Prishtinë, 20 gusht 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të premten një takim online me përfaqësues të dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare për të diskutuar situatën humanitare në Afganistan, të organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Ky takim është organizuar nga Zëvendës Sekretarja e Shtetit, Wendy R. Sherman dhe Nën-Sekretarja e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.
Zyra e Kryeministrit Kurtit bën të ditur se zëvendës-sekretarja Sherman dhe nënsekretarja Nuland kanë shprehur vlerësimin e qeverisë amerikane për vendet që kanë shprehur gatishmërinë për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kurtit thuhet se zonja Sherman ka thënë se të gjitha shpenzimet për strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane.
Qeveria ka marrë vendim për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Ekipet përkatëse të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në komunikim të vazhdueshëm në lidhje me hollësitë e strehimit të tyre.
Numri i afganëve që do të strehohen në Kosovë nuk dihet ende. Ekspertë të fushës së sigurisë vlerësojnë se Kosova mund t’u sigurojë strehim rreth 3.500 personave.
(r.m.)