Intervistë e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 2)
Bisedoi: Denion Ndrenika
-Cila është gjendja e barnave në tregun gjithshqiptar? Natyrisht edhe pas një shqetësimi të disa javëve më parë për atë që u quajt “bllokadë” e barnave të Kosovës?
-Ilir Beqaj: “Po, ka një çështje që në gjykimin tim, nuk është se ne kemi një bllokadë për Kosovën.
Në ligjin e ri të barnave ne kemi një dispozitë që kërkon që për barnat e prodhuar në Ballkan, domethënë në Kosovë, në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, mund të vendosen në treg në Shqipëri të regjistrohen nëse janë të regjistruar edhe në një vend tjetër të Bashkimit Europian.
Dhe, kjo është bërë me synimin për të rritur edhe më shumë sigurinë dhe garancinë e barnave që vendosen në treg me vlerësimin që sigurisht në momentin që një bar është prezent në një vend të Bashkimit Europian, atëherë kemi edhe më shumë siguri.
Sepse, le të themi nëse një bar nga Serbia, Kosova, Maqedonia është edhe në Bullgari apo në Kroaci, atëherë është në një vend të Bashkimit Europian dhe nuk po themi të jetë deri në Suedi, në Francë apo Angli, atëherë le të vijë edhe në Shqipëri”.
-Çfarë ndodh me barnat kancerogjenë, për sëmundjet tumoriale, ndoshta për lejimin e “Vidatoxit” (bar kubanez me helm akrepi që shitet në Shqipëri. v.j.) që është i ndaluar në vendet e Bashkimin Europian dhe për ankesat dhe denoncimet për abuzime deri në humbje jete?
-Ilir Beqaj: “Atëherë, po nisemi nga ky rasti i fundit. Nuk ka raste të humbjes së jetës sipas akuzave publike që tashmë janë bërë.
Janë të provuara tashmë që barnat që janë përdorur kanë qenë të importuara në bazë të një zinxhiri normal të importit dhe tregtimit të barnave.
Së dyti, sigurisht ende sëmundjet tumoriale janë një betejë jo e fituar në shëndetësinë tonë, por jo vetëm në Shqipëri dhe përfundojnë me fatalitet.
Të dhënat kryesore tregojnë që përdorimi i barnave zgjat jetën, por nuk arrin në ndonjë shërim, edhe sepse ne për fat të keq ende e zbulojmë në një stad shumë të avancuar kancerin.
Nëse do të krahasonim 2014 me 2013 ne kemi bërë ndryshime të qenësishme në furnizimin me barna dhe sidomos për shërbimin tonë onkologjik.
Ka shumë më tepër barna që janë furnizuar në spital për këto sëmundje. Kemi përfshirë në listën e rimbursimit. Por, sigurisht që jemi të vetëdijshëm që na duhet punë për të përballuar sfidën që vjen nga sëmundjet tumoriale.
Janë grupi i dytë i sëmundjeve në Shqipëri që shkaktojnë edhe humbje jete, edhe invaliditet.
Po e përsëris, që ne e zbulojmë në stad të avancuar. Po punojmë edhe në parandalim. Kemi bërë vitin e kaluar aktivitete të mira për kancerin e gjirit. Sot që ne flasim dhe në vijimësi dy mamografë mobilë janë nëpër Shqipëri në zona pak më periferike për të ofruar atje ekzaminime falas parandaluese për gratë dhe do të vazhdojmë edhe këtë vit.
Investime të tjera po bëjmë me instalimin dhe vënien në punë brenda vjeshtës të akseleratorit linear në mënyrë që edhe radioterapia moderne të jetë prezente në spitalet tona publike”.
-“Vidatoxi”?
-Ilir Beqaj: “Po, “Vidatox”-i është një preparat, i cili nuk është bar i regjistruar në Shqipëri. Nuk hyn në regjimin e administrimit të barnave.
Në gjykimin tonë tregtohet si një mall tjetër, por autoritetet shëndetësore kanë tagër të ndërhynë në në rregullat e tregtimit të barnave.
Përsa kohë ne nuk e çmojmë si bar të regjistruar në Shqipëri, ai tregtohet si një mall dhe hyn në një tjetër regjim se si administrohet”.
-Po merrni masa për të ndalur, për të penguar interesat e mundshme apo ndikimet në tregun e barnave që mund të kenë lidhje me deputetë dhe ministra, apo ish-deputetë dhe ish-ministra, biznese të lidhura me politikën, duke nisur që nga prodhimi, magazimi dhe shpërndarja e tyre?
-Ilir Beqaj: “Nuk më duket se ka sot ndikime të drejtpërdrejta. Nuk konstatoj nga deputetë apo ish-deputetë.
Sigurisht që tregu i barnave është një treg i veçantë, është një treg i rregulluar nga pikëpamja e çmimit.
Që, do të thotë se negociohet midis shtetit dhe importuesve dhe prodhuesve për çmimin e barit.
Mbi të ka marzhe që përcaktohen po nga qeveria. Por, nga ana tjetër sigurisht që është një treg specifik në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Me interesa të mëdha.
Unë besoj se përpjekjet e bëra nga ne në këta 18 muaj po japin fryte konkrete reale për të përmbushur angazhimin që kemi marrë që në fillim, që barnat në Shqipëri nuk duhet të kushtojnë më shumë se sa në vendet e origjinës ku ku ato prodhohen.
Dhe, besoj se qoftë ligji i ri i barnave i miratuar në 31 korrik, qoftë aktet e tjera të nxjerra nga qeveria, qoftë procesi i negociimit që ne zhvilluam në fund të vitit, ka bërë që ne të kemi në treg barna me çmime shumë më të ulëta. Flas për të njejtat barna dhe jo vetëm për futje të alterantivave të reja, për zgjerim të hapësirës për barna gjenerikë, por edhe për barna origjinatorë apo “barna patentë” të të njejtëve prodhues.
Nga dhjetori 2014 në janar 2015 kemi ulje të ndjeshme të çmimeve. Sa, unë do të thoja që nëse do të duam të blejmë me çmime të 2015-ës barnat që janë konsumuar në Shqipëri në 2013, shqiptarëve sot për barnat që blihen nëpër spitale, për barnat që janë në listën e rimbursimit (pra barnat që merren falas nga lista), për barnat që bashkëpaguhen nga lista e rimbursimit apo për barnat që njerëzit i blejnë me parà në dorë, (shqiptarët) këtë vit do të harxhonin rreth 40 milionë dollarë më pak”.
-Jua bëra këtë pyetje zoti ministër, natyrisht jo si akuzë, por për të kujtuar që ish-ministrat Halim Kosova apo Tritan Shehu (Partia Demokratike opozitare. v.j.) që kanë klinika apo punojnë në spitale univesritarë apo në universitete, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri (Partia Socialiste qeveritare. v.j.), i cili ka një biznes farmaceutik në familjen e tij dhe deputeti Tom Doshi (ish-PS. v.j.) që lidhesh me ndërmarrjen e prodhimit “ProFarma”? Pra, përsëris që nuk është akuzë, por është ndoshta një çështje që ka nevojë për një shpjegim për ata njerëz që zakonisht janë larg sistemit shëndetësor…
-Ilir Beqaj: “Le të themi që, nëse sot Tom Doshi ka interesa te “ProFarma”, “ProFarma” është një fabrikë 60-vjeçare barnash në Shqipëri. Ka prodhuar barna gjithë jetën dhe bile kur kemi qenë fëmijë edhe unë edhe ti (qesh. v.j.), me penicilinat e “ProFarmës” na kanë mjekuar prindërit. E para.
E dyta. Nëse prindërit e Saimirit kanë një aktivitet, nuk e di nëse mund të quhet “biznes”, sigurisht sipërmarrje është, private farmaceutike, e kanë përpara se Saimiri të bëhet deputet i opozitës apo përpara se Saimiri të bëhet ministër i Brendshëm.
Apo, qoftë Tritan Shehu dhe Halim Kosova. Sigurisht që janë mjekë me karrierë të gjatë në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Tritani është profesor në një universitet privat. Sot doktor Halimi pas një pune shumë, shumëvjeçare në spitalin “Geraldinë” (Shtëpi e Lindjes. v.j.) është deputet, por sigurisht ka edhe të drejtën të ushtrojë profesionin e tij të mjekut.
Kështu, që nuk më duket se këto që sapo thatë ndikojnë në treg. Sepse, unë po jua përsëris, që ajo çka ne bëmë, ligji që miratuam në Kuvend, vendimet që ka marrë qeveria, procesi që kemi bërë duke u sjellë një fitim të drejtpërdrejtë shqiptarëve prej 40 milionë dollarësh, tregon që nëse kanë interesa zhvillohen brenda ekonomisë së tregut, por pa ndikuar në vendimmarjen e politikës”.
-Qëndron e njejta logjikë zoti ministër për furnizimin e spitaleve me ushqime, me shtrojë, mbulojë, materiale të tjera hospitalorë, age, shiringa? Ka ndikime në këtë fushë?
-Ilir Beqaj: “Jo, jo nuk besoj! Së pari, një pjesë e mirë e furnizimit të atyre që quhen “shërbime jothelbësore shëndetësore”. Pra, mirëmbajtja e hotelerisë, ushqimi, keteringu bëhen me operatorë jopublikë, si çdo gjë tjetër. Edhe materialet e mjekimit janë materiale që tregtohen nga operatorë të ndryshëm. Praktikisht nëse u kthehemi të dhënave, përgjithësisht ata që merren me këtë punë, kanë në këtë biznes 10 apo 15 vjet”.
-Ç’është “leja e posaçme e ministrit” për importin e barnave? Ka akuza për tendera, për barna false, mungesë të barnave në treg. Shpesh shtohen zërat për dorëheqje të strukturave të larta, të individëve. Ndoshta ju?
-Ilir Beqaj: “Ajo çfarë pyetët ju ka të bëjë me një hapësirë që vetë legjislacioni ia njeh ministrit që për momente të caktuara të mund të japë një autorizim të veçantë për import për barna që nuk janë të regjistruar në Shqipëri.
Së pari, edhe në këto raste ministri është i detyruar të zbatojë për origjinën e barit gjeografinë që ka përcaktuar ligji edhe për barnat e regjistruar.
Dhe, së dyti, procesi konkret i importimit bëhet duke zbatuar të njejtat rregulla.
Ka sot nevoja për barna në Shqipëri që nuk janë të regjistruar në Shqipëri. Edhe në listën e rimbursimit kemi nevojë, edhe në spitale kemi nevojë. Kjo ka ndodhur në vite, nuk ka ndodhur vetëm në vitin 2014 apo që nga momenti që jam unë ministër dhe në vijim.
Për të plotësuar këto nevoja kryesisht për shërbimin spitalor, ekziston kjo hapësirë. Ne kemi sot ende në treg mungesë për disa barna edhe shumë të nevojshëm që nuk kushtojnë shumë, pra që nuk është problem parash, por për arsye të caktuara subjektet private nuk kanë interes t’i tregojnë.
Po ju ilustroj me nevojën që patëm gushtin e kaluar për barna kundër malarjes.
Nuk kishte, sepse prej vitesh në Shqipëri malarja nuk ekzisonte më!
Duke qenë se kohët e fundit, disa shqiptarë kanë filluar të punojnë në vende të ndryshme të Afrikës, ata e sollën sëmundjen këtu dhe ne në gusht u gjendëm para momentit që s’kishim barna dhe na u desh të bënim këtë lloj procedure, duke vendosur me këtë autorizimin e posaçëm që ju citoni në pyetjen tuaj, pikërisht për të dhënë këtë shërbim jetik.
Ende edhe sot unë e përsëris që për malarjen nuk ka barna, por do të na duhet ta blejmë me këtë autorizim të veçantë”.
-Nëse keni informacion zoti ministër, si po ecën projekti i telemjekësisë?
-Ilir Beqaj: “Ne, besoj deri në fund të muajit prill përfundojmë vënien në funksion të lidhjes me rrjetin e telemjekësisë të të gjithë spitaleve universitare dhe të 11 spitaleve rajonalë të Shqipërisë.
Sigurisht pastaj sfidë mbetet përdorimi sa më i mirë i kësaj infrastrukture, sidomos në drejtim të dhënies sa më shpejt të përgjigjeve të diagnozave të ndryshme.
Po padyshim edhe shfrytëzimi i kësaj mundësie për më shumë rritje kapacitetesh profesionale të mjekëve tanë.
Do të na duhet të administrojmë më mirë qendrën këtu në Tiranë, e cila në bashkëpunim me shërbimet universitare do t’u japë spitaleve të ndryshëm rajonalë, përgjigje sa më të shpejtë në rastet kur ka kërkesa për pacientë të ndryshëm.
Pastaj, shtrirja e telemjekësisë duhet të bëhet edhe më kapilare në shërbimin parësor”.