Dita e shtunë ka sjellë një zhvillim historik për Serbinë, Kosovën dhe të gjithë Ballkanin. Për herë të parë një udhëheqës serb në fuqi, ka pranuar botërisht se Serbia e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën. Ai u ka bërë thirrje serbëve që të bëhen realist dhe të përpiqen të shpëtojnë çfarë të mundet.
Fjalimi paralajmëron largimin e Serbisë nga Veriu i Kosovës, por ky hap i guximshëm është shoqëruar me një propozim absurd që serbët e Kosovës të gëzojnë statusin e autonomisë. Disa zyrtarë të BE-së dhe media pa u menduar mirë pyetën nëse Kosova do të vlerësojë lëshimin e Beogradit duke pranuar kërkesën për autonomi.
Shpresoj se shpejt do të kuptohet se propozimi për autonomi të serbëve është një absurditet që nuk ia vlen të merret parasysh. Më poshtë do të shpjegohet sepse.
Së pari, duhet vlerësuar guximi i kryeministrit Ivica Dacic për t’u thënë serbëve se Beogradi nuk mund të vazhdojë të hiqet sikur Kosova është pjesë e Serbisë, se ky realitet ka mbaruar që kur trupat e NATO-s hynë aty në 1999. Presidenti Tadiç dhe qeveria e tij, ndonëse më pro-europianë dhe më të moderuar, nuk do të kishin guxuar kurrë ta belbëzonin një gjë të tillë. Vetëm një nacionalist që nga koha e Millosheviçit si Daçiçi ka besueshmërinë për ta thënë. Në shumë mënyra pra, është më mirë që në Serbi erdhën në pushtet nacionalistët e vërtetë sesa ata gjysmakë që nuk guxojnë të flasin hapur.
Sigurisht, Dacic nuk po tërhiqet nga Veriu i Kosovës nga dashuria për Kosoën. Ai kërkon me ngulm të afrojë Serbinë drejt Bashkimit Europian dhe ky i fundit pasi ka shpenzuar qindra miliona në Kosovë është i frustruar që EULEX ende nuk bën dot ligjin në Veriun e vendit. Serbia nëse do t’i afrohet BE-së minimum që duhet të bëjë është që të mos ia sabotojë misionin më të madh të tij në histori.
Po Dacic nuk mund të marrë në shkëmbim të këtij lëshimi më shumë se sa meriton ky veprim. Ai nuk mund të pretendojë që të shpërblehet edhe me fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE (proces që pastaj kërkon vite të mbarojë) edhe më ndihma financiare nga BE edhe me autonomi të Serbëve në Kosovë edhe me duartrokitje nga nacionalistët në Serbi.
Prandaj propozimi i tij që serbët e Kosovës të gëzojnë statusin e autonomisë është jo vetëm i tepruar po edhe absurd. Dhe ja sepse.
Së pari, Pakoja e Ahtisaarit i ka bërë serbët e Kosovës pakicën kombëtare e fetare më të përkëdhelur në botë. Çdo shtesë në të drejtat që kanë është një fyerje për të gjitha pakicat në Ballkan e tjetërkund që as që mund të ëndërrojnë një gjë të tillë. A do të pranonte Serbia një autonomi të tillë për shqiptarët në Preshevë apo myslimanët në Sanxhak?
Sigurisht që ideja e një Ahtisaari Plus (pra e një lloj autonomie për serbët e Kosovës) ka kohë që qarkullon si në media ashtu edhe në rrethet diplomatike. Po ajo është diskutuar në kuadrin e një marrëveshje të madhe me Serbinë, në bazë të të cilës, Serbia do të njihte Kosovën si të pavarur duke lejuar anëtarësimin e saj në OKB etj. Dhe në shkëmbim Kosova do të pranonte autonomi për Veriun.
Jo vetëm që kjo ide është hedhur poshtë edhe kështu në shkëmbim të pavarësisë, po Daçiç është duke e propozuar pa marrë në konsideratë as njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai po kërkon një gjë të pamundur. Si mund të jetë Veriu i Kosovës autonom, kur Kosova vetë nuk është shtet sipas Serbisë. Autonomi brenda autonomisë është një tallje me të drejtën ndërkombëtare dhe realitetin në terren.
Fjalët e Dacicit në parlamentin e Serbisë, ditën e shtunë, ishin historike. Serbët ashtu si kombet e gjithë botës, kanë nevojë për udhëheqës që flasin hapur e nuk i mbajnë me premtime të pamundura. Po sado historike, të guximshme dhe të sinqerta, ato mbeten po ashtu thjesht fjalë. Askush në Bruksel nuk duhet të kërcejë nëse Serbia nuk prish konkretisht strukturat e saj në Veri të Kosovës, nëse nuk ndërpret financimin e bamdave të saj në Veri, nëse nuk pushon së kërcënuari e sulmuari ata serbë që guxojnë të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe Prishtinën.
Kosova vetë nuk duhet të ndjehet e detyruar të bëjë lëshime sepse Serbia nuk po i bën asaj ndonjë lëshim konkret. Serbia po ia bën këtë lëshim BE-së dhe do të shpërblehet prej saj. Asjo që duhet të bëjë Kosova është të zbatojë ligjin dhe të mbrojë pakicën serbe ashtu si ka premtuar dhe si i takon. Sulmet kundër serbëve janë të papranueshme. Serbët duhet të ndihen të barabartë me shqiptarët përpara ligjit. Pakoja e Ahtisaarit ka lënë shumë shqiptarë të pakënaqur por politika është arti i të mundshmes. Mënyra më e mirë për të penguar serbët që të kërkojnë më shumë se çfarë u takon është që Pakoja e pranuar të zbatohet edhe në realitet.
Në fund, Prishtina dhe Tirana duhet të kërkojnë të drejta të ngjashme në mos të njëjta për shqiptarët në Preshevë. Të drejtat e njeriut dhe të pakicave nuk mund të jenë të ndryshme këtej e andej kufirit, ato janë universale.