëpërmjet një platforme shumë të sigurtë, nëpërmjet grupit telmond.
Marrëdhëniet janë shumë të mira dhe zhvillohen dita-ditës në varësi të informacionit që kemi për të ndarë ose për të marrë nga partnerët tanë”.
-Keni pasur raste të kërkimit nga strukturat amerikane të personave apo të subjekteve të dyshuar për veprimtari terroriste?
-Gent Gazheli: “Mmm… Nuk mund të komentoj”.
-Të ndalemi te Kosova drejtor. Si qëndron bashkëpunimi me agjencinë përkatëse? Sa janë rastet që keni evidentuar në bashkëpunim me Kosovën?
-Gent Gazheli: “Ndër vizitat e para të mia si Drejtor i Përgjithshëm ka qenë në FIU të Kosovës. Kam bashkëpunim shumë të mirë me inteligjencën kosovare. Shkëmbejmë informacion në kohë reale nëpërmjet kësaj platforme, por edhe nëpërmjet shkresave.
Kam kryer vizitën e parë në Kosovë, sikurse edhe kam pritur homologun kosovar në ambientet e institucionit tonë. Shkëmbimi është shumë i mirë! Shkëmbejmë informacion në kohë reale për shqetësime dhe raste të dyshimta për pastrim parash dhe financim terrorizmi”.
-Në ndryshimin e ligjit, çfarë po bëni që të kemi njëlloj njehsimi të disa parametrave me Kosovën, të dokumentimit të bizneseve që regjistrohen në Kosovë dhe në Shqipëri dhe që lindin dyshime për këto veprimtari? Ka mundësi të përafrimit të legjislacionit?
-Gent Gazheli: “Po, pse jo? Por, në pjesën e legjislacionit tonë të paktën për ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, 9917 që është ligji jonë, ende nuk kemi hedhur hapa në përafrim legjilacioni.
Mund të flasin edhe tatimet dhe doganat për përafrim legjislacioni, mirëpo kjo pjesa jonë është pak specifike, sepse secili vend ka specifikat e veta”.
-Sa është numri i rasteve të evidentuara ndërmjet jush dhe Kosovës për persona apo subjekte të dyshuar se kryejnë shpërlarje parash financim të terrorizmit?
-Gent Gazheli: “Kemi raste. Jo më larg se dje pata një informacion nga FIU i Kosovës për aspekte të dyshimta të punës tonë. Ka informacione dhe shkëmbim informacioni të përditshëm”.
-Lidhet me subjekte në veprimtari publike?
-Gent Gazheli: “Të dyanshme. Edhe në Shqipëri dhe në Kosovë”.
-Publike apo private?
-Gent Gazheli: “Të gjithanmshme”.
-Faleminderit!
-Gent Gazheli: “Faleminderit!