Vështirësi në evakuimin e afganëve nga Kabuli

Uashington / Kabul,18 gusht 2021 – Zyrtarët e lartë amerikanë kanë folur të mërkurën (18 gusht) për vështirësitë që po hasin në evakuimin nga Kabuli të personelit dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane.

Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, tha se talibanët po shkelin premtimet dhe se Shtetet e Bashkuara po u bëjnë presion atyre që të lejojnë afganët të ikin përmes aeroportit të kontrolluar nga SHBA-ja në Kabul.

“Ne kemi parë raporte se talibanët, në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë sonë, po bllokojnë afganët që duan të largohen nga vendi për të arritur në aeroport”, u tha Sherman gazetarëve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha të mërkurën se janë rreth 4.500 personel ushtarak amerikan në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Ai tha se nuk ka pasur “ndërveprime armiqësore me talibanët” dhe se linjat e komunikimit me komandantët talibanë mbeten të hapura.

Sa i takon evakuimit nga aeroporti i Kabulit të personelit dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane, Austin tha se ky proces nuk është në nivelin e dëshirueshëm.

“SHBA-ja nuk ka kapacitete aktualisht që të shkojë dhe të marrë numër të madh të amerikanëve jasht aeroportit të Kabulit”, tha Austin, duke shtuar se çështja më madhore tash për tash është dërgimi i njerëzve deri në aeroport.

Ndërkaq shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane, Mark Milley tha se situata në aeroportin e Kabulit aktualisht është stabile.

Më herët nga pamjet e videove të publikuara u shfaqen disa militantë në kryeqytet duke fshikulluar njerëzit që po përpiqeshin të arrinin në aeroport, ndërsa u dëgjuan edhe të shtëna me armë.

Gjatë një rrëmuje në aeroportin e Kabulit janë plagosur 17 persona më 18 gusht, i ka thënë agjencisë Reuters një zyrtar i sigurisë i NATO-s.

Forcat amerikane morën kontrollin e aeroportit të dielën (15 gusht) për të siguruar largimin e personelit dhe afganëve që kanë punuar me forcat e huaja. Në të njëjtën ditë, talibanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul dhe hynë në Pallatin presidencial disa orë pasi presidenti, Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë operacionin e evakuimit, do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

(REL)