Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës 2017-2021
Knid Ndrenika
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/345306550658146/
“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju do të vijoni të gjithë punën deri në minutën e kalimit të detyrës, pa lënë asnjë ditë të shkojë kot”-tha kryeministri Edi Rama në Tiranë.
“Kemi një skuadër kampione, ku ka shumë zgjedhje për çdo rol. Kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar apo një kryesi efektive të vetë partisë, por një stol rezervash të gjatë, për të pasur mundësi energjizimi të partisë”-tha ai kur mbajti fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës 2017-2021.
Ai theksoi se qeveria e re e pasfitores së zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kërkon një formacion të mirë, kryesi të mirë të grupit të deputetëve si dhe “një stol rezervash të gjatë”, për të pasur mundësi energjizimi të partisë.
Për thuajse 30 minuta zoti rama shpalosi arritjet që tha se janë të prekshme veçanërisht në mbrojtje, drejtësi dhe politikën e jashtme gjatë dy mandateve 2013-2021.
“Me shumë mirënjohje për të gjithë ju, mbështetjen, kontributin, ju falënderoj edhe njëherë për të gjithë këtë periudhë sfiduese kohe”-u tha ai ministrave.
Fjala përmbyllëse e Kryeministrit Edi Rama për Mandatin e Dytë Qeverisës:
Mirëdita të gjithëve!
Sot zhvillojmë mbledhjen e parë në këtë sallë qysh nga fillimi i pandemisë dhe kur kjo qeveri është në finishin e 4-vjeçarit të saj.
Duke iu falënderuar të gjithëve ju, por edhe të tjerët që kontribuuan në këtë tryezë prej shtatorit të 2017-ës, dëshiroj t’ju drejtoj drejtpërdrejtë disa fjalë edhe në sytë e opinionit publik.
Mbyllet me një notë pozitive, besoj unë, puna e një mandati tejet të vështirë, kur tërmeti më parë dhe pandemia më pas diktuan me një forcë të pashembullt ndryshimin e prioriteteve tona qeverisëse. Jam sinqerisht krenar që ia dolëm me përkushtim, profesionalizëm e durim të madh, pjesës më të vështirë të këtyre dy sfidave ekstreme, që shfaqen ne rrugën e një qeverie një herë në 100 vjet. Ende nuk ka mbaruar as pandemia, nuk ka përfunduar krejt as rindërtimi, por qoftë me pandeminë dhe qoftë me pasojat e tërmetit kemi marrë tanimë një avantazh të konsiderueshëm. E përtej çdo konsiderate të aktualitetit, lëvdatave apo kritikave në drejtimin tonë, sesi i kemi menaxhuar këto dy kriza krejt të jashtëzakonshme, kjo do të jetë një nga gjurmët e pashlyeshme të kësaj qeverie në historinë aspak të lehtë qeverisëse të këtyre 30 viteve.
Garantimi i vaksinimit masiv dhe një fushatë e gjatë profesionale, cilësore e vaksinimit ka bërë që edhe goditja e asaj që po merr trajtën e valës së tretë përmes variantit Delta të Coronavirusit të jetë përgjithësisht e moderuar. Fatkeqësisht kemi ende fatalitete edhe sot që flasim, disa jetë janë në rrezik serioz në pavijonin e terapisë intensive të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por ato janë edhe një mësim domethënës, fare konkret për të gjithë, për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar ndër rreth 80 persona të shtruar në spital nuk shfaqin shenja rëndimi të gjendjes që imponojnë intubimin, duke rrezikuar seriozisht edhe vetë jetën pastaj.
Për skeptikët e vaksinës Sinovac, që kërkojnë medoemos vaksinë Pfizer, mbase vlen edhe e dhëna që në grupin e të vaksinuarve të shtruar në spital ndahen pothuajse gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac. Prandaj shfrytëzoj rastin t’iu bëj apel atyre që ende nuk e kanë bërë vaksinën, të mos humbasin kohë dhe as të mos rrinë në pritje duke rrezikuar infektimin, pa patur imunitetin e garantuar nga vaksina, me mendimin e gabuar se Pfizer bën e Sinovac nuk bën, por të përfitojë një orë e më parë nga mundësia e vaksinimit për të gjithë. Vaksina nuk i mbron të gjithë nga infektimi, por ama është e qartë si drita e diellit se ajo përqindje krejt e vogël të vaksinuarish që preken prej virusit të egër ka imunitetin e nevojshëm për ta kaluar sëmundjen pa kërcënim fatal të jetës.
Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni.
Teoritë e konspiracionit botëror dhe frika nga vaksina e lënë organizmin e njeriut të paarmatosur si duhet përballë këtij virusi vdekjeprurës, të cilin mesa duket do ta kemi ende nëpër këmbë edhe këtë dimër. Numrat po rriten dhe nëse sot jemi sidoqoftë goxha më të mbrojtur se shumë të tjerë në rajon apo gjetkë, kjo ka vetëm një arsye; numri i lartë i të vaksinuarve në Shqipëri.
Vaksinën duhet ta bëjnë me patjetër edhe ata që e kanë kaluar COVID-in, sepse të gjithë studimet dhe këshillat e shkencës thonë se nuk ka një imunitet natyral afatgjatë ndaj këtij virusi vrastar.
Dua të falenderoj ministren e Shëndetësisë, e cila përgjatë 18 muajve të stërvështirë e mishëroi me dinjitet të lartë qytetar, politik dhe profesional, qëllimin themelor të kësaj qeverie, për të qenë qeveri e punës, jo vetëm e fjalëve, edhe në kushtet më të vështira, një qeveri që përpiqet me gjithçka të jetë e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit.
Jo vetëm kaq, por bazuar në fakte dhe shifra mund të themi me plot gojën se puna e pandaluar edhe në mandatin e dytë, pavarësisht pandemisë, për përmirësimin e infrastrukturës së shëndetësi në tërësi e ka bërë të dallueshme si dita me natën gjendjen e kësaj infrastrukture, krahasuar me ditën tonë të parë në detyrë, shtatorin e tetë viteve më parë, kur shëndetësia ishte ferri për të gjithë.
Bashkohem plotësisht me ministren në opinion se pa skuadrat e një armate të tërë bluzash të bardha dhe mbështetësish të tyre në vijën e parë të kësaj lufte me pandeminë, të cilët u përkushtuan me gatishmëri të lartë dhe sakrifica të mëdha në mbrojtje të popullit, pa ekspertët tanë që shkëlqyen në këtë ndërmarrje kaq sfiduese, pa angazhimin e strukturave të tjera shtetërore të përfshira në këtë luftë, si dhe pa atë më kryesoren, mbështetjen masive të qytetarëve në momentet kyçe të luftës me COVID, Shqipëria nuk do t’ia kishte dalë të ishte sot, ndër vendet e suksesshme në këtë përballje.
Jam sinqerisht i prekur nga komunikimi me doktoreshë Nadaj Çomon, e cila u bë simbol i rezistencës së mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë. Ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes së sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, duke e ndierë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë na ekipi i saj fantastik, pikërisht në momentin kur varianti Delta i virusit nisi të mbushë shtretërit e pavijonit të terapisë intensive.
E falenderoj Najadën edhe publikisht, siç bëra edhe personalisht, për këtë shembull kuptimplotë të ndjenjës së lartë të detyrës ndaj atyre më në nevojë se askush tjetër. I them sot një faleminderit shumë të madh, me përulje dhe me gjithë zemër, të gjithë atyre që deri këtu na kanë nxjerrë me kokën lart përballë armikut të padukshëm.
Lufta nuk ka mbaruar. Vjeshta dhe dimri mund të jenë përsëri të vështirë, por falë tyre janë shpëtuar dhjetëra mijëra jetë, ekonomia është lehtësuar nga presioni i jashtëzakonshëm i virusit dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë, duke u rikonfirmuar edhe një herë si destinacion me potencial te madh për dekadën ku kemi hyrë.
Fatkeqësisht, pandemia dhe hallet e mëdha që erdhën me të dhe tërmetin bashkë nuk na dhënë mundësinë të investojmë aq sa do të donim në drejtim të fuqizimit të ofertës sonë turistike. Prandaj mbetet për më tej që ta bëjmë këtë, duke e mbajtur mirë shënim dhe çka nuk arritëm të bënin sa dhe si duhet për mangësitë tona, ende të konsiderueshme, në aspektin cilësor të sezonit turistik si përshembull, plagën ende të hapur, në disa raste edhe kutërbuese, të plehrave dhe të papastërtisë në zonat turistike ku duhet ndërruar qasja dhe përqendruar energji e forca shumë më të mëdha.
Pa harruar administrimin e plazheve që në këtë sezon la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Por edhe të tjera mangësi akoma që duhen administruar me qartësi, me shpejtësi, me këmbëngulje dhe me shumë vendosmëri më tej.
Padiskutim, po të kthejmë kokën mbrapa, nuk ka asnjë krahasim të mundshëm në këtë fushë jo me tetë, por as me katër vjet më parë dhe për këtë mjafton të shikosh ndryshimin rrënjësor të interesit dhe të tonit të mediave prestigjioze ndërkombëtare për Shqipërinë turistike. Ashtu sikundër nuk ka fare diskutim që krahasuar me tetë vjet më parë, kur ishte një vend i mbytur nga plehrat dhe papastërtitë ngado ktheje kokën, Shqipëria e sotme është shumë më ndryshe, falë punës së madhe që kemi bërë në këtë drejtim. Ama, për t’u bërë kampionët e padiskutueshëm të Ballkanit në turizëm në fund të kësaj dekade, duhet një shumëfishim domethënës i luftës për mbrojtjen e mjedisit, ku fushat e grumbullimit primitiv të plehrave lart e poshtë dhe ndotja shqetësuese e ujërave dhe ajrit për shkak të tyre janë vetëm pjesa më e dukshme e problematikës mjedisore të Shqipërisë së sotme.
Falë punës së kësaj qeverie në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë kemi krijuar kushte më të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit në dekadën ku sapo kemi hyrë, ku Shqipëria do të kthehet në eksportuese neto të energjisë. Sot, Skavica nuk është një ëndërr gjysmëshekullore në sirtar, por një projekt në zhvillim, falë bashkëpunimit me qeverinë e SHBA-së, ashtu sikundër po përmes këtij bashkëpunimi jemi në fazën e vlerësimit të projektit të kthimit të TEC-it të Vlorës nga një simbol i dështimit me kosto të lartë të së shkuarës, në një portë hyrëse të gazit të lëngshëm, bazuar në marrëveshjen me kompaninë globale EXXON.
Kjo qeveri mundësoi hapjen e rrugës së ndërtimit të dy parqeve fotovoltaike, të Karavastasë dhe Spitallës, më të mëdhatë në rajon, të cilat do të ndërtohen nga kolosi francez VOLTALIA, duke vendosur Shqipërinë në pararojën e Ballkanit për prodhimin e energjisë diellore.
Fundi i marrëzisë së vjedhjes së energjisë elektrike dhe rritja e investimeve në rrjetin e shpërndarjes, së bashku me interkonjesionin me Kosovën, bënë që sot, situata e sektorit energjetik të Shqipërisë të jetë e pakrahasueshme me atë që trashëguam në nisje të mandatit të parë, ndërsa programi i investimeve të futura në rrugën e realizimit gjatë këtij mandati të dytë, na jep të gjithë optimizmin e nevojshëm për ta parë Shqipërinë e 2030-ës, prodhues kampion të Ballkanit në energji të rinovueshme.
Nga ana tjetër, falë punës të përkushtuar dhe voluminoze të dikasterit përkatës, po ashtu drejtimit shumë këmbëngulës të ministres, në një periudhë kohore posaçërisht të vështirë, sot, Kukësi është bërë më në fund me aeroport ndërkombëtar, puna me projektin e zbatimit të projektit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në fazën përfundimtare, gara ndërkombëtare për aeroportin turistik të Sarandës është hapur, rruga e Arbrit është edhe ajo në përputhje me afatin e përfundimit, rruga Delvinë-Kardhiq po ashtu e me radhë, se janë shumë projekte të tjera të rëndësishme të infrastrukturës sonë kombëtare, të cilat janë realizuar me standarde europiane apo vijojnë në rrugën e realizimit.
Shqipëria sot ka linjën e saj ajrore të flamurit, Air Albania, e cila i ka rezistuar goditjes së pamëshirshme të pandemisë mbi transportit ajror dhe me daljen nga pandemia do hyjë në një fazë të re, rritjen e numrit të avionëve të saj.
Gjithashtu, marrëveshjen e investimit masiv në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza’, së bashku me uljen e konsiderueshme të tarifave skandaloze të tij, për shkak të një marrëveshjeje të vjetër koncesionare, me ngarkesë të rëndë mbi udhëtarët, do ndikojnë fuqishëm në rritjen e fluksit të mbërritjeve në Shqipëri.
Shërbimet e transportit rrugor, një kancer shumëvjeçar, i trashëguar bashkë me ish partnerët e koalicionit të mandatit tonë të parë, janë kthyer në një prej shembujve më kuptimplotë dhe më inkurajues të transformimit të shërbimeve publike të Republikës së Shqipërisë. E paimagjinueshme kjo deri kur u ndamë 4 vjet më parë nga ata partnerë që i kishin kthyer targat në tesera partie dhe patentat në fletë votimi për partinë. Sot, Shqipëria ofron një nga shërbimet më të digjitalizuara në rajon për drejtuesit e automjeteve dhe synon falë një marrëveshjeje, edhe ndërtimin e një autoparku rajonal për gara të ndryshme ndërkombëtare të shpejtësisë motorike, në bashkëpunim me FIA-n.
Edhe në aspektin e infrastrukturës kombëtare dhe shërbimit të transportit, i kemi sot, falë punës së kësaj qeverie, të gjitha arsyet të besojmë se në qeverinë e re do mund të hedhim hapa të mëdhenj përpara drejt Shqipërisë 2030, ku të mos ketë asnjë ndryshim me mesataren europiane në akset kombëtare dhe në shërbimet e lëvizjes së qytetarëve dhe turistëve.
I dukshëm ka qenë përparimi në bujqësi, ku kemi mundësuar thuajse dyfishimin e tokës që punohet, falë investimeve masive në sistemin ujitës e kullues, por jo vetëm, kemi pothuajse trefishuar eksportet bujqësore dhe kemi dalë në vendin e parë në rajon për thithjen e fondeve të mbështetjes nga BE-ja për bujqësinë.
Patjetër që si kudo, edhe në bujqësi duhet një punë edhe më e madhe drejt objektivit madhor që Shqipëria 2030 të jetë kampione në rajon për eksportet e prodhimeve bujqësore, duke maksimizuar rezultatet qoftë në kultivimin e prodhimeve në tokë, qoftë në nxjerrjen e prodhimeve nga deti.
Kjo qeveri ka çuar më tej punën e madhe të bërë gjatë mandatit të parë për reformimin e arsimit dhe për përmirësimin e kushteve të arsimimit, ku ende një det i tërë na ndan sidoqoftë, për hir të së vërtetës, në realizimin e ambicies sonë për Shqipërinë arsimore. Por jam vërtetë krenar që disa plagë të tmerrshme, në dukje të pashërueshme përgjithmonë në organizmin e arsimit tonë parauniversitar, që nga rekrutimi partiak i mësuesve e deri tek tekstet e panumërta jashtë standardeve, apo hyrja në universitete sipas xhepit, mikut apo partisë, i përkasin përfundimisht të shkuarës, falë kësaj qeverie.
Ashtu sikundër nuk jam aspak krenar për gjendjen tërësore të universiteteve, të cilën do ta adresojmë me shumë punë, me shumë durim, në bashkëpunim të ngushtë me rektorët, duke synuar njëkohësisht në vijim, përfshirjen sa më shumë në arsimin tonë të lartë të universiteteve publikë ndërkombëtare. Shqipëria 2030 duhet të kthehet në një hab të arsimit të lartë në rajon.
Nuk jam aspak krenar po ashtu për gjendjen aktuale të lëvizjes sportive shkollore apo universitare, e cila pavarësisht disa hapave të bërë, krahasimisht me kohën kur ne erdhëm në qeveri, është realisht shumë nën nivelin e mundësive tona reale, prandaj do merremi shumë posaçërisht me këtë, si dhe me aspektet kulturore të jetës së të rinjve dhe fëmijëve tanë.
Është e pajustifikueshme më tutje që fëmijët e vegjël të mos kenë një vëmendje shumë më të madhe, që edukatoret e kopshteve dhe çerdheve të mos paguhen pse jo njësoj si mësuesit e gjimnazeve apo dhe më shumë, që zhvilluesit e resorteve turistike apo të tjerë në botën e sipërmarrjes të mos detyrohen të mendojnë për fëmijët, në radhë të parë.
Patjetër edhe për kulturën kemi bërë jo pak edhe në këtë mandat të dytë, qoftë me shpëtimin dhe rivlerësimin e monumenteve tona të trashëgimisë kulturore, qoftë me angazhimin për zgjerimin e hapësirave kulturore me cilësi e me standarde krejt të tjera, por shumë më tepër do bëjmë me realizimin e projektit të bllokut të ri të Galerisë Kombëtare, me realizimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar, me realizimin e projektit të Qendrës së re Teatrore të Fëmijëve në Tiranë, të cilat janë në rrugë e sipër, si dhe me projekte të tjera të vogla, por me rëndësi të madhe në disa qytete të tjera, kryesisht ato me potencial të lartë turistik.
Natyrisht që gjithë çfarë kemi bërë në këtë mandat të dytë dhe akoma më shumë çfarë duam të bëjmë në të tretin, lidhet me ekonominë, me financat, me rritjen e vazhdueshme të të ardhura në arkën e shtetit, duke rritur aftësinë qeverisëse të ekonomisë dhe financave të vendit. Më shumë mund të kishim bërë me formalizimin e ekonomisë, por sidoqoftë kemi bërë një punë shumë të vyer me ndërtimin e sistemit të ri digjital të fiskalizimit, prej të cilit presim një hop të madh cilësor dhe sasior në aspektin e administrimit të të ardhurave në mandatin e tretë.
Ulja e taksave deri në zero madje për biznesin e vogël, rritja e pagave për mësuesit dhe mjekët, pavarësisht shtrëngimeve të rënda të pandemisë apo dhe vete përballimi financiar i pandemisë, me një krah të fortë solidariteti me ata më shumë në nevojë, në një Shqipëri që është ende një shtëpi e thjeshtë shqiptare e me plot halle, nuk janë pak për një shtet akoma në kantier, në aspektin e konsolidimit të strukturave të tij.
Jemi vendi me uljen më të lartë të papunësisë në rajon. Këtë nuk e them unë, nuk e themi ne, e thonë raportet e institucioneve ndërkombëtare, krahasuar me pikën e frikshme ku e morëm detyrën, edhe kjo nuk është pak, përkundrazi. Por nuk mjafton fare për të qenë krenarë, po të kemi parasysh nivelin ende të ulët të pagës minimale, pavarësisht rritjes së saj apo vendet ende të pakta të punës që paguhen vërtetë mirë.
Ndërkohë që, është fare e qartë, që si kudo në botë, se qoftë zhvillimi e qoftë arritjet në këtë rrugë, as nuk i kanë ulur, as nuk do t’i ulin më tej kërkesat apo ankesat e njerëzve, të cilët gjithmonë, kudoqofshin, në Shqipëri apo një vend të super zhvilluar, do kërkojnë më shumë sesa kanë, sa më shumë të shohin se mundësitë për më shumë janë reale. Ne e kemi treguar këtë dhe prandaj duhet të vazhdojmë ta provojmë këtë, pavarësisht se kërkesat dhe ankesat nuk do mbarojnë, por do të rriten.
Ndërkohë që kthimi i trendit negativ të largimeve, në raport me kthimet në atdhe, duhet të jetë prioriteti i prioriteteve për Shqipërinë e 2030.
4 portet e reja turistike që kanë hyrë në rrugën e realizimit, ai i Sarandës ku ka nisur puna tanimë, ai i Vlorës ku puna nis në muajt në mos javët e ardhshme, ai i Shëngjinit që është vende në fazën fillestare përgatitore, si dhe ai më i madhi në Durrës për marrëveshjen kontraktuale për të cilin po punojmë pa ndërprerje, janë vetëm njëri nga blloqet e mëdha të programit masiv dhe konkret të investimeve të huaja vendase, që do na mundësojnë rritje ekonomike shumë më të lartë. Por pa rritur më tej cilësinë e shërbimeve të shtetit për qytetarin, pa forcuar më tej sensin e drejtësisë në marrëdhënien e qeverisë me qytetarët, pa ecur më tej me zbatimin praktik të Reformës në Drejtësi, si dhe pa thelluar ende më tej vijën ndarëse mes nesh dhe kujtdo ndër ne që ngatërron rrugën e përbashkët me rrugën e përfitimeve të paligjshme, rritja e ekonomisë nuk do mjaftojë për të arritur majën ku kjo forcë e madhe qeverisëse duhet ta ngjisë Shqipërinë, në fund të kësaj dekade.
Fatmirësisht, kjo qeveri ka bërë jo pak punë në këtë drejtim dhe mjafton të mbajmë parasysh se sa shumë radha kemi eliminuar, se sa shumë kohë u kemi kursyer qytetarëve, se sa shumë ndërveprimeve korruptive mes individëve dhe institucioneve kemi ndërprerë përmes digjitalizimit të shërbimeve dhe falë platformës kombëtare e-Albania, për të pasur sot të gjithë kurajën dhe ambicien që ta çojmë në një nivel tjetër gjatë mandatit të tretë marrëdhënien qytetar-shtet, si dhe goditjen e korrupsionit në administratë.
Digjitalizim, digjitalizim, digjitalizim për të sprapsur kudo hijen e bakshishit, ryshfetit dhe korrupsionit, duke e futur shtetin në smartphone dhe kompjuterin e qytetarit dhe shkulur nga xhepi i tij dorën e makutërve në zyrat e shtetit, do jetë lajtmotivi kryesor i kësaj qeverie.
E mbyllim këtë mandat si vendi me shërbimet më të mira digjitale në rajon me vlerësime inkurajuese për këtë nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare, që nga BE-ja deri tek KB-ja. Ndërkohë që para 8 vitesh ishim jo vetëm vrima e fundit e kavallit, por vrima e zezë në fund të kavallit të këtij rajoni.
Ashtu sikundër e mbyllim këtë mandat me shumë rezultate pozitiv në aspektin e luftës kundër krimit dhe rendit publik, por dhe me vetëdije se në vigjilje të mandatit të ri jemi në një udhëkryq të ri, mes stanjacionit në punën e Policisë së Shtetit dhe futjes së një marshi tjetër më të lartë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të performancës së trupës sonë policore, e cila as që krahasohet me trupën e fillimit të kësaj rruge, por duhet me patjetër të hapë një tjetër kapitull modernizues, për t’u bërë një trupë në lartësinë e pritshmërisë së një vendi që synon të shkëlqejë në tregun mesdhetar të turizmit, duke rritur më tutje, ndjesinë e sigurisë në çdo drejtim. Duke filluar nga rritja e sigurisë së kontrollit rrugor dhe e cilësisë së kontrollit të tij, për të vazhduar me të tjera me radhë, deri tek sigurimi i një kontrolli permanent, në kohë reale, 24 orë, dixhital i territorit.
Falë projektimit dhe financimit të Qendrës Dixhitale të Trafikut Rrugor të Shqipërisë, si dhe punës së bërë deri tani me projektin dixhital të rrugëve të vendit, kjo sfidë i kalon qeverisë tjetër, por me një bazë të re garancie për t’ia dalë me sukses.
Besoj se mund të jemi të gjithë krenarë se çfarë është bërë në fushën e mbrojtjes dhe me punët e jashtme të këtij vendi gjatë mandatit që mbyllim.
Reputacioni ndërkombëtar i vendit, besueshmëria dhe respekti ndaj nesh nga ana e aleatëve dhe partnerëve tanë, përfshirja si asnjëherë më parë e Diasporës në marrëdhëniet me qeverinë, serioziteti me të cilin e marrin Shqipërinë në çdo instancë ndërkombëtare sot, vetë imazhi i vendit tonë, nuk kanë asnjë krahasim, fare, me vitin 2013 dhe janë shumë më lart sot se në vitin 2017.
Kjo qeveri e mbyll mandatin me realizimin e të gjitha kushteve dhe stërkushteve për çeljen e negociatave me BE-në dhe për hapjen e një kapitulli të ri në politikën tonë rajonale, si një prej nismëtarëve të Ballkanit të Hapur, që në thelb nuk është asgjë tjetër, përveçse Procesit të Berlinit me një shpejtësi të re dhe me një përgjegjësi të re, pa pritur që për jetësimin e katër lirive të BE-së, lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve të kalojnë dhe nja 8 vjet të tjera, duke pritur që për çdo hap tjetër të kujtohen partnerët ndërkombëtarë.
Polemikat për Ballkanin e Hapur dhe akuzat e hatashme ndaj kësaj qeverie dhe meje personalisht, qoftë nga Prishtina, qoftë nga Tirana, nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak si forcë qeverisëse në mandatin e tretë.
Ka shumë tym dhe shumë zjarr të ndezur për qëllime të politikës së ditës, por qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim, pa humbur asnjë ditë të vetme, ndërkohë që ka besim se me qeverinë e Kosovës do të bëjmë plot punë të mira me interes të përbashkët, pavarësisht mosdakordësisë së kolegëve në Kosovë me Ballkanin e Hapur.
Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju natyrisht do të vijoni të gjithë punën deri në minutën e kalimit të detyrës, pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, apo një kryesi efektive të vetë partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë, siç i thonë në sportet kolektive, për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të skuadrës.
Ky është në fakt avantazhi ynë i madh në krahasim me rivalët dhe duhet të gjithë së bashku ta kultivojmë këtë avantazh.
Me shumë mirënjohje për të gjithë ju për mbështetjen e pakursyer, për bashkëpunimin e palodhur, për kontributin e pakushtëzuar që secila dhe secili prej jush dhanë në këtë qeveri, sipas natyrës dhe mundësisë së vet.
Ju falënderoj edhe njëherë për të gjithë këtë periudhë sfiduese kohe që kaluam së bashku në tryezën e qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Ishte një nder për të gjithë ne dhe uroj që ta mbani si të tillë përgjithmonë para syve, pavarësisht nëse do të jeni apo jo të pranishëm në mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Shumë faleminderit!