Tiranë, 7 gusht 2021 – Në Shqipëri, Rrjeti për Barazi në Vendimmarrje ka kryer një monitorim mbi praninë e pakët të grave dhe vajzave në media, për t’u shprehur mbi shqetësimet e tyre dhe të shoqërisë. Vëzhgimi zbuloi se vajzave dhe grave u jepet një hapësirë mjaft e vogël për të marrë pjesë në programe televizive si dhe për të dhënë mesazhet e tyre për çështjet gjinore.
Monitorimi përfshiu mijëra programe televizive nga mëngjesi deri në mbrëmje në të gjithë stacionet, mediat online si dhe artikuj gazetash.
Në fund doli se mendimi i grave dhe vajzave shqiptare për problemet kryesore të vendit nuk përfillet dhe ato nuk ftohen as në studio televizive për të shprehur pikëpamjet e tyre.
Përfaqësuesja e Rrjetit për Barazi në Vendimmarrje, Edlira Çepani, shprehu shqetësimin se mediat shqiptare nuk e përdorin fuqinë e tyre për të thyer steriotipet dhe klishetë paragjykyese ndaj vajzave dhe grave, por përkundrazi, po i thellojnë më tej, duke i pozicionuar ato vetëm tek familja dhe edukimi.
“Ne kemi vënë re prania e grave dhe vajzave, si fokus i lajmeve, i burimeve, si eksperte pjesëmarrëse në panele të ndryshme është shumë më e ulët se sa ajo e burrave dhe djemve. Ka një përmbysje të shifrave kur flasim për emisione sociale të mëngjesit dhe të pasdites, ku prania e grave dhe vajzave është më e lartë në tema të arsimit, edukimit dhe kulturës, dhe në të kundërt, ka një prani shumë më të pakët në emisionet kryesore ku diskutohet politika, ekonomia, aktualiteti” – thotë zonja Çepani.
Monitorimi zbuloi se në shumicën e rasteve gratë e vajzat ftohen në media të flasin për fëmijët, shkollën dhe argëtimin, por nuk ftohen pothuajse fare të flasin për tema themelore si ekonomia, siguria, politika dhe diplomacia. Ato shpesh janë objekt i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.
Zonja Çepani thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë të shohë perspektivën gjiinore për gjithë shqetësimet e saj, por mediat nuk ua japin grave e vajzave një shans të barabartë të dëgjohen për tema me rëndësi kombëtare, duke mos i ftuar nëpër tryeza të tilla, e aq më pak të dëgjohen intepretimet e tyre, ndonëse Shqipëria ka eksperte të shkëlqyera në të gjitha këto fusha.
“Nuk kemi mungesë të eksperteve gra e vajza, por kemi mungesë të hapësirave të tyre në mediat shqiptare për pengesa nga më të ndryshme dhe për hir të një kornize të mediave tradicionale, që ka steriotipe, paragjykime dhe ngurron të afrojë zonjat në tryeza debatesh me peshë të madhe” – thotë zonja Çepani.
Gratë dhe vajzat shqiptare janë pjesa më e edukuar dhe më e përkushtuar e shoqërisë shqiptare.
Njëkohësisht ato janë më pak të punësuara dhe më pak të vlerësuara në karrierë, edhe pse përballojnë sfida të jashtëzakonshme duke nisur nga dhuna në familje, rritja e edukimi i fëmijëve dhe deri te kualifikimet e larta të universitete.
Por shumica mashkullore shpesh frenon karrierat e tyre profesionale, godet mirëqenien e tyre dhe nuk i afron të marrin pjesë në institucione vendimmarrëse, as në krye të redaksive e madje nuk i fton as në media të shprehin mendimet e tyre.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)