Biden e mbron vendimin për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani

Uashington, 16 gusht 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur keqardhje për zhvillimet në Afganistan, por e ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqjen e forcave nga ky vend.

“Jam thellësisht i trishtuar për situatën me të cilën po përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t’i dhënë fund luftës në Afganistan”, ka thënë Biden, në një fjalim drejtuar kombit amerikan, të hënën.

“Nuk mund të kërkoj dhe nuk dua të kërkoj që forcat tona të luftojnë pafundësisht në  një luftë qytetare të një vendi tjetër”, ka theksuar ai.

“Sa breza të tjerë të vajzave edhe të djemve të Amerikës do të kishit dërguar për të luftuar në Afganistan, kur trupat afgane nuk do ta bënin këtë?”, është shprehur Biden.

“Ne u dhamë atyre çdo mjet që ata mund të kenë nevojë. Ne ofruam mbështetje ajrore. Ajo që ne nuk mund të sigurojmë është vullneti për të luftuar për të ardhmen e tyre. Do të vazhdojmë t’i mbështesim qytetarët afganë, do bëjmë atë që mundemi”, ka shtuar ai.

Presidenti amerikan i ka paralajmëruar talebanët se “do të marrin përgjigje të fuqishme” në qoftë se i sulmojnë zyrtarët amerikanë ose e pengojnë operacionin e tërheqjes nga Afganistani.

“Ua kemi bërë të qartë talebanëve se nëse e sulmojnë personelin tonë ose e ndërpresin operacionin, përgjigja e SHBA-së do të jetë shpejtë dhe e fuqishme”, ka theksuar ai

Biden ka thënë se interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ishte parandalimi i sulmeve terroriste dhe jo shtet-ndërtimi.

Presidenti amerikan ka thënë se qeveria afgane nuk e dëgjoi këshillën e tij dhe të negociojë një zgjidhje politike me talibanët. Ai ka shtuar se kolapsi i qeverisë afgane ndodhi shumë më shpejt se sa që kishte pritur administrata e tij.

Kjo ishte paraqitja e parë publike e presidentit Biden që kur talibanët e morën kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, Kabul.

Të dielën, kur e morën kontrollin në pallatin presidencial, pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi, talibanët thanë se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre. Ata nuk  hasën në rezistencën e forcave qeveritare.

Të hënën, në Aeroportin e Kabulit mbretëroi gjendje kaotike. Mijëra afganë po përpiqen të largohen nga vendi, nga frika e hakmarrjes së talebanëve.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Ladenin dhe figura tjera të Al-Kaidës të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të atij viti në Shtetet e Bashkuara.

(r.m.)