Uashington, 25 gusht 2021 – Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të martën se i përmbahet afatit të 31 gushtit për të përfunduar tërheqjen nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët. Vendimi nuk përfill thirrjet e aleatëve, të cilët duan t’i japin më shumë kohë evakuimit dhe ka gjasa të pasohet me kritika në adresë të Presidentit Biden se ai është dorëzuar përballë kërkesave të talebanëve për largimin nga vendi brenda gushtit.
“Çdo ditë që jemi në këtë vend është një ditë tjetër kur e dimë se dega e ISIS-it në Afganistan përpiqet të mësyjë aeroportin dhe të na sulmojë ne dhe forcat aleate si dhe civilët e pafajshëm,” tha zoti Biden në komente në Shtëpinë e Bardhë të martën pasdite.
Ai shtoi se talebanët po bashkëpunojnë dhe se siguria është ruajtur, megjithë një numër incidentesh të dhunshme. “Por është situatë e brishtë,” tha ai, duke shtuar, “Jemi në një rrezik serioz që të mos arrijmë ta ruajmë dot sigurinë në rjedhën e ditëve”.
Administrata e tij do t’i mbyllë operacionet e evakuimit për nxjerrjen e amerikanëve, afganëve të rrezikuar dhe shtetasve të tjerë të huaj nga Afganistani përpara afatit të tërheqjes së plotë për t’u dhënë mundësi përgatitjeje për largim forcave ushtarake që duhet të nxjerrin edhe pajisjet nga vendi, tha Shtëpia e Bardhë.
“Po ecim me ritmet e duhura për t’u tërhequr plotësisht brenda 31 gushtit,” tha presidenti. “Sa më parë të përfundojmë, aq më mirë. Me çdo ditë që kalon vijnë rreziqe të reja për trupat tona”.
Në komentet e tij të martën zoti Biden nuk përmendi përfundimin e fluturimeve për evakuime më parë se data e tërheqjes së plotë, por zëdhënësja e tij, Jen Psaki pohoi për gazetarët më herët se “do të duhet kohë për të mbyllur gradualisht praninë ushtarake”.
Zëdhënësja nuk pranoi të ofrojë hollësi, por tha se trupat amerikane në Kabul ndeshen me kërcënime në rritje nga dega e ISIS-it.
Më herët të martën, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby pohoi se ushtria ka nevojë për kohë të dedikuar për mbylljen e operacioneve të veta.
“Një përllogaritje e shpejtë: duhen disa ditë për të nxjerrë pa rrezik nga vendi të gjitha këto forca dhe pajisje që janë aktualisht në aeroport,” tha zoti Kirby.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente nëse SHBA do të ndalë para 31 gushtit të gjithë fluturimet me të evakuuar, apo vetëm avionët e saj luftaraakë që po përdoren aktualisht për të nxjerrë civilë dhe do të lejojë që avionë komercialë dhe privatë të marrin nga talebanët leje për evakuime.
Presidenti Biden përsëriti se u përmbahet planeve për përmbylljen e pranisë amerikane më 31 gusht, pasi mori pjesë në një takim virtual me udhëheqësit e Grupit të Shtatëshes. Kryeministri Boris Johnson tha pas takimit se G-7 kishte rënë dakord për një plan mbi mënyrën se si do të silleshin me talebanët, me kushtin parësor që ky grup ekstremist të lejonte kalim të papenguar për afganët që donin të iknin edhe pas datës 31 gusht.
Zoti Johnson tha se G-7 kishte mjete të konsiderueshme presioni, pasi talebanët morën nën kontroll vendin por fonde të konsiderueshme të thesarit janë të ngrira jashtë kufijve të Afganistanit.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar evakuimet gjatë ditëve të fundit duke shtuar numrin e avionëve. Kjo ndodh mes raportimeve të reja për abuzime të të drejtave të njeriut që kanë nxitur shqetësim për fatin e mijëra njerëzve, të cilët i tremben ndëshkimit nga talebanët dhe po përpiqen të largohen nga vendi.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se nga ora 3 e mëngjesit deri në 3 pasdite të së martës, afro 12,000 vetë ishin evakuuar nga Kabuli me 19 avionë luftarakë amerikanë, që transportuan afro 6,400 vetë si dhe 31 avionëve të forcave të koalicionit që nxorën 5,600 të tjerë nga vendi.
“Që nga 14 gushti, SHBA ka evakuuar ose ndihmuar në evakuimin e afro 70,700 vetëve. Që nga fundi i korrikut kemi sistemuar jashtë Afganistanit afro 75,900 vetë,” tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden tha se i kishte kërkuar Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit të hartonin plane alternative evakuimi duke shtuar se afati i tërheqjes së plotë mund të modifikohet nëse do të bëhej e nevojshme.
Në komentet për shtyp të martën në Pentagon, zëdhënësi John Kirby tha se ditët e mbetura lejojnë kohë të mjaftueshme për evakuimin e të gjithë shtetasve amerikanë, por shprehu dyshime se mund të realizohej evakuimi i afganëve të rezikuar.
(Zëri i Amerikës)