Tiranë, 13 gusht 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë thirrje për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit,
Në një mesazh në rrjetet sociale, në 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Meta e ka cilësuar këtë marrëveshje “një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për të forcuar marrëdhëniet, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian”.
Meta ka thënë se gjatë dy dekadave të fundit shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dëshmuar se janë të përkushtuar për stabilitetin e vendit dhe ka bërë thirrje për avancimin e pozitës sëshqiptarëve në këtë vend.
“Respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar presidenti Meta.
Postimi i plotë:
Në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës për respektimin e saj, inkurajoj domosdoshmërinë e zbatimit të plotë dhe jetësimit integral, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për të forcuar marrëdhëniet, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në këto dy dekada kanë qenë jo vetëm të përkushtuar për stabilitetin e vendit, por edhe garantë të integrimit euroatlantik të saj.
Respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut.
Përshëndetje vëllazërore dhe krenar për bashkëkombasit tanë, për rolin dhe angazhimin e tyre aktiv, konstruktiv dhe të pazëvendësueshëm për sovranitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
(r.m.)