KQZ: Diskualifikohen 160 kandidatë për zgjedhjet lokale, kanë rënë ndesh me ligjin

Prishtinë, 24 gusht 2021 – Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 160 kandidatë – nga më shumë se 5.200 – për zgjedhjet lokale në Kosovë nuk mund të jenë pjesë e procesit zgjedhor, pasi kandidatura e tyre bie në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet.

“Këta kandidatë janë nga 30 subjekte politike nga gjithsej 93 sa pritet të marrin pjesë në zgjedhje”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të martën (24 gusht) në Prishtinë.

Verifikimi i kandidatëve për kryetarë komunash dhe për këshilltarë të kuvendeve komunale për zgjedhjet e 17 tetorit është bërë nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.

“Në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje kanë kandidatë që nuk janë në pajtueshmëri me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, sipas të cilit kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të Gjykatës në tri vitet e fundit”, tha Elezi, i cili shtoi se identiteti i tyre nuk mund të bëhet publik për shkak se këtë e ndalon ligji.

Në mesin e tyre, sipas Elezit ka kandidatë për kryetar komunash dhe kuvende komunale.

Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike ka filluar t’i informojë ato për këta kandidatë duke u dhënë mundësi të bëjnë zëvëndësimin e tyre me kandidatë tjerë.

Kjo zyrë do të paraqesë në KQZ rekomandimet lidhur me certifikim ose jo të ndonjë kandidati, pastaj KQZ-ja do të marrë vendim deri më 1 shtator.

Nëse palët nuk pajtohen me vendimin e KQZ-së mund të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në shkallën e dytë, në Gjykatën Supreme.

Zgjedhjet lokale të caktuara për 17 tetor pritet të monitorohen edhe nga një mision evropian.

Në muajin qershor, presidentja Osmani kishte kërkuar presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell që të dërgojnë një mision monitorimi të zgjedhjeve.

Presidenca ka njoftuar më 18 gusht se ka pranuar përgjigjen nga ana e këtyre dy zyrtarëve në të cilat thuhet se Parlamenti Evropian konfirmon gatishmërinë për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve në Kosovës, ndërsa përfaqësuesi i Lartë, Borrel do të bëjë emërimin e shefit të misionit.

“Për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve është përbërë nga një numër i vogël ekspertësh, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, BE-ja do të jetë prezente me mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor”, thuhej në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

(REL)