Tiranë, 13 gusht 2021 – Dy të dënuar, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, tentuan të arratisen nga burgu i sigurisë së lartë në Tiranë, por përpjekja e tyre dështoi dhe ata u kthyen sërish në qeli.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, duke marrë shkas nga kjo ngjarje, publikoi disa dokumente, që tregojnë se historitë e arratisjes nga burgjet e Shqipërisë nuk janë të reja.
“Në Arkivin Qendror Shtetëror ruajmë dokumente të para një shekulli, ku flitet për arratisjen e të burgosurve dhe masat e marra për kohën”, thuhet në një postim në Facebook të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Në postim publikohen edhe dokumente për një arratisje të vitit 1920 nga burgu i Tiranës. Dokumentet dëshmojnë se tetë të dënuar ishin arratisur me ndihmën e një gardiani të burgut. Në mesin e të arratisurve ishte edhe djali i gardianit.
Postimi i plotë:
Arratisjet nga burgjet, emra të rinj, histori e vjetër!
Tentativat për t’u arratisur nga burgjet shpesh nuk dalin me sukses, por personat që janë duke vuajtur dënimet brenda katër mureve, me ç’duket, nuk kanë çfarë të humbasin, ndaj dhe e provojnë shpesh këtë mënyrë.
Disa prej arratisjeve spektakolare nga burgjet kanë hyrë dhe në histori, duke u kthyer në romane apo filma.
Të tilla arratisje ka patur edhe në Shqipëri, ndoshta duke përjashtuar periudhën 1945-1990: edhe po të arratiseshe, ku do shkoje?
Në Arkivin Qendror Shtetëror ruajmë dokumente të para një shekulli, ku flitet për arratisjen e të burgosurve dhe masat e marra për kohën.
Për shembull, më 1920 një gardian burgu duket se bashkëpunon në arratisjen e tetë personave nga burgu i Tiranës, njëri prej të cilëve ishte i biri i vetë gardianit. Kurse në fotografi kemi pamje të burgut të Tiranës mes viteve 1932-44.
(r.m.)