Është vështirë të flitet në këtë çast pikëllimi për mikun dhe kolegun tonë të nderuar, Shaban Afifaj. Kjo vjen nga një hidhërim i madh që ndjejmë për të dhe nga nderimi e respekti i thellë për të në këto çaste dhe jo ngaqë nuk ka çfarë të veçohet për të.
Ai ishte një mik, koleg dhe profesionist i shkëlqyer. Ishte një njeri i mirë që me zemërgjerësinë e tij fitonte adminrimin e të gjithëve, ndsërkaq me punën e tij vetëmohuese ia krijoi vetes një emër që do të mbahet mend përgjithnjë si gazetar, si shkrimtar, si profesionist.
Është vështirë të gjendet një profesionist me autoritet më bindës për të folur për radio-gazetarinë në Kosovë sa është z. Shaban Arifaj. Duke qenë i përkushtuar për dekada në kultivimin e radio-gazetarisë, z. Arifaj ka qenë njëri ndër folësit, gazetarët, redaktorët dhe profesionistët më të denjë në këtë fushë të gazetarisë. Ai është bërë aq i popullarizuar sa që identifikohet tërësisht në publik me punën e tij dhe me Radiotelevizionin e Kosovës. Ekspertiza e tij, madje, u përmblodh edhe në libra që e përfaqësojnë punën e tij profesionale dhe angazhimin shumëvjeçar në gazetarinë e radios së kultivuar në Kosovë. Ai ka shënuar më shumë se një kapitull në gazetarinë kosovare, sidomos në radio-gazetarinë, duke zgjeruar perspektivën e saj, madje, edhe me kapituj që kanë të bëjnë me një punë kronologjike në historikun e radios kosovare.
Përmes kontributit të tij në traditën e gjatë të radios në Kosovë, të ilustruar me shembuj nga oscilimet e shumta, varësisht prej luhatjeve të kohëve nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe shoqëria e saj, z. Arifaj luajti një rol të rëndësishëm si protagonist i radio-gazetarisë në Kosovë. Emri i tij lidhet me këtë medium nga më të hershmit dhe më të njohurit në kuadër të rolit emancipues të radios, bashkë me bartës të shumtë, emra të rëndësishëm që i dhanë jetë informimit për dekada të tëra.
Përtej një dimensioni të rëndësishëm profesional kyç për gazetarët e radios, atë të gjuhës së folur, diksionit dhe shkrimit gazetaresk për radio, duke qenë njëri nga profesionistët më të shquar në këtë fushë, ai vë në pah rëndësinë e kultivimit dhe të aplikimit të gjuhës së rrjedhshme, tërheqëse dhe të këndshme në plasimin e informacionit që nuk vjen gjithmonë nga timbra të dhuntuar radiofonike.
Në dakadën e fundit të viteve ’90, Shaban Arifaj, bashkë me kolegët e tij të kohës, e kishte përjetuar trysninë e madhe ndaj fjalës së shkruar dhe të folur shqipe në Kosovë. Ai nuk u dha, por ishte pjesë e çarjes së territ informativ që na u imponua nga pushtuesi serb dhe punoi për të vërtetën e Kosovës.
Nisur nga përvoja e gjatë në gazetari, pas luftës, ai solli njohuritë e tij në themelimin e Radiotelevizionit të Kosovës – Radios, në krijimin e një gazetarie të pavarur dhe objektive.
Për shumë vite punuam së bashku për t’ia krijuar Kosovës një transmetues publik të respektuar. Por, ai e zgjeroi vokacionin e tij intelektual edhe me shkrime diskursive, madje edhe me letërsi. Ai i la disa romane dhe libra të tjerë të admirueshëm.
Duke u ndarë nga miku dhe kolegu ynë, mendoj se duhet bërë përpjekje që në këto çaste pikëllimi të gjejmë ngushëllime në krenarinë e përhershme se kishim një mik dhe koleg të tillë, të kompletuar, me të gjitha tiparet e njeriut të mirë, njeriut me kulturë pune e komunikimi, njeriut që e donin të gjithë.
I përjetshëm kujtimi për të!
(Fjalë e mbajtur në mbledhjen komemorative kushtuar gazetarit Shaban Arifaj, i cili u shua të premten, më 20 gusht 2021, në moshën 69 vjeçare)