Berisha: Të nisë regjistrimi i ekipeve të Kosovës në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha kritikoi ndërkombëtarët që nuk lejojnë Ligën Mbarëkombëtare si dhe Kosovën që të luajë ndeshje miqësore – Ai tha se , RTK po transmeton me TVSH-në, përkundër kritikëve që këto nuk mund të bëhet

 

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha e quajti “diktatorë” ndërkombëtarët që pengojnë krijimin e Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Zoti Berisha ngarkoi ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi që bashkarisht me homologun e tij në qeverinë e Kosovës, të fillojë menjëherë regjistrimin e klubeve të Kosovës në Shqipëri.
Kryeministri garantoi se shpejt do të caktohet fondi i nevojshëm për Ligën Mbarëkombëtare të Futbollit. Zoti Berisha drejtoi mbledhjen e radhës të qeverisë: “Qytetet e vendit të nisin regjistrimin e klubeve sportive të qyteteve kosovare që të marrë fund kjo lloj zhurme vulgare e këtyre internacionalistëve që nuk lanë mashtrim pa iu paraqitur shqiptarëve se kjo nuk mund të bëhet! Të fillojë regjistrimi nga Gjirokastra deri në Kukës dhe ne do të përcaktojmë fondin për Ligën Mbarëkombëtare të Futbollit. Ata t’i lëmë në pamundësi, ne të bëjmë Ligën”!
Kryeministri u ndal te mbështetja mbarëshqiptare për Kombëtaren dhe kritikoi pengesën e Kosovës për të luajtur në ndeshje miqësore: “Nuk mund të ketë implikim për përfaqësim ndërkombëtar, por ndeshjet vëllazërore nuk mund të mos i pranojmë. Harrojnë ata që vijnë nga të katër anët e trojeve shqiptare për të mbështetur skuadrën këtu apo që shkojnë nëpër Europë dhe skuqin stadiumet e Europës me zjarrin e idealit të bashkimit kombëtar në shpirt. Janë tifozat kuq e zi, zgalemë të mesazhit të bashkimit kombëtar”!
Zoti Berisha kritikoi gjithashtu kundërshtarët e Ligës Mbarëkombëtare se nuk arsyetojnë drejt, sepse sipas tij, kanë interesa personale: “Dy përfaqësues, që absolutisht jo Kosovën që nuk përfaqësojnë ata, por njeri ka qenë repist i mirë dhe i ka lënë edhe repet tani dhe tjetri është këshilltar i Edi Ramës për nacionalizmin (dhe që unë e kam mik për kozmopolitizmin), lexonte mesazhin e Edi Ramës. Kam marrë me mijëra mesazhe nga Kosova, të cilat më thonë që “ata përveç vetes së tyre nuk përfaqësojnë asgjë”! Nuk kanë interes kombëtar, ata kanë interesa personale”.
Federata Shqiptare e Futbollit thotë se krijimi i ligës së përbashkët pengohet nga statutet e FIFA-s dhe UEFA-s, që nuk lejojnë federatat që të organizojnë ndonjë lloj veprimtarie jashtë territorit të vendit të tyre si dhe me federata që nuk janë njohur zyrtarisht.
Ndërkaq, zoti Berisha nuk e fshehu entuziazmin dhe një ndjenjë triumfuesi, kur tha se hapësira e përbashkët për transmetimet radiotelevizive në Shqipëri dhe Kosovë, ka filluar. Kryeministri deklaroi se Radio Televizioni i Kosovës (RTK) e filloi transmetimin në hapësirën e Shqipërisë pas bashkëpunimit me Radio Televizionin Shqiptar (TVSH). “Televizioni shtetëror, filloi transmetimin në “high definition” të Televizionit Publik të Kosovës”-tha ai. Në këtë këndvështrim, të kritikave ndaj kundërshtarëve të nismave futbollistike dhe mediale, zoti Berisha vijoi: “Ky këtu, për Batonin (gazetari Baton Haxhiu), përfaqëson Ramën. Kundërshtuan hapësirën e përbashkët të medias, por ajo nisi”! Kryeministri për të gjithë këtë referim, kujtoi një përfundim që sipas tij kishte nxjerrë për shqiptarët, misionari amerikan Harri Fulc, i cili veproi në Shqipëri në vitet 20’-të të shekullit të kaluar: “E ka thënë Harri Fulci që “këta janë njerëz të mrekullueshëm”! “Kanë një inteligjencë të jashtëzakonshme! Në kafenetë e tyre flitet më me mençuri dhe më me hollësi për politikën se sa në Uashington! Por, problemi i tyre është se kur vjen puna tek interesi shoqëror, e kanë tmerrësisht të shkurtër dhe vetëm interesa personale”-citoi përfoli zoti Berisha misionarin amerikan.