Kim prezanton këshilltarin e BKH-së, ish-agjentin e FBI-së, Steve Butler

Tiranë, 19 gusht 2021 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, prezantoi të mërkurën ish-agjentin Special Mbikëqyrës të FBI-së, Steve Butler, i cili do t’i bashkohet ekipit shqiptar që do të luftojë korrupsionin. Butler do të veprojë si këshilltar në strukturën e re të drejtësisë në Shqipëri, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e cila bashkëpunon me SPAK-un dhe mbështetet nga SHBA-ja.

Ambasada Amerikane në Tiranë, përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi se kryediplomatja Kim është takuar me ish-agjentin dhe se temë bisede ka qenë lufta kundër korrupsionit në Shqipëri.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri ish-agjentin Special Mbikëqyrës të FBI-së dhe këshilltarin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Steve Butler. Ambasadorja Kim u takua me Steve për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të biseduar mbi mbështetjen tonë të vazhdueshme për punën themelore të SPAK-ut në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet trajnimeve, ndërtimit të kapaciteteve, pajisjeve dhe  ekspertizës këshilluese”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Dhjetë ditë më pare e nisën punën 27 hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët e pëfunduan trajnimin bazë. Nëntë prej tyre u vendosën në OPGJ- në e ish-Krimeve të Rënda, 4 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Kukës, 3 në Prokurorinë e Përgjithshme.

Grupi i 27 hetuesve të FBI-së shqiptare është përzgjedhur në tetor të vitit 2020. Ndërkohë ata iu nënshtruan trajnimit nga ekspertë të Drejtorisë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA) dhe Byronë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI).

Anëtarët e BKH-së do të rekrutohen dhe monitorohen dy vjet nga ekspertët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(r.m.)