Nju Jork, 9 gusht 2021 – Një komision i Kombeve të Bashkuara që trajton çështje që lidhen me ndryshimin e klimës thotë se ngrohja globale është tashmë një tipar i përhershëm i jetës së përditshme, por ende mund të ndërmerren hapa për të parandaluar pasojat më të rënda të saj.
Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike lëshoi të hënën një raport që pritej prej kohësh, ku thuhej se ndryshimet klimatike “shkaktohen pamëdyshje nga aktivitetet njerëzore” që kanë çuar në një ngrohje graduale të Tokës, me pak më shumë se 1.1 gradë Celsius që nga shekulli paraindustrial, ai i 19-të.
Paneli paralajmëron se në 20 vjet, bota ka të ngjarë të arrijë dhe madje të tejkalojë pragun e ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius që siç kanë parashikuar shkencëtarët do të çojë në ndryshime të pakthyeshme të tilla si shkrirja e akullnajave, ngritja e nivelit të detit, përmbytje shkatërruese e thatësirë në të gjithë botën.
Po sipas raportit thuhet se megjithatë bota mund t’i zbusë pasojat e rënda të këtyre ndryshimeve përmes një zhvendosjeje të menjëhershme nga karburantet fosile, që janë burim emetimi të gazit karbonik në atmosferë, i cili shkakton të ashtuquajturin efektin serrë, proces gjatë së cilit nxehtësia bllokohet në atmosferën e Tokës, në vend që të lëshohet në hapësirë.
“Këmbanat e alarmit janë shurdhuese”, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres nëpërmjet një deklarate me shkrim në lidhje me raportin që paralajmëron siç tha “një situatë emergjence për njerëzimin”.
Zoti Guterres tha se raporti i ri “duhet të shënojë fundin e përdorimit të qymyrgurit dhe karburanteve fosile”, duke u bërë thirrje vendeve të zhvilluara në botë të heqin dorë nga fabrikat ekzistuese të qymyrit, të katërfishojnë kapacitetet e prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, si dhe të trefishojnë investimet në energjinë e rinovueshme deri në vitin 2030.
Ky raport, miratuar nga 195 vende, do të jetë në qendër të takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara mbi çështje të klimës, i cili do të mbahet në Glasgou të Skocisë në muajin nëntor. Samiti synon hartimin e një strategjie globale për të luftuar ndryshimet klimatike.
(Zëri i Amerikës)