Kjo sfidë do të mbetet gjithashtu në histori si ndeshja e parë zyrtare ku u përdor sistemi VAR, risia dhe një nga investimet më të mëdha të FSHF-së për sezonin e ri të futbollit
Teuta është fituese e Superkupës së Shqipërisë, pasi mundi Vllazninë 3-0 në finalen e luajtur të shtunën në mbrëmje në “Elbasan Arena”.
Skuadra durrsake, që vinte në këtë sfidë si kampionia e Shqipërisë për sezonin 2021/2022 arriti të thyente fituesit e Kupës së Shqipërisë vetëm në pjesën e dytë, ku ishte më dominuese.
Pas një pjese të parë të balancuar, Teuta kaloi në avantazh në minutën e 57-të me anë të Albano Aleksi, i cili goditi nga jashtë zonës dhe shënon duke përfituar edhe nga një pakujdesi e portierit Zogoviç.
Goli duket se u jep më shumë motivim durrsakëve, që dyfishojnë rezultatin në minutën e 62-të.
Këtë herë është Gruda, i cili rrëmben një top në sulm dhe pasi driblon edhe portierin kuqeblu, e dërgon topin në rrjetë.
Në minutat shtesë, Teuta fiksoi rezultatin përfundimtar në 3-0, pasi Sebino Plaku shfrytëzon një asist të bukur të Kallakut për të shënuar golin e tretë.
Në përfundim të sfidës u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut, ku morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Kjo sfidë do të mbetet gjithashtu në histori si ndeshja e parë zyrtare ku u përdor sistemi VAR, risia dhe një nga investimet më të mëdha të FSHF-së për sezonin e ri të futbollit.
Testi i parë ka kaluar, teksa arbitrat janë konsultuar në disa raste para se të merrnin vendime për raste të dyshimta.
Tashmë sistemi VAR do të jetë pjesë e ndeshjeve të Kategorisë Superiore 2021/2022 si edhe Kupës së Shqipërisë, duke filluar që nga faza çerekfinale e deri në finalen e madhe.
Finalja e Superkupës së Shqipërisë
TEUTA-VLLAZNIA 3-0
Golat: 57′ Aleksi, 62′ Gruda, 94′ Plaku