Prishtinë, 12 gusht 2021 – Në Kosovë është anuluar mbajtja e festivalit të birrës “Beerfest”, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit.
Organizatorët e festivalit njoftuan përmes rrjetit social Facebook, se edicioni i 10-të i festivalit është anuluar “pas një vendimi të Policisë së Kosovës ku thuhet se mbajtja e këtij festivali paraqet rrezik për qytetarët”.
Kompania që e organizon festivalin, Modus Event Management, thotë se është pajtuar me këtë vendim, pavarësisht faktit se “Beerfest” nuk dallon në thelb nga aktivitetet dhe festivalet që po mbahen ditëve të fundit në Kosovë.
Të enjten në Kosovë janë regjistruar dy viktima dhe 1.006 raste të reja pozitive me COVID-19.
Masat kundër përhapjes së COVID-19 në masë të madhe nuk po respektohen nga qytetarët dhe sjellja e tyre ndaj pandemisë është pothuajse shpërfillëse. Në shumë ambiente të mbyllura qytetarët nuk mbajnë fare maska mbrojtëse dhe as distancë fizike.
Institucionet kometente nuk kanë vendosur ende se çfarë masash do të mndërmarrin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se qeveria zhvillon konsultime të vazhdueshme me ekspertë të shëndetësisë për të diskutuar përsituatën e krijuar dhe për të marrë rekomandimet e tyre. Ai kathënë se masat që do të ndërmerren do të jenë “konform situatës epidemiologjike dhe trendit të vaksinimit”.
Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se rritja e shpejtë e shofrave të të infektuarve është pasojë e përhapjes së variantit Delta. Ai ka theksuar se shpërfillja e masave parandaluese, përfshirë mbajtjen e maskave në objekte të mbyllura apo në mjete të transportit publik, grumbullimet dhe intensifikimi i kontakteve” mund të çojë në ndërmarrjen e masave të tjerë shtesë.
Raka ka thënë se policia dhe inspektoratet, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal, duhet të mbikëqyrë më mirë respektimin e masave parandaluese të përhapjes së pandemisë.
(r.m.)