Nga Ruben Avxhiu
Prof. Dr. Zymer U Neziri tregon për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” se si u realizua botimi nga Universiteti i Harvardit, i antologjisë së parë e këngëve shqipe, nga Koleksioni i Millmen Perit.
“Pas rreth 400 vjetësh, po del diçka shqip në Universitetin e Harvard-it! Ishte projekt imi i vitit 2002 për këngët shqipe në Koleksionin e Millmen Perit, kur isha herën e parë në Harvard. Albanologjia po del me një fitore të re në shkollën më të mirë të Amerikës dhe të botës”, shkroi profesori i njohur kur dha njoftimin e botimit të librit.
Për një kohë të gjatë studjues serbë e jugosllavë janë përpjekur të mohojnë autorësinë shqiptare të Eposit të Kreshnikëve.
Tani, thotë Prof. Neziri, “ky libër do të jetë ndihmesë e madhe sidomos për ata që nuk e kuptonin shqipen dhe që bënin gabime në vlerësim. Tash e kanë më lehtë ta shohin madhështinë poetike të këtyre këngëve, që janë edhe vlerë poetike evropiane e botërore, ashtu siç dëshmon dosja e përgatitur për UNESCO, se ato u takojnë vlerave kulmore të trashëgimisë botërore”.
Libri është rezultat i një procesi të shtrirë në dy dekada, ndërsa profesori ka punuar gati gjysëm shekulli për të mbledhur thesaret e folklorit tonë gojor në shumë prej trevave tona entike. Ai ka zbuluar mbi 100 mijë vargje të Eposit të Kreshnikëve.
Shumica e vëllimeve nuk janë botuar ende për mungesë fondesh.
“Këto janë dëshmi se ende jeton ky lloj i rrallë i epikës legjendare në Evropë, i shoqëruar kryesisht me lahutë, ose pa instrument, këndim polifonik”, thotë profesori. “Dosja do të dorëzohet në UNESCO, që këto këngë të shpallën vlerë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit”.
Çfarë arritje në jetë për një kërkues të palodhur që dikur e përjashtuan nga Instituti i Albanologjisë, ish-asistent i Prof. Anton Çettes, punëtor i palodhur në shërbim të pasurisë sonë të madhe kombëtare. Dikur serbët ia dogjën 3,000 kopje të librit të tij për Eposin e Kreshnikëve, tani vepra për të cilën ka bashkëpunuar u botua nga Universiteti i Harvardit.
Sa për kuriozitet, lahutari, në ballinën e librit, është nga Krasniqja, i katundit Geghysen. Quhet Ali Hyseni, njohës e interpretues i 19 këngë të kreshnikëve. (Foto e vitit 1937, nga Allbert Llord. Ruhet në Harvard).
E falenderoj profesorin për kohën dhe bujarinë që na dhuroi këtë intervistë të rrallë.
Profesor, së pari urime për librin, për të cilin keni punuar e jeni angazhuar kaq shumë. Nuk di kur ka qenë ndonjë herë tjetër që Harvard University të ketë botuar diçka në gjuhën shqipe.
Edhe unë ju falënderoj shumë për urimet, për librin e botuar në Universitetin e Harvardit, antologji e parë e këngëve shqipe, nga Koleksioni i Millmen Perit (Milman Parry, 1934-35) dhe nga Koleksioni i Allbert Llordit (Albert B. Lord, 1937). Po ashtu ju falënderoj për mundësinë që të flas për lexuesit tuaj të çmuar të gazetës ‘’Illyria’’.
Sa u përket botimeve të deritashme të materialeve shqip në Universitetin e Harvardit, duket se kjo do të jetë hera e parë gjatë jetës së tij institucionale, rreth katërqind vjet, ndonëse premtime ka pasur, madje edhe para rreth shtatëdhjetë vjetësh. Për shkaqet e vonesës duhet folur, përsëri, por, natyrisht, në një rast tjetër.
A mund të na tregoni për lexuesit tanë se si lindi ky projekt e si u bë realitet?
Lidhur me fillet e lidhjeve të mia emocionale me Universitetin e Harvardit, duhet të them se ato janë të viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur isha në Prishtinë student, në fund të specializimit në Letërsi, më 1974, shkalla III e studimeve. Në atë kohë kisha dëshirë të madhe për të shkuar aty, në shkollim të mëtejshëm, me ndihmën e Fondacionit Fullbrajt (Fulbright), po edhe për të kryer punë kërkimore në Koleksionin e Millmen Perit të Letërsisë Gojore (The Milman Parry Colection of Oral Literature). Por, aty nuk pata shkuar, dihet, për shkak të pengesave politike, pra të mohimit të pasjes së pasaportës shtetërore për të udhëtuar jashtë shtetit, të cilën ma kishin marrë, sepse i takoja Lëvizjes Studentore për Republikën e Kosovës.
Ky projekt u bë realitet pas përfundimit të luftës çlirimtare të UÇK-së në Kosovë, kundër Serbisë dhe Malit të Zi, më 1999, me ndihmën e SHBA-ve dhe të NATO-s. Kur mora një pasaportë nga organet ndërkombëtare të UNMIK-ut, vazhdova me përpjekje aty ku kisha mbetur rreth 30 vjet më parë. Personalisht i shkrova Harvardit, po edhe Drejtoria e Institutit Albanologjik të Prishtinës i shkroi zyrtarisht për pranimin tim në punë kërkimore në Koleksionin e Millmen Perit. Pas marrjes së pëlqimit, atje shkova në shtator 2002 dhe aty punova rreth shtatë javë, me ndihmën financiare familjare të atjeshme për qëndrim, nga Naser Çelë Neziri e dhëndri Avdi Krasniqi, mërgimtarë në Dallas. Aty pata ndihmën e madhe sidomos të Dejvid Ellmerit (David Elmer), kurator i Koleksionit. Bashkëpunimin e vazhdoj edhe sot. Aty kam pasur edhe një qëndrim të shkurtër më 2007 dhe më 2010 aty kam marrë pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare.
Atje më kanë përkrahur edhe at Artur Liolini, Roj Rajt (Roy Wright), Zamir Shtylla me familje, Shaqir Salihu me familje, Skënder Zeqir Lajçi me familje, si dhe Meriman Braha, pas kthimit. Në vitin tjetër, më 2003, u miratua propozimi im që këngët shqipe të Koleksionit të Perit të botohen në Harvard edhe të përkthyera në gjuhën angleze, përzgjedhje. Pas punës disavjeçare të ekipit, libri nuk u botua, e shkak ishte gjetja e të metave në përgatitje.
Versioni i tashëm i librit, me mbi 400 faqe, është i ripërgatitur me përkujdesjen e prof. Dejvid Ellmerit dhe të punës redaktuese të profesorëve Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri), Gjon Koleci (John Kolsti), Viktor Fridman (Victor A. Friedman) e timen. Ai është miratuar për botim nga Koleksioni i Harvardit dhe tash po del nga shtypi. Pra, është publikim i Koleksionit të Millmen Perit të Letërsisë Gojore (The Milman Parry Colection of Oral Literature), 2021. Shpërndarjen e bën Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts & London England, 2021.
A mund ta përshkruani, sipas këndvështrimit, tuaj rëndësinë e këtij libri?
Po, libri, që mban titullin WILD SONGS, SWEET SONGS (Këngë të egra, këngë të ëmbla), ka rëndësi, pikësëpari, për vlerat e mëdha poetike që ka, sidomos për eposin heroik legjendar të këngëve të tridhjetë kreshnikëve në krye me vëllezërit Muji e Halili dhe të bëmave të tyre heroike, që nga fillimi i ardhjes së sllavëve të Jugut në Gadishullin Ilirik.
Aty prin lahutari i shquar i Sanxhakut të Pazarit të Ri, dikur pjesë e Kosovës, e sot i ndarë dysh nga Serbia e Mali i Zi. Ai është Salih Uglla, njeri ndër Homerët e fundit, i njohur në literaturën botërore me mbiemër të sllavizuar, si Salih Ugljanin. Në vijim janë edhe disa lahutarë të famshëm të viseve të tjera të Shqipërisë së Veriut: Gjergj Pllumi e Marash Nika (Dukagjin, Alpe Shqiptare), Sokol Martini (Mërtur), Adem Brahimi (Plavë e Guci), Ali Meta e Rexhep Zeneli (Rrafshi i Dukagjinit). Bashkë me ta është edhe një grua, Fatime Arifi, por edhe me prapashtesën sllave -viq në mbiemrin famijlar, si zakonisht, në atë kohë. Ishte nga rrethina e Prizrenit, e martuar në familjen Biberoviq. Ajo ka kënduar shqip, turqisht e boshnjakisht, këngë lirikë dhe epike. Jetonte me familje në Hercegovinë.
Por, nuk janë vetëm vlerat poetike, që këtë libër e bëjnë me interes të madh, por edhe vlera e tij historike, sepse që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar e deri më tash, kjo është hera e parë që këngët shqipe të koleksioneve të Perit e të Llordit botohen të një vëllim të veçantë dhe të përkthyera në gjuhën angleze. Pesha i shtohet edhe më shumë këtij libri, derisa ai e bën më të rëndësishme dhe e popullarizon në përmasa ndërkombëtare epikologjinë shqiptare me punimet studimore të redaktorëve, të botuara në këtë antologji.
Kush do ta lexojë, përdorë, apo studjojë këtë libër? Kush është lexuesi që synon të arrijë?
Ky libër, dihet, është pritur që një kohë të gjatë, prandaj edhe interesimi për leximin e tij do të jetë i madh, ma merr mendja. Kanë kaluar shumë vite nga premtimi i Allbert Llordit, prandaj kjo pritje e gjatë e bën edhe më të kërkuar këtë antologji. Ajo do t’i ketë lexuesit e vet në SHBA, në Evropë dhe në viset e tjera të botës, për t’i shijuar vlerat monumentale poetike të këngëve shqiptare të Eposit të Kreshnikëve, po edhe lirikën e tij të bukur.
Ndër lexuesit e tjerë, aty do të jenë edhe studiuesit e Harvardit dhe studentët e tij, pikësëpari, po edhe ata nga qendrat e tjera studimore. Mosnjohja e gjuhës shqipe tash bën të quhet pengesë e tejkaluar, duke i pasur këto vargje të përkthyera në gjuhën angleze. Besoj shumë se disertacionit të Gjon Kolstit, të viteve ‘60, të vetmit të këtij lloji për këngët shqipe të fondeve arkivore të Universitetit të Harvardit, do t’i shtohen edhe disertacione të tjera në Harvard. Tash, dera është e hapur krah më krah.
Libri ka parathënie e hyrje dhe katër punime studimore, shkruar nga katër redaktorët e librit, Gjon Kolsti, Zymer U. Neziri, Nikolla Skalldaferi, Viktor A. Fridman. Ai ka edhe shtojcë me fotografi, letra, dorëshkrime, harta, si dhe fjalorth, bibliografi, tregues emrash të njerëzve, të vendeve e të subjekteve. Pra, libri është përgatitur sipas standardeve më të larta teknike – shkencore. Në ballinën e librit është fotografia e lahutarit të Malësisë së Gjakovës, Ali Hyseni nga Krasniqja, që kishte në repertor 19 këngë të kreshnikëve.
Akademikë shovinistë fqinj janë përpjekur ta mohojnë burimin shqiptar të Eposit, ashtu si janë përpjekur t’ia mohojnë historinë e kulturën kombit shqiptar. Në fakt, ka këngë të ngjashme në disa vise joshqipfolëse. Sidomos në një hapësirë gjeografike ku ka edhe mbivendosje popullsish. Si është e vërteta historike? Si mund të ndikojë ky libër në këto debate?
Po, mohuesit e historisë e të kulturës së kombit shqiptar, siç thoni ju, vinin nga fqinjësia dhe që kishte prej tyre edhe me formim akademik. Eposin tonë heroik legjendar, që është kulmi i etnokulturës sonë të traditës poetike gojore, janë munduar ta shkelin sidomos në dy pika, në më të rëndësishmet: mosha dhe origjinaliteti. Si e para, ashtu edhe e dyta kanë qenë sulme politike, kurse argumentet ishin tërësisht joshkencore.
E para, mosha, lidhet pikërisht me ardhjen e të parëve të tyre në Gadishullin Ilirik, e jo në shekullin XVII, siç thonë. Pra, ata e zhvendosin moshën e Eposit të Kreshnikëve për rreth një mijë vjet! Se ilirët kishin një traditë të hershme epike gojore edhe të periudhës parasllave, e thotë sidomos studiuesi i famshëm kroat, Radosllav Katiçiq, po edhe studiuesi i njohur arbëresh nga Kroacia, Aleksandër Stipçeviq.
Edhe dy fjalë për shekullin XVII. Në këtë shekull nuk ka pasur konflikt e përgjakje shqiptare – serbe. Kjo thuhet në të gjitha tekstet e historisë. Përkundrazi, ka pasur përpjekje për miqësi e koalicion kundërosman. Këtë e dëshmon veprimtaria atdhetare e priftërinjve tanë Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani.
E dyta, origjinaliteti. Mosha paraosmane i ndalon te gjitha spekulimet. Pra, ajo epikë është origjinale dhe është vijimësi e traditës e këndimit epik ilir. Nëse kemi parasysh se rezistenca ilire kundër ardhësve ishin sidomos Bosnja e Dalmacia, ato ishin edhe shume shekuj tërësisht ilire-arbërore, pra nuk ishin si tash, të sllavizuara. Ajo rezistencë është mbuluar me shtresim poetik legjendar, fantastik e mitik, por që ka një bazë historike të krijimit paraosman, saktësisht kohen e ardhjen se tyre ne viset ilire.
Pra, e vërteta historike është se kjo epike gojore shqiptare është hallkë e zinxhirit të këngës epike gojore ilire. Ajo tash është epikë heroike legjendare, por ka edhe një kohë historike, të cilën e thotë edhe epikologu i famshëm, Maksimilian Lamberc, se ato këngë i përkasin kohës së ardhjes së dhunshme të sllavëve, nga viset e Azisë në Iliri. Pra, ato janë jehonë poetike e kacafytjes dhe e përgjakjeve, që kanë zgjatur shumë shekuj dhe pas një pushimi në kohën e sundimit osman, ato janë përsëritur në këta dy shekuj me pushtime të reja, me krime e gjenocid dhe me shpërngulje me dhunë të popullsisë shqiptare, që, dihet, ende nuk kanë përfunduar.
Po, ky libër mund të ndikojë edhe në ato debate, që shpesh ishin edhe joshkencore, e që tash nuk janë shumë, në krahasim me gjendjen e trajtimeve politike të problemeve të epikës heroike legjendare të Eposit të Kreshnikëve, siç veproi shkolla serbe, gati dy shekuj. Mirëpo, intensiteti i tyre ra sidomos pas mbrojtjes së disa disertacioneve të doktoratave në këtë fushë dhe të mbajtjes së konferencës së parë shkencore ndërkombëtare në Tiranë, më 1983. Dua të shtoj se në vijim janë mbajtur dhe dy të tilla, në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, po ashtu të përmasave ndërkombëtare, më 2010 dhe më 2014. Në të dyja janë mbajtur rreth 170 kumtesa për Eposin e Kreshnikëve, prej studiuesve nga Amerika, Azia, Evropa Perëndimore, Ballkani, si dhe nga institucionet tona më të larta arsimore e shkencore, që nga Shkodra e deri në Gjirokastër e Shkup. Pra, ky libër do të jetë ndihmesë e madhe sidomos për ata që nuk e kuptonin shqipen dhe që bënin gabime në vlerësim. Tash e kanë më lehtë ta shohin madhështinë poetike të këtyre këngëve, që janë edhe vlerë poetike evropiane e botërore, ashtu siç dëshmon dosja e përgatitur për UNESCO, se ato u takojnë vlerave kulmore të trashëgimisë botërore.
Profesor, ju vetë keni kaluar gjithë jetën duke mbledhur thesaret e folklorit shqiptar sidomos atë të Eposit tonë legjendar. Po si ju lindi ky pasion? Çfarë ju nisi në këtë rrugë?
Ashtu si shumë figura intelektuale të Kosovës ju keni pasur periudha sfiduese në jetë, ku keni njohur edhe dhunën dhe dënime nga regjimet e Beogradit. Si e ndjeni veten sot, kur keni kontribuar me këtë botim historik me vlera të mëdha për shqiptarinë, por edhe për të vërtetën historike dhe shkencore të kësaj fushe të krijimtarisë popullore?
Po, rruga ime në këtë fushë, pos robërisë, nuk ka qenë e lehtë. Kanë hequr keq edhe të tjerë të fushës së epikës. Paraardhësi im në Institut, Zekerija Rexha, ishte përballur me largimin kolektiv nga Instituti Albanologjik, që u mbyll nga Beogradi, më 1995, si dhe me djegien e rreth 3 mijë kopjeve të librit të tij me këngë epike.
Epika jonë nuk ishte aspak e dëshirueshme për pushtetin jugosllav. Kjo u pa edhe kur më përjashtuan nga Instituti Albanologjik, më 1973, që zgjati rreth 20 vjet, kur isha asistent te prof. Anton Çetta. Pra, ndonëse koha për epikën nuk ishte e mirë, asaj nuk iu ndava. Në Rugovë, krahinë e Kelmendit në Alpet Shqiptare, vend imi dhe i të parëve të mi, punova në vitet 1979-1988. Punë hulumtuese-shkencore për disertacion doktorate. Kërkova në të gjitha katundet e saj, 14 sa janë, e në 5 lagje të tipit katund, shtëpi për shtëpi, dhe gjeta mbi 100 mijë vargje të Eposit të Kreshnikëve. Janë 15 vëllime. Pasuri përrallore. Më e madhja e këtij lloji nga një krahinë. Ruhen në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Këngët janë edhe të incizuara në magnetofon. Janë të botuara vetëm tri vëllime.
Edhe pas Luftës së UÇK-së, kreva projektin e dytë në terren, si ai i pari, po edhe i madh sa i pari, por jo në një vend, si në Rugovë. Kërkimet i kreva me rreth 300 ditë punë terreni në të gjitha krahinat shqiptare të pesë shteteve të Ballkanit, 2012-2016: Krajë e Tivarit, Malësi e Madhe, Dukagjin, Nikaj, Mërtur, Pukë, Mirditë, Lezhë, Kurbin, si dhe Malësi e Gjakovës, Has, Lumë, Plavë e Guci, Sanxhak i Pazarit, Rugovë, Rrafsh i Dukagjinit, Llapushë, Drenicë, Shalë e Bajgorës, Rrafsh i Kosovës, Llap, Gallap, Anamoravë, Preshevë me vise përreth, Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, po edhe në Evropë Perëndimore dhe në Amerikë.
Pata edhe rreth 90 bashkëpunëtorë-vullnetarë terreni dhe 6 pjesëtarë të Projektit. Por, pata edhe vështirësi, madje të mëdha, administrative dhe financiare. Madje, rreth gjysma e financimit të terrenit thuajse ishte barrë familjare, kryesisht mbi djalin në Dallas, Kreshnikun.
E shkuar e harruar, thonë. Projekti E5 u krye. Rezultatet ishin befasuese: Ballkani doli me rreth 300 bartës të Eposit të Kreshnikëve, me një fond prej 15 vëllimesh, që kanë rreth 5 mijë faqe material A4. Janë edhe me kamerë të incizuara, shumica, nga Baton Z. Neziri. Qëllimi u realizua plotësisht. Këto janë dëshmi se ende jeton ky lloj i rrallë i epikës legjendare në Evropë, i shoqëruar kryesisht me lahutë, ose pa instrument, këndim polifonik. Dosja do të dorëzohet në UNESCO, që këto këngë të shpallën vlerë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Natyrisht, e ndjej veten të lumtur, shumë të lumtur. Këtë e thotë edhe shifra 30, nga ato 90 vëllime sa kemi këso këngësh të mbledhura, nga Gustav Majeri e këndej. Po, edhe një jetë po ta kisha, epikës do t’ia kushtoja. Kjo ishte porosi për mua edhe nga prof. Qemal Haxhihasani, kur ma propozoi temën e disertacionit. Shumë i lumtur do të isha gjithashtu po të botoheshin tash këto 27 vëllime, por nga fondet shtetërore ka pak gjasa.
Kujt do të donit t’ia kushtoni këtë libër?
Natyrisht, këtë e meritojnë, së pari, rapsodët tanë, ruajtës të thesarit tonë etnokulturor ndër shekuj, dhe studiuesit e deritashëm të epikologjisë, me një falënderim të veçantë për Millmen Perin e Allbert Llordin, të cilëve ua kushtova edhe librin tim të vitit 2006, studime për epikën. Por, jam edhe fort krenar se ky është botim i Universitetit të famshëm të Harvardit.
Epiken e kemi me te fnuqish me dh e me te vjet er nga githe ppujt per rreth e me gjere.Sepse jemi popull qe, ishim gjate dhe eger te roberuar.Popull qe brez pas brezi ishim ne perballje me okupuesin e trevave dhe populit tone.Epika eshte deshmi se ne luftuam dhe luftojme ende per shtet dhe etni kombetare e shteterore. Per kete epika deshmon dhe vazhdon te deshmoje se, kjo toke e djegur dhe e pergjakur e ky popull i ndjekur kishte dhe ka domosdo detyrim te luftoje per liri dhe jete te perbashket te popullin shqiptare dhe formim te nje shteti kombetar ne gjitha trojet etnike.