Kabul, 23 gusht 2021 – Forcat gjermane në Kabul njoftuan se një roje afgane është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur të hënën, më 23 gusht, gjatë një përleshjeje të armatosur në anën veriore të Aeroportit të Kabulit.
Në njhoftim thuhet se persona të armatosur të paidentifikuar kanë shkëmbyer zjarr me forcat amerikane dhe gjermane dhe me rojet afgane, por nuk specifikohet nëse afgani i vrarë ishte njëri nga luftëtarët talibanë të vendosur për të ruajtur aeroportin.
Në anën tjetër, në Aeroportin e Kabulit, ku janë grumbulluar dhjetëra mijëra njerëz që pë përpiqen të largohen nga Afganistani, vazhdon të mbretërojë situatë kaotike.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se procesi i evakuimit mund të zgjasë përtej afatit të paraparë, deri në fund të muajit gusht.
Por, talibanët thanë se nuk do të pranojnë asnjë zgjatje të afatit të tërheqjes përtej 31 gushtit.
“Nëse SHBA-ja ose Britania e Madhe do të kërkonin kohë shtesë për të vazhduar evakuimet – përgjigjja është jo. Ose do të kishte pasoja. Do të krijojë mosbesim mes nesh”, tha zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen për Sky Neës.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime në lidhje me një kërcënim të mundshëm rreth aeroportit nga militantët e grupit terrorist Shteti Islamik në Afganistan të njohur si IS-K. Ky grup është një armik i talibanëve. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, në një deklaratë për CNN, tha se një kërcënim i tillë “është real”.
Ambasada amerikane në Afganistan lëshoi një alarm të ri të sigurisë duke paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë në aeroportin e Kabulit pa udhëzime nga një përfaqësues i Qeverisë amerikane.
Disa qytetarë amerikanë po fluturojnë me helikopterë nga destinacionet brenda Kabulit direkt në aeroport.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë në përdorim linjat ajrore komerciale për të përshpejtuar evakuimet. Pentagoni urdhëroi gjashtë kompani ajrore tregtare të ndihmojnë transportin e njerëzve pas evakuimit të tyre. Gjithsej 18 avionë komercialë të kompanive ajrore kryesore, si United, American dhe Delta, do të përdoren për të transportuar njerëz nga vende të përkohshme, pas mbërritjes nga Afganistani. Avionët nuk do të udhëtojnë për në Kabul.
Javën e kaluar gjatë kaosit në aeroportin e Kabulit kanë vdekur shtatë afganë, mirëpo nuk është njoftuar se si kanë ndodhur vdekjet e tyre.
Një zyrtar i NATO -s tha se në shtatë ditët e fundit, të paktën 20 persona kanë vdekur brenda dhe përreth aeroportit. Disa u qëlluan dhe të tjerët vdiqën pasi u shtypën nga turmat.
(r.m.)