Prishtinë, 9 gusht 2021 – Shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se të gjitha partitë në Kosovë kanë shprehur kundërshtitë e tyre për iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkan), pasi, sipas saj, kjo nismë është e “dëmshme” për faktin se Serbia është bosht i kësaj iniciative.
“Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative, siç është rasti i ‘mini-Shengenit’ dhe (tani) ‘Open Balkans’”, tha Kusari-Lila të hënën në Prishtinë, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Në këtë nismë, që është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Kusari-Lila tha se kjo nismë s’mund ta ketë një emërtim të tillë, pasi kundërshtohet nga tri vende të Ballkanit Perëndimor.
“Konsiderojmë që shumë më shumë fokus duhet t’i jepet pengesave të deritashme që janë bërë sesa iluzioneve se mund të ndryshojë i njëjti shtet në raport me ne ose në raport me shtetet e tjera në Ballkan. Nuk jemi i vetmi shtet që refuzon ‘Open Balkan’. Prandaj, nuk mund të quhet si i tillë derisa tri nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kundërshtojnë iniciativën”, tha Kusari-Lila.
Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.
Në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ishte zotuar se do të bëhej pjesë e “mini-Shengenit”.
Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë – që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik – deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan.
Nga Ambasada amerikane në Prishtinë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti, që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.
(REL)