Shkup, 11 gusht 2021 – Numri rasteve të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut po vjen duke u rritur me një shpejtësi të madhe ditëve të fundit. 588 raste dhe 8 viktima janë regjistruar vetëm në 24 orët e fundit. Më së shumti të prekur rezultojnë në Shkup (230) dhe në Tetovë (101), pastaj në Gostivar, Kërçovë e Dibër (të Madhe). Dy prej viktimave janë nga Tetova, dy nga Gostivari dhe nga një në Shkup, Kërçovë, Prilep dhe Veles.
Shtimi i rasteve me koronavirus, sipas mjekëve, ka të bëjë me tubimet nëpër ambiente të mbyllura, në ahengje familjare, diskoteka, ku nuk respektohen as masat anti-kovid.
Edhe numri i pacientëve që kërkojnë të shtrihen në spitale ka filluar të rritet dukshëm.
Këto muaj të verës mijëra qytetarë nga diaspora janë kthyer në vendlindje dhe zakonisht është kjo periudha kur bëhen dasma dhe tubime të tjera familjare. Një situatë e këtillë është vërejtur në veçanti në Tetovë, ku edhe numri i rasteve të të prekurve me Covid ka shënuar rritje.
Autoritetet shëndetësore nuk kanë ofruar të dhëna të sakta se sa prej rasteve aktive janë me variantin Delta, por ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe para pak ditësh tha se janë vetëm disa dhjetra me këtë variant.
Nga ana tjetër, është shtuar edhe numri i të interesuarve për të marrë vaksinën kundër koronavirusit, sa që para qendrave të vaksinimit krijohen radhë dhe pritet nga disa orë. Kjo situatë ndodhi pasi autoritetet njoftuan se nga data 16 gusht do t’u ndalohet hyrja në restorante, kafeteri dhe nëpër teatro e qendra të mbyllura publike atyre të cilët nuk janë vaksinuar. Të vaksinuarit duhet të dëshmojnë përmes një certifikate vaksinimin e tyre nëse duan të hyjnë në këto vende. Kjo ka nxitur reagime dhe kritika sidomos nga opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE, e cila thotë se qeveria po bën diskriminimin e qytetarëve duke shkelur të drejtat e tyre themelore.
Deri tani në Maqedoninë e Veriut janë aplikuar përafërsisht 1 milion vaksina, përkatësisht pak mbi 552 mijë qytetarë, prej të cilëve mbi 446 mijë kanë marrë edhe dozën e dytë.
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit janë regjistruar 159.269 raste. Aktualisht janë 3,135 raste aktive dhe 5,521 viktima.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)