Kur talibanët e morën nën kontroll shumicën e Afganistanit, në vitin 1996, ata e vunë në zbatim një version të rreptë të Sheriatit ose ligjit islamik. Bazuar në interpretimin e tyre të Sheriatit, gratë nuk lejoheshin të punonin, ndërsa për shkelësit lejoheshin ekzekutimet publike.
Tani që talibanët e kanë përsëri nën kontroll vendin, afganët i tremben kthimit të sundimit të tyre brutal, për të cilin talibanët thonë se bazohet tek Sheriati. Në një intervistë ekskluzive me agjencinë e lajmeve Reuters, javën e kaluar, komandanti i lartë taliban, Ëaheedullah Hashimi, shpjegoi se Afganistani nuk do të ketë një sistem demokratik.
“Nuk ka përse të diskutojmë se çfarë lloj sistemi politik duhet të aplikojmë në Afganistan, sepse kjo është e qartë. Do të jetë ligji i Sheriatit dhe kaq,” tha ai.
Çfarë është Sheriati?
Në arabisht, fjala “Sheriat” do të thotë “rruga drejt ujit”, kurse disa e interpretojnë “rruga që duhet ndjekur”.
Sheriati është praktikë juridike që buron nga mësimet e Kuranit, librit të shenjtë të fesë islame dhe mësimeve të Profetit Muhamed.
Ai shërben si një kod i urdhëruar nga lart për jetë të drejtë, morale dhe të ndershme për muslimanët dhe ofron zgjidhje për një sërë aspektesh të jetës.
Si praktikohet Sheriati?
Vendet që e respektojnë Sheriatin e praktikojnë në nivele të ndryshme në sistemet e tyre juridike. Disa vende e përdorin Sheriatin si ligjin e tyre kombëtar, por shumica e vendeve kanë sisteme të përziera ligjore, që ndërthurin një jurisprudencë tradicionale islame dhe një kushtetutë.
Në kushtetutën e vitit 2004, elementët e Sheriatit u integruan në kodin e qeverisjes së Afganistanit.
Kur talibanët kontrollonin vendin, nga 1996-2001, ata e vendosën një version ekstrem të ligjit, i cili përfshinte edhe ndëshkime brutale – si goditjet me gurë dhe gjymtimet – akte këto që dënoheshin nga grupet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën.
Ashtu sikurse besimi i krishterë, feja islame ka shumë sekte, të cilat ndahen në nënsekte. Sekret kryesore, të cilat dominojnë në Afganistan janë sunite dhe Shiite. Secili sekt e interpreton në mënyrën e tij Sheriatin ose jurisprudencën Islame, prandaj edhe ka dallime në imnterpretim e zbatim të Sheriatit.
A e mbështesin muslimanët Sheriatin?
Disa sondazhe çojnë në përfundimin se mbështetja për këtë stil qeverisjeje ndryshon shumë në vendet muslimane. Tariq Ramadan, profesor i studimeve bashkëkohore islamike në Universitetin e Oksfordit, ka propozuar vendosjen e një moratoriumi mbi ndëshkimet me dhunë fizike në vendet islame që e ndjekin Sheriatin e rreptë.
Si do të trajtohen tani gratë në Afganistan nën talibanët?
Në vitin 1996, talibanët vendosën kufizime shumë të rrepta ndaj grave afgane, të cilat kryesisht ishin të mbyllura në shtëpi dhe nuk lejoheshin të dilnin nga banesa pa një shoqërues mashkull. Ato ndëshkoheshin me rrahje publike, nëse nuk bindeshin.
Talibanët kohët e fundit kanë thënë se do të jenë më të moderuar në lidhje me të drejtat e grave. Sipas rrjetit BBC, zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid, ka deklaruar se gratë do të lejohen të marrin pjesë në shoqëri, nëse jetojnë sipas Sheriatit.
“Ne do të jemi të kënaqur dhe ato do të jenë të kënaqura”, ka thënë ai.
(Zëri i Amerikës)