Uashington, 13 gusht 2021 – Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar bisedime të fshehta me më shumë vende sesa që ishin bërë publike, për të arritur marrëveshje për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, tha agjencia e lajmeve Reuters duke iu referuar katër zyrtarëve amerikanë.
Diskutimet e paraportuara më parë me vende si Kosova dhe Shqipëria nënvizojnë dëshirën e administratës për të mbrojtur afganët që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara nga hakmarrja e talebanëve, ndërkohë që përmbyllet procesi i miratimit të vizave amerikane.
Agjencia Reuters citoi burimet t’i kenë thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike në shkëmbim të pranimit te disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.
As qeveria e Kosovës, as e Shqipërisë nuk pranuan t’i përgjigjeshin interesimit të Zërit të Amerikës për konfirmimin e këtyre njoftimeve.
Ndërsa talebanët po shtrijnë kontrollin e tyre mbi Afganistanin me një shpejtësi tronditëse, Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se do të dërgojnë 1 mijë veta në Katar për të përshpejtuar përpunimin e aplikimeve për Vizat e Posaçme të Imigrimit (SIV). Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane dhe në punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për këtë program.
Deri më tani, rreth 1 mijë e 200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3 mijë e 500 në javët e ardhshme.
Nga frika se përparimi i talebanëve po shton kërcënimin për aplikuesit në programin SIV që janë ende në pritje të përpunimit, Uashingtoni po kërkon vende të treta që t’i presin ata derisa të përgatiten dokumentet e tyre dhe të mund të fluturojnë për në Shtetet e Bashkuara.
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur me kushtin që të mos identifikohen, thanë për agjencinë Reuters se vendet ishin në mëdyshje për të pranuar afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për shkak të COVID-19 para se të lejoheshin të fluturonin.
Administrata e presidentit Biden po shqyrtonte mundësitë që Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani të merrnin mijëra aplikantë, por këto përpjekje kanë shënuar pak përparim.
Një marrëveshje për strehimin e rreth 8 mijë afganëve në Katar, ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake amerikane, është arritur tash e disa javë, tha një tjetër zyrtar amerikan dhe një person tjetër i njohur me këtë çështje, por një marrëveshje zyrtare ende nuk është shpallur.
Zyrtarët paralajmërojnë se ritmi i çdo marrëveshjeje të mundshme mund të pengohet nga situata në Afganistan që po ndryshon me shpejtësi.
Kryengritësit kanë marrë rreth gjysmën e 34 kryeqyteteve të provincave të vendit ditët e fundit. Këtu përfshihen qyteti i dytë dhe i tretë më i madh në vend, Herati dhe Kandahari. Talebanët tani kontrollojnë më shumë se dy të tretat e Afganistanit vetëm disa javë para se Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen e trupave të saj të fundit.
Ngurrimi i disa vendeve ka bërë që administrata të apelojë tek të tjerët që mund të jenë të gatshëm të ndihmojnë nëse Uashingtoni ofron mbështetje, thanë zyrtarët.
Në këtë kuadër sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar edhe me Kosovën dhe Shqipërinë.
(Zëri i Amerikës)